
Një konflikt mes shtatë personave, ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në një lokal nate në zonën e ish Bllokut, në kryeqytet.
Debati mes tyre ka qenë i çastit dhe për motive të dobëta.
Një prej personave të përfshirë në sherr është një 26 vjeçar punonjës policie, në komisariatin nr.1. Sipas burimeve, ai ka pasur armën e shërbimit me vete, por nuk është përdorur prej tij.
Të rinjtë janë zënë me sende të forta, si gota e shufër metalike. Në spital u dërguan tre persona që morën plagë të lehta gjatë sherrit.
Për shkak se i përfshirë është edhe një punonjës policie, pjesë në hetime për të zbardhur të plotë motivin e ngjarjes është edhe Agjensia e Mbikqyrjes Policore.
U përfshi në sherrin masiv në Tiranë, pezullohet efektivi i policisë, ngrihet akuzë për plagosje
Është pezulluar nga detyra efektivi i Policisë, i cili u përfshi në sherrin masiv që ndodhi mbrëmjen e së premtes mes 7 personash në një lokal nate. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) në bashkëpunim me Specialistë të Hetimit të Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në ngarkim të punonjësit të policisë me iniciale D.N. dhe gjashtë shtetasve të tjerë, të dyshuar për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”.
Procedimi penal në ngarkim të punonjësit të policisë, N/Komisar D.N., me detyrë Specialist për ekzekutimin e vendimeve penale dhe armatimit pranë Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, ka filluar pasi më datë 09.09.2023, rreth orës 02:00, gjatë qëndrimit të tij në ambientet e një lokali në zonën e ish-Bllokut Tiranë, pas përfshirjes në një konflikt fizik, për motive të dobëta, mes disa shtetasve që ishin nën ndikimin e pijeve alkoolike, ai ka goditur me sende të forta duke i shkaktuar lëndime disa personave.
Pas marrjes së ndihmës së parë dhe mjekimit në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare, pajisjes me vendimet përkatëse të ekspertimit mjeko-ligjor dhe marrjes së ndihmës së parë mjekësore, shtetasit janë larguar në banesat e tyre, ndërsa provat në vendngjarje i janë nënshtruar ekspertimit teknik vlerësues. Vijojnë hetimet për individualizimin e përgjegjësisë penale të gjithësecilit prej personave të përfshirë në këtë konflikt, apo identifikimin e personave të tjerë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë filluar hetimin administrativ për “Shkelje të rëndë” të Rregullores së Disiplinës së Policisë së Shtetit për punonjësin e policisë, N/Komisar D.N. dhe është bërë pezullimi nga detyra i këtij punonjësi.