Lajme

Shqipëria, vendi i dytë në rajon ku nisi vaksinimi anticovid

Kryeministri Rama deklaroi mbrëmjen e së enjtes se Shqipëria është vendi i dytë në rajon që ka nisur vaksinimin dhe ka një plan kombëtar të vaksinimit të hartuar nga ekspertët e Komitetit Teknik.

“Ky është plani kombëtar i vaksinimit ndaj COVID dhe nuk është plan që e kam bërë unë. Është plan i bërë nga ekspertët dhe i bërë prej kohësh, jo tani”, u shpreh Kryeministri duke treguar kopjen e tij të planit të vaksinimit. “Nuk na ka kërkuar askush të çojmë një plan kombëtar vaksinimi. Komisioni Europian është një strukturë i cili punon ditë-natë dhe unë kam shumë respekt. BE është më shumë se Komisioni Europian, është Këshilli Europian. Nuk ka qenë vendim i KE-së që vendet e Ballkanit të lihen jashtë në mënyrën më të pajustifikueshme nga çdo aspekt”, tha Rama.

“Ne i kemi çuar BE-së ato që BE-ja na ka kërkuar, komisionit, sasitë. Këshilli Europian i përbërë nga shtetet ku niveli i egoizmit dhe cinizmit të disa shteteve ka prekur nivele që kanë qenë të panjohura më parë, mori vendimin që sasinë e vaksinave në dispozicion ta ndajnë me njëri-tjetrin. Dhe thanë aty që çdo shtet i BE-së mund të bëjë negociata bilaterale me vendet e tjera. Nuk ka vaksina në dispozicion KE, nuk ka vaksina në dispozicion sot BE-ja që i mungoka plani ynë i vaksinimit”, u shpreh Rama.

“Ndërkohë që ne nuk i kemi kërkuar lekë BE-së, por vaksina. Ne nuk kemi kërkuar lekë. Kanë dhënë ata 70 milionë euro në dispozicion faleminderit shumë por çfarë do të blejnë ata me ato 70 milionë euro kur s’ka vaksina. Është shumë e thjeshtë”, deklaroi Rama.

“Ne sot kemi vaksina, sepse kemi siguruar kontratë bilaterale me ‘Pfizer’ dhe kjo është vetëm falë punës diplomatike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe falë kontakteve personale. Ndërsa Covax që është platformë ku ne kemi parapaguar si të gjithë të tjerët është një platformë që shpresojmë që do të fillojë të sjellë dozat por edhe aty nuk kemi nevojë për paratë e BE-së sepse ne kemi parapaguar”, shpjegoi Rama.

Kryeministri u shpreh se e kupton ambasadorin Soreca. “Mbase ambasadori për fajin tim, ka keqkuptuar ato kritikat e mia ndaj BE-së të cilave nuk i heq asnjë presje. Nuk janë kritika ndaj Komisionit Europian, të cilin ambasadori përfaqëson. Janë kritika që lidhen me disa vende që egoizmin dhe cinizmin e kanë kthyer në sistem brenda tryezës së Këshillit Europian.

Nuk u kushtonte asgjë atyre. Franca deri para pak ditësh, kishte bërë pak vaksina, ndërkohë që Franca ka shumë më tepër sa ato pak mijëra që ka e kështu me radhë. Çfarë kuptimi ka që ti të kesh sot, në një masë që ti nuk e injekton dot as me një ditë, as me një javë, as me dy javë dhe të mos i thuash këtyre 6 vendeve që janë jashtë BE-se merrni dhe ju, jo shumë, merrni nga dy mijë, nga tre mijë, nga 5 mijë dhe filloni injektoni vaksinën atyre që janë në vijën e parë dhe që punojnë 24 orë dhe janë të ekspozuar ndaj rrezikut dhe prej të cilëve kanë humbur edhe jetën. Çfarë i kushtonte, asgjë nuk i kushtonte. Kjo ka qenë kritika ime, sepse në këtë logjikë, i bie që asnjë vend i rajonit të mos ketë plan”, vijoi Rama.

“Unë di që kur Serbia mori 5 mijë doza, këtu u bë sikur Serbia kishte gjetur raketën për ta vrarë covidin brenda ditës. U hodh një dynja e tërë që ja, Serbia i mori etj. Shqipëria është vendi i dytë në rajon që fillon vaksinimin”, tha Rama. Është për të ardhur keq, vijoi ai, dëshira dhe pasioni i vazhdueshëm për ta nxjerrë me çdo kusht Shqipërinë më keq se të tjerët edhe kur Shqipëria nuk ka arsye që të ekspozohet me gojë, mes nesh në shqip keq.

“Në Maqedoni më thua që ka filluar vaksinimi, për fat të keq nuk ka filluar dhe nuk është faji i Maqedonisë. Më thua që i ka dhënë Bullgaria, ia ka thënë me fjalë 100 copë, nuk i ka dhënë akoma sepse po t’ia kishte dhënë, do t’i kishin përdorur. Dhe është fatkeqësi e madhe, pse gjithë ky pasion, gjithë ky zjarr për të folur deri në gjëra që janë të pavërteta, vetëm që Shqipëria të dalë keq”, u shpreh Rama.

“Si mund të jetë propagandë kur vaksinohet ata të cilët janë atje në Infektiv ditë natë. Ndërkohë, ne nuk jemi Gjermania, nuk jemi Franca, Anglia. Ne jemi Shqipëria dhe në këtë rast do të thotë që ne nuk kemi gjithçka në dispozicion sot, këtu. Nuk i kemi sot këtu të gjithë dozat të cilat na duhen për të vaksinuar të gjithë popullsinë, në këtë moment. Ky është një proces që do të shkojë paralel”, theksoi Kryeministri.

“Sa do të vaksinohen deri në fund të shkurtit, kjo do të varet nga sa do të kemi në dispozicion. Sot që flasim, ne kemi të kontraktuara dhjetë mijë e shtatë qind e tetëmbëdhjetë nga ‘Pfizer’ për janarin dhe 30 mijë e diçka, shkojnë 41 mijë në total, për shkurtin. Nuk llogaris këtu këto kontratat e Covax, ku ne kemi 500 mijë, por ato do të vijnë shkallë-shkallë. Kjo do të thotë që ne kemi kapacitet për të vaksinuar, deri në një numër që patjetër është i mjaftueshëm për të arritur 14-muajshin e mbylljes së ciklit të vaksinimit. Kjo do të varet nga sa të aftë do të jemi ne, që të garantojmë në kohë reale që ne të kemi sasinë e vaksinave të nevojshme. Këtu janë të gjithë ato vende që thonë do të fillojmë në shkurt, do të presim marsin, ne kemi filluar në 11 janar”, sqaroi Rama.

“Nëse ne do të flasim për Covax, ne kemi 1 140 000 nga Covax. Kur të hapet Covax do të marrin të gjithë. Ata kanë prenotuar 800 000, ne kemi prenotuar 1 140 000, të tjerët 700 000’’, u shpreh Kryeministri. “Këto janë partia e parë dhe do të vijnë të tjera, 2 mijë të tjera prapë këtë parti. Me ‘Pfizer’ por jo nga kontrata e ‘Pfizer’. Do të vijnë, sepse unë jam kryeministër”, vijoi Rama. /j.p/r.e/

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close