
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija, në një takim në IEVP Fier, krah ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, ka bërë me dije se paga bazë e efektivëve të burgjeve do të rritet me 13 mijë e 700 lekë.
Sipas tij nga kjo rritje page do të përfitojnë 3560 punonjës të policisë së burgjeve.
Ndërkohë, Manja tha se fokusi i këtij takimi ishin rritja e pagave dhe uniformat e reja. Manja u shpreh se nga 1 shtatori i këtij viti, pagat e policisë së burgjeve janë të barazuara me ato të policisë së Shtetit.
“Arsyeja e takimit në IEVP e Fierit ishte prezantimi i disa punëve të mira dhe i disa reformave që ka disa muaj që kemi ndërmarrë si Ministri e Drejtësisë me Drejtorinë e Burgjeve në të gjitha IEVP e vendit.
Sot prezantuam refomrat që i kishim premtuar që në korrik, uniformat e reja për punonjësit dhe pagat e reja për policinë e burgjeve dhe stafet e policisë së burgjeve që tashmë janë realitet dhe kanë nisur efektet financiare që nga 1 shtatori i këtij viti”, tha Manja.