Së shpejti, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të organizojnë Komitetin e Parë të Përbashkët Ekonomik mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja Anila Denaj pas një takimi me ambasadorin e Ukrainës në vendin tonë, Volodymyr Shkurov.
Në takim, sipas ministres Denaj, palët ndanë bindjen se bashkëpunimi ekonomik i Shqipërisë dhe Ukrainës do të intensifikohet në rrugëtimin e përbashkët drejt familjes europiane. Takimi me ambasadorin Shkurov ka shërbyer edhe për vlerësimin e rigjallërimit të marrëdhënieve dypalëshe gjatë këtij viti, pavarësisht pandemisë.
Ministrja Denaj theksoi se së shpejti do të organizohet edhe Komiteti i Parë i Përbashkët Ekonomik mes dy vendeve. Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, e nisi detyrën e tij në Shqipëri këtë shtator.
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Ukrainës janë të mira, me interesa të përbashkëta. Gjatë këtij viti marrëdhëniet bilaterale njohën një zhvillim të rëndësishëm, me hapjen e misionit diplomatik shqiptar në Kiev dhe hapjen e Ambasadës së Ukrainës në Tiranë. Këto hapa, në përvjetorin e 27-të të marrëdhënieve diplomatike, shënuan një zhvillim të ri në fuqizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve.