
Dy turistë që kishin ardhur nga Anglia, kanë rënë në prangat e policisë së Himarës, pasi akuzohen se shisnin droga të forta në zonën bregdetare.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Parts 6”, u arrestuan shtetasit me inicialet G. S., 38 vjeç dhe R. B., 28 vjeç, të dy banues në Londër. Gjatë kontrollit fizik dhe atij të ambienteve ku këta shtetas ishin akomoduar, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lëndë narkotike të llojit GHB (Gamma- hydroxybutyrate), të ndarë në 37 doza, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas kishin ardhur si turistë nga Anglia në Dhërmi, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.