Lajme

Shqiptari nga Kosova futet në flakë për të shpëtuar një vajzë serbe: Të tjerët nuk guxuan

“Unë kisha vdekur dhe u ringjalla sërish”. Kështu e përmbledh Ivana mbrëmjen e 24 prillit, kur shtëpia e saj u përfshi në flakë. Atë e shpëtoi një shqiptar nga Kosova, përcjell Gazeta Express.

Ivana qëndroi në spital katër ditë, për t’u rikthyer në shtëpi më pas. Fundi i lumtur u mundësua nga guximi i Mexhidit, i cili po kalonte rastësisht kah shtëpia e Ivanës, kur atë e kishin kapluar flakës.

“Dikush po bërtiste në një ballkon. Tymi po vinte nga dritaret e poshtme. Hyra aty, por kishte aq tym, sa nuk mund ta gjeja askënd. Dola jashtë të merrja frymë dhe hyra prapë. Aty munda ta tërhiqja Ivanën deri të dritarja, por s’mund ta nxirrja jashtë. Një fqinj ma dha një leckë të lagur, hyra prapë se mendoja se ishte një fëmijë brenda. Nuk ishte. Më pas, zjarrfikësit arritën”, thuhet në rrëfimin e shqiptarit, të cilin e citon mediumi zviceran.

20 min.ch shkruan se ngjarja është edhe më e bukur, meqenëse Ivana është me origjinë serbe, ndërsa Mexhidi nga Kosova, duke përmendur se dy popujt kanë qenë në luftë.

“Ai hodhi veten në zjarr, e të tjerët do të mendonin për vetën”, ka thënë Ivana, e cila buzëqesh me ndodhinë që “një kosovar ta shpëtojë një serbe në natën e Pashkëve Ortodokse, në mes të Ramazanit”

Njëzetegjashtë vjeçari kosovar, i cili qëndroi në spital për një ditë, nuk e ka ditur origjinën e Ivanës. Por, ai thotë, se edhe po ta dinte, nuk do të ndryshonte asgjë.

“Edhe po ta dija, nuk do të ndryshonte asgjë. Kisha një jetë për ta shpëtuar, nuk ka lidhje a shqiptarë a serbe”, thotë Mexhidi. Ivana betohet se “kurrë nuk do ta zhgënjejë” djalin që e konsideron si shpëtimtar të saj.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close