Lajme

Skandali i tokave në Spille, i vetmi i pandehur, një postier

Operacioni që në fillim të vitit u propagandua nga “Forca e Ligjit” në Policinë e Shtetit, se kishte zbuluar dhe arrestuar një bandë zyrtarësh dhe biznesmenësh, që ishin përfshirë në skemën e tjetërsimit të plazhit të Spillesë, përfshirë këtu dhe poligonin e aviacionit ushtarak, është ç’fryrë nga gjykata e Kavajës. Idlir Karkini, njeriu që nga policia u konsiderua si “peshku i madh” i rënë në rrjetën e drejtësisë, rezulton se dy javë më parë arriti të çajë rrjetën e organeve ligj-zbatuese shqiptare, duke i shpëtuar ndjekjes penale dhe arrestimit.

Rrjetën ka mundur të çajë por edhe kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i cili edhe pse u mor i pandehur nga prokuroria për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, gjykata e Kavajës ka vendosur pushimin e akuzës që në seancë paraprake, duke mos e futur fare në gjykim.

Ndryshe ka vendosur gjykata për vartësit e Nuredinit, punonjës të bashkisë Rrogozhinë për të cilët hapi rrugën e gjykimin në themel.

Njëherësh rrjetës së prokurorisë i ka shpëtuar dhe noteri i VIP-ave në kryeqytet, Julian Zhelegu, i cili kishte hartuar kontratat e shit-blerjes fiktive. Por pavarësisht kësaj akuzat ndaj tij tashmë janë pushuar.

Ndërkohë e njëjta gjyqtare, Diamela Goxha, për një postier në Kavajë, Gëzim Baçerri, i bashkëpandehur me Idlir Karkinin në një procedim penal, ka vendosur që të kalojë dosjen penale kundër tij për gjykim në themel për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Baçerri dyshohet se ka bashkëpunuar me ish-drejtuesin e hipotekës Kavajë, Said Cikalleshi, ku në një rast ka fshehur dokumentet e korrespodencës mes hipotekës së Kavajës dhe Këshillit të Qarkut Tiranë.

Deklarata e Policisë në 20 shkurt 2018

Në vijim të operacionit policor “RANISHTJA”, sot rreth orës 15:00, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, Sektori për Hetimin e Korrupsionin në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, nën drejtimin dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, si dhe në bashkëpunim me Forcat e Operacioneve të Posaçme e Agjencitë e Zbatimit të ligjit, në kuadër të procedimit penal të nr 92 te vitit 2017, finalizoi me sukses operacionin policor “Ranishjta 2“.

Kështu u arrestuan e ndaluan 8 zyrtarë publik, si dhe u shpallën në kërkim të 2 zyrtarë të tjerë.

Në bazë të hetimit pro-aktiv rreth 1 vjeçar, ka rezultuar se këta zyrtarë në bashkëpunim me njeri-tjetrin duke abuzuar me detyrën funksionale, kanë falsifikuar dhe tjetërsuar rreth 110.000 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Spille, Kavajë.

Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, rezulton se ata kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme pasuri të tjetërsuar në bregdet, nga toka pyje, tokë ranisht dhe tokë pa frut, në tokë are. Kjo sipërfaqe ndodhet në vijën bregdetare Spille, Kavajë dhe fshatrat përreth.

Për zyrtarët janë ngritur akuzat për veprat penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, “Falsifikimit të Dokumenteve” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim.

Megjithëse Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit kishte kërkuar me kohë, pranë Prokurorisë së Kavajës vendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për të gjithë të akuzuarit e mëposhtëm,

Prokuroria e Kavajës ka kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kavajë, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për zyrtarët e administratës shteterore.

– Asim Arkaxhiu, 44 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë, ish drejtori i ZVRPP, Kavajë.

– Aldo Kila, 27 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, me detyrë Jurist në ZVRPP., Kavajë.

– Shpendi Dema, 31 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Rrogozhinë, me detyrë Jurist në Bashkinë Rrogozhinë.

– Arben Daja, 51 vjeç, lindur dhe banues në Rrogozhinë, me detyrë Sekretar dhe Protokollist në Bashkinë Rrogozhin.

Për masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për:

– Julian Zhelegu, 44 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë, Noter pranë dhomës së Noterisë Tiranë.

U mor gjithashtu masa “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin Beqir Nuredini, lindur në Rrogozhinë dhe banues në Tiranë, me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë.

Për shtetasin me iniciale A. A., noter pranë Dhomës së Noterisë Durrës u mor masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publike”.

Gjykata dha masën “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin me iniciale A. K., me detyrë Inspektor i Mbrojtjes së Territorit Vendorë, Bashkia Rrogozhinë.

Janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e dy shtetasve të tjerë.

– A. T., me banim në Rrogozhinë, me detyrë Kryeinspektor i Mbrojtjes së Teritorit Vendorë, Bashkia Rrogozhinë.

– I .K., administrator i një subjekti privat.

Punonjësit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar dokumentet, duke bërë ndryshim e zërit kadastral për një sipërfaqe prej 11.000 m2 tokë në vijën bregdetare Spille Kavajë dhe në fshatrat përreth, duke e tjetërsuar nga “Tokë pa frut” në tokë “Are” dhe më pas kanë bërë ndarjen në mënyrë të kundërligjshme të kësaj sipërfaqe toke, në interes të tyre dhe personave të tjerë.

