Lajme

Shifrat/ Rriten çmimet në baret e restorantet në vend

Shumë bare në kryeqytet e bregdet kanë rritur çmimet e kafesë së fundmi. Të njëjtën tendencë po shënojnë dhe çmimet në restorante. Rritja nuk është vetëm në jug, por në gjithë vendin.

Tendenca konfirmohet nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që publikohet nga INSTAT, sipas të cilit ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit Kafe – restorante (catering) ishte 1.3% në maj dhe qershor, rritja më e lartë që nga janari 2017, kur raportohen të dhënat.

Deri në fund të 2020-s, çmimet në bare e restorante ishin të më të qëndrueshme, ndërsa ishin në tendencë rënëse në gjysmën e dytë të 2020-s.

Situata e vështirë që kaloi ky sektor, një ndër më të goditurit e pandemisë, ka ndikuar në shtrenjtimin e çmimeve, për të kompensuar uljen e qarkullimit.

Të dhënat të tjera të INSTAT për indeksin e vlerës së bareve e restoranteve tregojnë se në tremujorin e parë 2021, konsumi në bare e restorante ishte rreth 6% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë (kur sapo kishte filluar pandemia e Covid-19) dhe 10% më pak se në janar-mars 2019, kur gjithçka ishte në normalitet dhe biznesi i bareve e restoranteve shënoi vitin më të mirë historik.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Henri Jahaj, thotë se rënia e xhiros nga tkurrja e konsiderueshme e konsumit, që do të thotë se të ardhurat e individëve u reduktuan.

Arsye tjetër është pasiguria e shkaktuar nga kriza e Covid-19, ku shumë njerëz ulën shpenzimet, duke u përqendruar më shumë te produktet e shportës dhe shëndetit.

Një tjetër arsye e rënies së xhiros është edhe orari i kufizimit të lëvizjeve. Kjo solli që pasditja të mos funksionojë me tepër për restorantet dhe baret.”

Ekonomia shqiptare ka një varësi të lartë nga biznesi i bareve e restoranteve. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2019, në Shqipëri kishte rreth 16 mijë barë e restoranteve (4 mijë restorante dhe 12 mijë bare), të cilat përbëjnë rreth 15.4% të subjekteve private në Shqipëri.

Në total, në bare dhe restorante janë të punësuar rreth 45 mijë persona në 2019-n, sipas INSTAT, gati 10% e totalit të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor.

Të ardhurat e bareve e restoranteve, apo shpenzimet e shqiptarëve, arritën një nivel rekord në 2019-n prej 51.8 miliardë lekësh, ose rreth 420 milionë euro, ose 150 euro/frymë. Sipas INSTAT, në krahasim me 5 apo 6 vjet më parë, shpenzimet për kafene e restorante janë dyfishuar./Monitor

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: