Categories Lajme

Rriten 22% çmimet e qirave të dyqaneve

Edhe pse në një periudhë të vështirë, si rrjedhojë e krizës që pandemia ka shkaktuar në ekonomi, konsum dhe ecurinë e shumë bizneseve, janë rritur çmimet e dyqaneve të qirave për 2021 në zonat kryesore të Tiranës. Sipas të dhënave të përditësuara të indeksit privat Keydata Albania, rritja mesatare e qirave të bizneseve në periudhën janar-maj 2021 është 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-s.

Rritja më e lartë e qirave për ambiente të biznesit është në zonën e ish Bllokut. Për shkak të karantinës (muajt mars-maj) dhe moslejimit të jetës së natës, çmimi mesatar i qirasë ishte 12,9 euro për metër katror. Për 2021 qiraja është 21 euro për metër katror. Rritja është 38,5% krahasuar me vitin e kaluar. Tendenca për rritje më të lartë të çmimit të qirasë është shfaqur te zonat e afërta me qendrën e kryeqytetit.

Për zonën e ish Ekspozitës çmimet e qirave të dyqaneve u rritën 41% dhe në rrugën e Kavajës rritja është 21%. Në zonat me larg qendrës rritja është më e ulët. Te zona e Zogut të Zi çmimet janë rritur 6%, në rrugën Don Bosko 19%, në Komunën e Parisit 15% dhe rruga e Elbasanit ka ndryshimin më të vogël të çmimeve me 1%. Drejtues të agjencive të pasurive të paluajtshme në vend pohuan se faktor kryesor i rritjes të çmimeve të qirave të bizneseve në 2021 është nga pastrimi i parave. Sipas tyre, shumë prej këtyre pronave janë blerë në një periudhë të caktuar dhe tashmë paraja ilegale e ngurtësuar nuk i nxit pronarët për të ulur çmimet e qirave.

Edhe drejtuesi i gazetës “Çelësi” dhe i indeksit Keydata Albania, Ylli Sula pohoi për Monitor se rritja e çmimeve nuk bazohet te logjika ekonomike tregut. “Shumë biznese të vogla janë në vështirësi për shkak të krizës nga Covid-19. Në këtë periudhë nuk mund të flasim për lulëzim të biznesit dhe nuk parashikohet për rritje të shpejtë të fuqisë blerëse. Këto janë elementët kryesorë që do të ndikonin në lulëzimin e veprimtarisë të biznesit, çka do të sillte edhe rritje të qirasë të dyqaneve. Pra kjo rritje nuk është e ndikuar nga elementët e tregut.”

Për shkak të krizës nga Covid-19 dhe rënies të xhiros në 2020 sipas të dhënave të Drejtorisë të Tatimeve për subjektet që kanë kaluar pasiv për periudhën nga 1 Maj deri më 31 Dhjetor u rritën 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s. Gjithsej ishin rreth 6,600 subjekte që rezultojnë të shtuara në listën e subjekteve pasive në periudhën në fjalë, nga rreth 4,800 për maj-dhjetor 2019. Numri më i lartë i bizneseve të mbyllura i përkasin atyre subjekteve që e kanë të lidhur aktivitetin e tyre me sezonin turistik. Rritet kërkesa për ambiente të reja me qira për farmaci e furra buke

Kërkesa e tregut për marrjen e ambienteve me qira në këtë periudhë më tepër sipas menaxherit të përgjithshëm të real estate “Devinf”, Genci Ziko po orientohet në hapjen e bizneseve të farmacive, veshjeve, të shitjes të celularëve dhe shumë pak për bare dhe restorante. Të njëjtën tendencë pohon edhe drejtuesi i indeksit Keydata, z. Ylli Sula duke shtuar se kërkesa është rritur edhe për ambiente me qira të bizneseve si: furra buke dhe dyqaneve të shitjes të ushqimeve bio. Sipas tij arsyet e hapjes të këtyre bizneseve janë që nga konkurrenca deri te nisja e aktiviteteve që garantojnë të ardhura të sigurta.

