Categories Lajme

Siguria ushqimore, asistenca sociale, cigaret/ Çfarë duhet të dini nga ligjet e reja që miratoi Kuvendi (VIDEO)

Në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar kaluan disa ligje të rëndësishme. Ndër to është ligji për sigurinë ushqimore që parashikon masa të rrepta deri në disa vite burg për abuzuesit. Gjithashtu u miratua dhe ligji për ndihmën sociale duke bërë kështu që vlera që do marrë secila familje të përcaktohet në bazë të nevojës.

Sa i përket ligjit për duhanin, tashmë nuk do të lejohen nargjilet (shisha) në ambiente të mbyllura, ndërsa rrugët Orikum-Llogara dhe Milot – Balldren janë dhënë me koncesion nga Ministria e Financave.

Siguria Ushqimore

Në mesin e debateve politike, në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar, në Kuvend kaluan ligje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt qytetarët, përfshirë këtu sigurinë ushqimore.  Ligji i kaluar në Kuvend, adreson disa ndryshime të rëndëisshme që kanë të bëjnë me rishikimin e dispozitave ekzistuese që lidhen me sigurinë ushqimore dhe krijimin e figurave të reja penale. Në abuzimet me sigurinë ushqimore ka parashikime për dënime më të ashpra. Deri më tani, një person që fuste lëndë të ndaluar në ushqime, edhe në rast se nga kjo vdesin persona, dënohet nga gjoba deri në 10 vjet burg. Ligji propozon që në çdo rast kjo vepër të dënohet me burg, ndërsa kur nga këto veprime janë prekur fëmijë ose gra shtatzëna, të dënohet me burgim nga dhjetë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet.  Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi i shitjeve apo vendosja në qarkullim e ushqimeve, pijeve të dëmshme, por edhe prodhimi dhe përpunimi i ushqimeve dhe pijeve në shkelje të kërkesave të legjislacionit të posaçëm dënohet me burgim deri në tre vjet.  Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shendetit ose vdekja e disa personave, fëmijëve, grave shtatzëna dënohet me burgim nga dhjetë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet. Dënim me burg do të ketë edhe për ata persona që ndërrojnë ose falsifikojnë shenjat e sigurisë të vendosura nga autoritet përkatëse në pije ose produkte ushqimore.

Ndihma sociale

Një tjetër ligj ndër më të rëndësishmit është dhe ai për asistencën sociale, që në thelb prek personat që marrin ndihmë ekonomike. Sipas ligjit të ri, nuk do të ketë më tavan për vlerën e ndihmës ekonomike, që ishte 8 mijë lekë, por vlera monetare do të përcaktohet në sajë të nevojave reale dhe të vecanta që kanë familjet e përfshira në skemë.  Reforma e re e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë ka hequr kriteret përjashtuese për përfitimin e ndihmës ekonomike përmes sistemit të digjitalizuar. Asistenca sociale përfshin, por nuk kufizohet në, ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar, ndihmën e menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura dhe përfitime të tjera, që garantohen nga ky ligj. Një tjetër lehtësim që ofron ky ligj është shmangia e burokracive, siç ëstë miratimi i listës së përfituesve nga këshillat bashkiakë duke hequr një hallkë të panevojshme tanimë që sistemi është i dixhitalizuar, pasi mosmbledhja në kohë e këshillave bashkiakë shpesh sillte vonesa në marrjen në kohë të pagesave të ndihmës ekonomike. Në ligjin e miratuar në sesionin e fundit parlamentar parashikohen gjithashtu edhe rasten kur një familje përjashtohet nga skema e përfitimit të ndihmës ekonomike për 6 muaj deri në 1 vit, që nga deklarimi i rremë deri te refuzimi i punës së përshtatshme për personat në mosha aktive pune.  Projektligji i ri për asistencën sociale parashikon kufizime në kohë të qëndrimit brenda skemës së ndihmës ekonomike, me qëllim për të nxitur përfituesit në moshë aktive pune për t’u integruar në tregun e punës nëpërmjet ofrimit të mundësive për punësim dhe formimit profesiona Këshillat bashkiakë do të vendosin krieter dhe listat e përfituesve nga fondi 6% që kanë në dispozicion për familjen që nuk përfshihen në skemën  e ndihmës ekonomike.

Cigaret

Nëse deri dje në ambientet e mbyllura të lokaleve lejohej konsumimi i nargjileve, me ligjin e ri për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, kjo do të jetë e ndaluar. I njëjti ‘fat’ si shishat, edhe për cigarette elektronike. Do të ndalohet gjithashtu shitja e produkteve të duhanit me shije karakteristike (mente, vanilje etj) si dhe shitja e paketave të duhanit me numër të reduktuar cigaresh, (paketat e vogla) si masa për të dekujaruar duhanpirjen. Madje pikat e shitjes do të jenë të detyruara të lajmërojnë Ministrinë e Shëndetësisë, për çdo produkt të ri jokarakteristik që futet në vend, duke përfshirë cigaret elektronike apo çdo produkt të tillë që do të dalë në treg vitet e ardhshme. Ndryshimet parashikojnë edhe forcimin e masave ndëshkuese në rast të moszbatimi të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit nga produktet e duhanit. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme. Aktualisht produktet e duhanit shiten në çdo supermarket dhe çdo dyqan. Ky draft pritet të çojë në monopolizimin e tregtimit të cigareve.

