Categories Lajme

Shqipëria renditet nga fundi për numrin e emigrantëve

Mbi 900 mijë shtetas nga Ballkani Perëndimor jetojnë në Gjermani. Mbi 350 mijë janë në marrëdhënie të rregullta pune, shumica si të kualifikuar. Por pagat e tyre janë më të ulëta se të gjermanëve. Afro 1 milion (921 419) shtetas nga Ballkani Perëndimor jetojnë (dt. 30.06. 2020)  në Gjermani. Prej këtyre numrin më të madh e përbëjnë kosovarët, me 236 937, të pasuar nga shtetasit me pasaportë serbe (226 048), vendin e tretë e zënë shtetasit nga Bosnjë-Hercegovina me 209 258. Shtetasit nga Maqedonia e Veriut zënë vendin e katërt me 118 580. Numri i shtetasve nga Shqipëria është 70 197.

Këto të dhëna, të marra nga Regjistri Qendror i të Huajve, i ka vënë në dispozicion qeveria gjermane në një përgjigje ndaj një pyetjeje me shkrim të shtruar nga grupi parlamentar i partisë Alternativa për Gjermaninë. Deputetët e kësaj partie René Springer, Jürgen Pohl dhe Martin Hesse, me kërkesën e tyre synonin të kuptonin se sa është përfitimi i Gjermanisë prej Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila do të zgjatet deri në vitin 2023.

Shumica të kualifikuar Nga 901 110 shtetas nga Ballkani Perëndimor në datën 31.12.2019, afro 356 338 kanë qenë në marrëdhënie të rregullta pune, ku paguanin edhe kontributet shoqërore. Kjo shifër përbën 1,1% të të gjithë të punësuarve në Gjermani. 81875 prej tyre ishin nga Kosova, duke zënë kështu vendin e tretë pas emigrantëve nga Bosnjë-Hercegovina (94 694) dhe Serbia (85 975). Emigrantët nga Shqipëria (39 329) zënë vendin e pestë pas atyre nga Maqedonia e Veriut (44 916). I fundit në listë është Mali i Zi, i cili në fund të vitit 2019 kishte 9 549 emigrantë të punësuar në Gjermani.

Nga gjithsej 356 338 emigrantët e punësuar nga Ballkani Perëndimor, mbi 63 për qind janë të kualifikuar, dhe 37 për qind punonin si ndihmës. Shtetasit nga Shqipëria që punojnë si të kualifikuar përbëjnë 60% të të punësuarve, ndërsa 40% syresh bënin punë ndihmësi. Nga 81 875 të punësuarit nga Kosova, afro 57 për qind janë të kualifikuar, dhe 43 për qind (34 773) punojnë si ndihmës. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor u jep të drejtë edhe personave me kualifikime të ulëta të shkojnë për të punuar në Gjermani, nëse kanë një kontratë pune. Ndryshimi përkatës në rregulloren e punës pritet të miratohet nga Dhoma e Landeve (Bundesrat), më 9 tetor të këtij viti.

Paga më të ulëta Që punëdhënësit janë shumë të interesuar për punëtorë nga Ballkani Perëndimor, kjo mund të shpjegohet edhe me çmimin e tyre. Nga përgjigjja e qeverisë ndaj pyetjes së deputetëve të AFD-së, del në pah se diferenca e pagës mujore mes një gjermani dhe një ballkanasi shkon deri në 1600 euro në muaj. Sa më i lartë kualifikimi, aq më e madhe diferenca.

Ndërsa rroga mesatare e një gjermani është 3509 euro në muaj (31.12.2019), ballkanasit fitojnë mesatarisht rreth 900 euro më pak (2 611). Kjo diferencë duket se është rritur në këtë dhjetëvjeçar. Sepse në vitin 2010 diferenca e rrogës mesatare të një ballkanasi (2 197) dhe një shtetasi gjerman (2 725) ishte vetëm 500 euro. Më pranë vendasve për nga rroga janë imigrantët nga Bosnjë-Hercegovina, të cilët fitojnë mesatarisht 2821 euro në muaj. Shtetasit nga Kosova e kanë pagën mujore mesatarisht 2522 euro, ndërsa shtetasit nga Shqipëria 2428 euro në muaj.

Punëdhënësit bëjnë diferencime edhe në rang specialistësh dhe ekspertësh. Kështu për shembull, ndërsa rroga mesatare e një eksperti gjerman, në fund të vitit 2019 ishte 5 609 euro, një ekspert ballkanas i kushton punëdhënësit gati 1000 euro më pak në muaj. Ekspertët që paguhen më mirë janë ata nga Serbia (5 073 euro në muaj), pasuar nga ekspertët nga Shqipëria me 4815 euro në muaj. Ekspertët nga Kosova (3 983) kanë pagat më të ulëta mujore, duke krijuar kështu një diferencë prej mesatarisht mbi 1600 Euro në krahasim me ekspertët gjermanë.

Ngjashëm është situata edhe për specialistët: 4400 euro është rroga mesatare e një gjermani, dhe afro 3476 euro fiton një specialist nga Ballkani Perëndimor. Dallimi është më i vogël në nivel ndihmësi. Por edhe këtu ka diskriminim mes një vendasi dhe një shtetasi nga Ballkani, prej mesatarisht 100 euro në muaj. Ndihmësit nga Kosova e kanë rrogën mesatare 2352 euro. Pak më shumë se ata fitojnë ndihmësit me prejardhje nga Bosnjë-Hercegovina (2424 euro në muaj). Emigrantët shqiptarë në Gjermani marrin një rrogë mesatare prej 2206 euro, duke qenë të parafundit në listën e ndihmësve nga Ballkani. Pagat më të ulëta i kanë ndihmësit nga Maqedonia e Veriut (2 109).

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Emërimi i kryetarit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, mblidhet këshilli bashkiak i Himarës! Banorët përplasen me policinë

Sot në orën 10:30 nisi mbledhja e radhës në këshillin e Bashkisë së Himarës ku…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dita e sotme me kthjellime dhe vranësira. Temperatruat do te jenë me rritje

Anticikloni subtropikal po ndikon Europën Juglindore, ku presim stabilitet të kushteve atmosferike në territorin e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ngacmimi nga interneti, Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve. Kuçova renditet e dyta

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi, 29 Mars 2024

Dashi Kjo ditë do ju gjejë më produktiv dhe krijues, qoftë në sferën profesionale edhe…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë së Bashkisë Tiranë e biznesmenë (Emrat)

Disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës kanë përfunduar në prangat e policisë me urdhër të…

LEXO ME SHUME