Lajme

Seimen Gjokoli, Rita e xhubletës së alpeve

RITA E XHUBLETËS SË ALPEVE -Ca radhë për Rita Kalaj Shkurtaj

Donte dhe pak minuta të niste nata e tretë e Aulona Festival kur dikush më thotë se bash në anë të skenës më kërkonte të më takonte një zonjë e ardhur nga larg. Kur u afrova e njoha edhe pse vetëm përmes komunikimit në rrjetet sociale e kisha parë. – Kam ardhur enkas nga Malsia, më tha por më vjen keq që s’munda të vij dot pak më shpejt. Kam sjellë me vehte një xhubletë, mendova se do ti shkonte shumë moderatores por tani e shikoj që s’kemi kohë as ta provojmë, më thotë duke parë nga një valixhe goxha e madhe që kishte pranë vehtes.

-Po si nuk më njoftove më parë, i thashë kur e pamë se koha nuk mjaftonte e spektatorët kishin zënë vendet…

-E kisha menduar si surprizë, doja që mes këtyre kostumeve tradicionale nga bota të shpërfaqej edhe xhubleta jonë, më tha jo pa keqardhje kur pa se veshja e rrallë mbeti siç erdhi në valixhe.

S’kishte si të mos më befasonte por edhe të më mbetej në mendje ky veprim i kësaj malsoreje të cilën më parë e kisha njohur virtualisht në përpjekjen që bënte aty në vendlindjen e saj, në Malsinë e Madhe, për ruajtjen dhe trashëgimin në breza të xhubletës së Alpeve, një nga pasuritë e rralla të trashëgimisë kulturore shqiptare…

…Kanë kaluar disa muaj nga kjo histori kur me mikun tim gazetarin e poetin këngëbukur Ramazan Çeka , nga Shkodra do të marrim rrugën drejt Bajzës, aty ku Rita Kalaj Shkurtaj , ushtron veprimtarinë e saj, tërësisht në shërbim të ruajtjes dhe promovimit të vlerave të trashëgimisë materiale kulturore të lëvizshme.

E takojmë Ritën në mjediset e shoqatës ” Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, shoqatë që siç na thotë ka pak kohë që e ka themeluar e ka nisur nga veprimtaritë.

Më parë, Rita, falë pasionit dhe përkushtimit të rrallë ka hulumtuar e gjurmuar këmba-këmbës “rrënjët” e xhubletës, derë më derë ka biseduar Dukagjinit e gjer malsisë së Tuzit e Vermoshit.

Nuk di në do të ketë një njeri të dytë të tregojë me kaq shumë pasion e dashuri rreth magjisë së kësaj veshje shqiptare, absolutisht të veçantë e të pa ngjashme me dikë tjetër në botë.

Një odise më vehte prodhimi i një xhublete, kushedi sa mjete e sa gjëra duhet të bësh bashkë, një industri e tërë e punës artizanale që jo kushdo mundet ta bëjë.

E veçantë në llojin e përbërjen e leshit, tjerrja për të bërë fillin po edhe tezgjahu për shajakun. Pastaj të bësh bashkë kushedi sa copa e ti shkruash me gajtane.

Rita Kalaj Shkurtaj ka vendosur ti kushtohet me gjithë fuqinë e shpirtit kësaj pasurie shpirtërore dhe ka kohë që e ka nisur rrugëtimin drejt qëmtimit të prurjeve orgjinale po edhe ruajtjes me fanatizëm të prurjeve të reja.

Xhubleta malësore ka shekuj që ka fituar mëvetësinë kombëtare shqiptare të pronësisë dhe si e tillë duhet të përcillet e pa cënuar e tjetërsuar në brezat që vijnë. Bëhet fjalë për nga ato lloj pasurie që identifikohen me palcën dhe ashtën e kombeve. Dhe duket që Rita Kalaj Shkurtaj këtë të vërtetë e di mirë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: