Lajme

Rrëfimi i Agron Shehajt: Si mijëra të tjerë edhe im atë kërkon të dijë ku janë eshtrat e babait të tij

Krimet e komunizmit dhe nevoja për të mos harruar mizoritë e regjimit të egër diktatorial. Nën “Tingujt e Kujtesës”, përmes një mbrëmjeje homazh, u kujtuan artistë e intelektualë që u përndoqën dhe u vranë vetëm sepse krijonin vargje dhe muzikë, vetëm sepse thonin të vërtetën.

Deputeti Agron Shehaj, njëherazi themelues i Kujto.al, një dritare dedikuar krimeve të diktaturës thotë se mostrajtimi, mungesa e informacionit dhe harresa, ka për qëllim mohimin e  krimeve të komunizmit, dhe mohimi i tyre është një krim në vetvete.

Shehaj rrëfeu edhe historinë e familjes së tij përpara familjeve të viktimave të komunizmit.

“Nuk është e vërtetë që shqiptarët nuk duan të dinë.

Im atë është 80 vjeç. Edhe ai, si mijëra të tjerë, do të dijë ku janë eshtrat e babait te tij.

Unë dua të di sa janë të ekzekutuarit, të zhdukurit, të burgosurit dhe të internuarit nga regjimi komunist.

Por unë nuk jam i vetmi. Sipas një anketimi të kryer në 2019, mbi 30% e shqiptarëve ka deklaruar se rrjedh nga një familje e persekutuar. Jam i bindur se secili prej tyre do të dijë të vërtetën, do që krimet e komunizmit të zbardhen dhe të mos harrohen”, tha Shehaj teksa pohoi se pikërisht kjo është arsyeja se pse ka themeluar Fondacionin Kujto.

Aty gjenden profilet e mbi 50 mijë shqiptarëve të persekutuar gjatë regjimit komunist, me emër dhe mbiemër, historitë e secilit prej tyre.

Mijëra shkrime, dokumentarë dhe dëshmi autentike dhe të panjohura.

“Një punë e madhe e cila na shërben sot, por edhe fëmijëve tanë në të ardhmen, për ta bërë të pamundur çdo tentativë mohimi të krimeve të komunizmit”, tha Shehaj.

Postimi i plotë: Një natë homazh dedikuar viktimave të komunizmit përmes notave dhe vargjeve që na kanë lënë si dëshmi e pasuri të çmuar.

Pianistja Elida Dakoli, soprano Alisa Katroshi dhe aktorja Ema Andrea na sollën “Tingujt e Kujtesës” si një thirrje për të mos harruar krimet e komunizmit, për të thënë të vërtetën.

Kjo është arsyeja pse kemi themeluar Fondacionin Kujto.

Në Kujto.al gjejmë profilet e mbi 50 mijë shqiptarëve të persekutuar, historitë e secilit prej tyre. Mijëra shkrime, dokumentarë dhe dëshmi të panjohura.

Një punë e madhe e cila na shërben sot ne, por sidomos fëmijëve tanë në të ardhmen, që askush të mos tentatojë të mohojë krimet e komunizmit.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close