Rrugët

Ndërkohë, dy rrugë janë dhënë me koncesion nga Ministria e Financave.  E para është rruga Orikum-Llogara, që gjatë sezonit veror trafiku  në këtë aks kthehet në makth për turistët. Kuvendi miratoi pa votat e opozitës së re kontratën koncensionare mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe shoqërisë dhe “Gjikuria”. Kohëzgjatja e projektit është parashikuar për 13 vjet, ndër të cilat 3 vite konsistojnë në fazën e ndërtimit dhe 10 vite mirëmbajtje. Në vitin e tretë të mirëmbajtjes është planifikuar një ristrukturim i thellë i objektit. Gjithsej, vlera e projektit, që përben edhe vlerën totale të pagesave të disponueshmerisë nga buxheti i shtetit gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit, do të jetë 67 359 926 euro.

Kontrata tjetër është lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren. Kjo kontratë ngjalli debate të mëdha për koston e lartë të saj, 256 milionë euro me TVSh, por ministria ka sqaruar se nuk është fjala vetëm për ndërtimin, por në kosto përfshihet edhe mirëmbajtja për shumë vjet. Sipas dokumenteve të tenderit, kompania ANK do ta ndërtojë aksin 17.2 kilometër të gjatë nga Miloti në Balldren me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti i shtetit me këste për 13 vjet. Edhe këtë radhë, ashtu si në dy herët e mëparshme, tenderi është fituar nga kompania që ka bërë ofertën e pakërkuar të koncesionit. Më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte shprehur publikisht shqetësimet se këto koncesione kufizojnë konkurrencën duke paracaktuar fituesit.

Miratohen ndryshimet në dy ligjet e reformës në drejtësi

Pas dy vitesh pritje janë miratuar ndryshimet e  dy ligjeve e reformës në drejtësi, pasi opozita e re bashkoi votat me PS-në për të bërë kuorumin e nevojshëm, pasi me PD-LSI nuk u arrit konsensusi. Projektligji për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë dhe ai për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve u miratuan me  106 pro, 1 kundër dhe 1 abstenim. Sipas këtyre ndryshimeve të bëra në dy ligjet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, KLP dhe KLGJ do u jepet mundësia të marrin masa disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët. Ndër të tjera, u thjeshtua emërimi i të diplomuarve nga magjistratura duke ndihmuar dhe në plotësimin e vakancave nëpër gjykata. Këshilli i legjislacionit kishte më shumë se një vit e gjysmë që nuk arrinte në vendimmarrje dhe pse ekspertët e forcave politike kishin përgatitur drafte si pasojë e bojkotit të gjatë dhe në fund djegies së mandateve nga PD dhe LSI.

Gjithashtu në sesionin e fundit parlamentar u miratuan dhe  ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.  Maxhoranca pak ditë më parë u tërhoq nga neni që i kërkonte prokurorisë prova për të autorizuar arrestimin e deputetëve. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 janë reflektuar edhe në rregulloren e re të Kuvendit e cila u miratua me konsensus fillimisht në komisionin. Rregullorja parashikon masa disiplinore për deputetët që shkelin rregullat e lobimit, pranimit të dhuratave dhe konfliktit të interesit. Sa i përket shërbimit të Sigurisë në Kuvend Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prokurori dhe ambasadorët përjashton nga kontrolli fizik. Diskutimet për rregulloren e re të Kuvendit kanë zgjatur thuajse 2 vjet.

Ndryshon ligji per koncensionet

Me 84 vota pro, 1 kundër, 1 abstenim projektligjin për ndryshimet për koncesionet dhe partneritetin publik privat.  Por ku konsiston ndryshimi? Sipas këtij drafti të fundit, që është miratuar ndalohet pranimi i ofertave të pakërkuara për koncesionet, një praktikë që deri tani është ndjekur dhjetëra herë, edhe nga qeveritë e mëparshme. Kjo është kërkuar me forcë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi ai kufizonte konkurrencën, por drafti i miratuar në Komisionet Parlamentare që në shkurt ishte lënë pezull dhe dukej sikur nuk do të kalonte këtë sesion parlamentar është miratuar sot.

Ligji për mbrojtjen civile, zvogëlimi i riskut nga fatkeqësitë natyrore

Ligji për mbrojtjen civile i miratuan ditën e djeshme pritet  të zvogëlojë riskun nga fatkeqësitë natyrore dhe realizimin e mbrojtjes civile për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit, nëpërmjet forcimit të sistemit të mbrojtjes civile.

Ndërsa për në sesionin e ri parlamentar në vjeshtë u shtynë; projektvendimi për emërimin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, projektligji për ndryshimet për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, propozimi i Presidentit për Petraq Milon në krye të KLSH-s si dhe ai i 28 deputetëve për shkarkimin e Arben Malajt nga Bordi Drejtues i Bankës së Shqipërisë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë së Bashkisë Tiranë e biznesmenë (Emrat)

Disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës kanë përfunduar në prangat e policisë me urdhër të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Përplasi makinën me të cilën po transportonte emigrantët e paligjshëm dhe u largua, arrestohet italiani në Korçë

Policia ka arrestuar në Korçë një shtetas italian, Massimo Compagnone, i cili përplasi automjetin me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Del raporti, “Wiz Air” vonesa dhe anulime me 60 për qind të fluturimeve nga Tirana

Nje raport i fundit tregon se në Aeroportin e Tiranës jatë vitit te kaluar 2023…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shqiptari arratiset nga burgu në Zvicër

Një i burgosur u arratis nga burgu Uauuilermoos i Lucernit me kusht. Ai ishte dënuar…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

I riu dhunon 44-vjeçarin dhe e bën për spital, largohet nga vendngjarja me makinë!

Rreth orës 11:30, te ura e Cenit, për shkak të një konflikti për motive të…

LEXO ME SHUME