“Furrat e bukës më tepër po shikohen, si një biznes i sigurt, pasi ky produkt gjithmonë konsumohet nga familjet shqiptare. Për sa i përket farmacive, më tepër është logjika e konkurrencës apo lufta e të mëdhenjve për të zënë pjesën kryesore të tregut. Në periudhë pandemie fitimet e farmacive u rritën. Përfundimi i periudhës së infeksionit do të ndikojë te xhiroja e tyre. Për këtë arsye farmacitë e fuqishme apo rrjetet farmaceutike kanë shtuar kërkesën për ambiente të reja me qira.

Edhe te hapja e dyqaneve të luksit, të shitjes të ushqimeve (rrjetet e profilizuara të produkteve bio, që shiten me çmime të shtrenjta) dhe dyqanet e veshjeve ekziston logjika ekonomike, që në periudhë krizë tregtarët gjithmonë synojnë të marrin fitime nga shpenzimet që bën shtresa e pasur dhe jo e nga të varfërit apo ata me të ardhura të ulëta”, thekson z. Sula. Si po ndikon rikonstruksioni i rrugëve te çmimet e qirave të dyqaneve Sipas menaxherit të përgjithshëm të agjencisë imobiliare “Devinf”, Genci Zike, ndërhyrjet për punime në përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese për shumë zona të kryeqytetit kanë ndikuar në çmimet e qirave të dyqaneve.

Ai thotë se punimet për rikonstruksionet e rrugëve kanë ndikuar për mirë dhe për keq te çmimet e qirave. Oferta për dyqane të reja nuk është e lartë.“Zona e bulevardit të Zogut i Parë, më përpara nuk ishte aq i rëndësishme për nisjen e një aktiviteti tregtar. Pas përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës, çmimet e qirave në këtë zonë janë rivlerësuar. Çmimet e qirave variojnë nga 15 deri në 20 euro për metër katror.

Në zonën e Misto Manes ( sapo kalon Spitalin Amerikan 3), vendosja e hekurave në dy krahët e rrugës (që nuk lejon të kalosh në anën tjetër) rriti vështirësitë e aktivitetit të dyqaneve. Në këtë zonë ishin të përqendruara dyqanet e tregtimit të materialeve të ndërtimit dhe mallrave industrialëve. Çmimet para nisjes të punimeve varionin 10, 12 deri në 15 euro për metër katror, ndërsa aktualisht janë 8 deri në 10 euro për metër katror”, pohon z. Zike. Në rrugën e Durrësit pas goditjes që çmimet patën vitin e kaluar nga punimet për rikonstruksionin e aksit dhe në Myslym Shyrin për shkak të moslejimit të parkimit, qiratë e dyqaneve për 2021 nuk kanë ndryshuar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Emri/ Ngjarja e rëndë: 29-vjeçarja nga Lushnja rreh vjehrrin

Një 29-vjeçare nga Lushnja ka dhunuar fizikisht vjehrrin e saj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Detaje/ U dënua për aksidentin tragjik me 5 të vdekur, përfiton nga amnistia Rexhina Celhaka! Lot e përqafime me të atin te dera e burgut

Bedri Celhaka mundi ta përqafonte për herë të parë pas 3 vjetësh jashtë hekurave, vajzën…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Hajdutët shënjestrojnë makinat, tre raste në pak ditë në një fshat në Klos

Banorët e fshatrave të Xibrit në Bashkinë e Klosit po ndjehen të pasigurtë çdo ditë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

VIDEO/ “Ndihmë-ndihmë” – Maja hyn në banesë duke thyer derën, por ia merr ulërimave nga ballkoni pa e prekur njeri, ish bashkëshorti filmon gjithë skenën: Largohu!

Pas lajmit se këngëtarja e muzikës popullore “Maya” ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj nga…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Amnistia penale/ Drejtori i IEVP Vlorë jep lajmin: Mund të përfitojnë dhe të tjerë të dënuar në ditët në vijim

Edmond Leka, drejtor i IEVP Vlorë, thotë se në ditët e ardhshme mund të ketë…

LEXO ME SHUME