Gjatë hetimeve paraprake, dokumentohet bashkëpunimi kriminal midis ish-punonjësve të Bashkisë Rrogozhinë, të Komunës Kryevidh, dhe punonjësve tê ZVRPP Kavajë.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë krijuar në mënyre fiktive komisione për ndarjen e tokës gjatë periudhës 2015-2017 dhe kanë realizuar tjetërsimin dhe ndarjen në mënyrë të jashtëligjshme të pasurisë shtetërore, e cila ishte tokë shtetërore pa fryt në vijën bregdetare, duke e tjetërsuar në tokë are, duke e ndarë në interes të tyre dhe personave të tretë.

Përpara se të përpilonin certifikatat e pronësisë, fillimisht zyrtarët e proceduar identifikonin banorët e mirëbesuar, të cilët do të përfitonin padrejtësisht tokën.

Me pas identifikohej blerësi dhe pas këtyre veprimeve bëhej regjistrimi i menjëhershëm në hipotekë, si dhe akti i shitblerjes së pasurisë. Këto akte, në shumicën e rasteve, bëheshin pa u vënë në dijeni banorët në emrat e të cilëve përpiloheshin dokumentet e pronësisë.

Vazhdon puna për identifikimin zyrtarëve e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet Kriminal.

Njoftimi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, në 20 shkurt 2018

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë vazhdoi me fazën e dytë të hetimit, pjesë e procedimit penal të regjistruar më parë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në lidhje me ndërtimet në zonën e plazhit të Spillesë. Këtij procedimi penal i janë bashkuar edhe 4 procedime të tjera për të njëjtin fakt penal.

Deri tani në këtë hetim të vazhduar janë përfshirë gjithsej në të dy fazat 23 persona, për tjetërsimin e pronave nëpërmjet krijimit të një mekanizmi të njëjtë, duke administruar AMTP të një periudhe mbi 15 vjet, në kundërshtim me ligjin, më pas duke proceduar me konfirmimet nga zyrat e Këshillit të Qarkut Tiranë, duke fshehur dhe zëvendësuar konfirmimet e qarkut me konfirmime që parashtrojnë rrethana të rreme, nëpërmjet falsifikimit të statusit të parcelave apo pasurive të veçanta, duke i bërë pjesë e praktikës (dosjes) të aplikuesve kanë arritur t’i regjistrojnë si pasuri personave të ndryshëm.

Në vijim të hetimeve ka rezultuar se këto pasuri janë regjistruar e më pas janë tjetërsuar nga persona të tjerë, nëpërmjet shitblerjeve në një periudhë tepër të shpejtë, në kundërshtim të hapur me ligjin.

Gjithashtu janë kryer hetime dhe në lidhje me ndërtimet e 27 (njëzet e shtatë) lokaleve përgjatë vijës bregdetare, ku vetëm 4 (katër) persona (investitorë) rezultojnë të jenë banor të zonës, ndërsa të gjithë personat e tjerë janë qytetar të rretheve të tjera.

Ndërtimet e këtyre lokaleve rezultojnë vetëm mbi bazën e një aplikimi në Bashkinë Rrogozhinë, duke paraqitur vetëm një plan vendosje, kjo sipas preferencave të investitorëve, pa patur asnjë plan zhvillimor të Bashkisë Rrogozhinë.

Së bashku me procedimin penal N. 92 viti 2017 është vendosur bashkimi edhe i procedimit penal Nr.201 viti 2017. Nga ky procedim penal ka rezultuar se:

Nga ana e Komandës së Forcës Ajrore dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Rrogozhinë është bërë kallëzim penal. Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konstatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtor janë sjellë nga shtetasi Idlir Karkini, i cili ka certifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit. Në kallëzim pretendohet se kjo tokë është pronë shtetërore në pronësi të aviacionit shqiptar. Ministria e Mbrojtjes ka aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007 dhe nuk i është regjistruar kjo pronë, ndërsa në vitin 2016 kjo pronë regjistrohet në favor të Idlir Karkinit.

Nga Këshilli qarkut Tiranë jemi informuar se shkresa Nr. 2147 dt. 28. 12. 2015 e Këshillit të Qarkut Tiranë drejtuar ZVRPP Kavajë, që ka shërbyer për ndryshimin e zërit kadastral nuk është përgatitur nga Institucioni i tyre dhe nuk është dërguar në ZVRPP Kavajë. Ndërsa shkresa Nr. 5836 dt. 18. 11. 2015 e ZVRPP Kavajë nuk është dërguar fare në Këshillin Qarkut Tiranë as dorazi dhe as me postë.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë për:

Asim Arkaxhiu, Ish-Regjistrues i ZVRPP Kavajë për nenin 248-25 KP Shpërdorim i detyrës, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, vepra penale të parashikuar nga neni 248-25 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.

Aldo Kila, Jurist pranë ZVRPP Kavajë për nenin 248-25 të K. Penal (Shpërdorimi i detyrës), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, vepra penale të parashikuar nga neni 248-25 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.

Idlir Karkini, Biznesmen, për veprën penale të parashikuar nga neni 287/3 të K. Penal (Pastrim i produkteve të veprës penale), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale” me pasoja të rënda, vepra penale të parashikuar nga neni 287/3 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.

Julian Zhelegu, Noter Dhoma e Noterisë, Tiranë, për veprat penale të parashikuar nga nenet 186/3 e 248 të K. Penal (Falsifikimi i dokumenteve) dhe Shpërdorimi i detyrës), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, vepra penale të parashikuar nga neni 248 dhe 186/3 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale. Gjykata i vendosi arrest në shtëpi.

Arbër Aliu, Noter, Dhoma e Noterisë, Durrës, për veprat penale të parashikuar nga nenet 186/3 e 248 të K. Penal (Falsifikimi i dokumenteve) dhe Shpërdorimi i detyrës), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, vepra penale të parashikuar nga neni 248 dhe 186/3 te Kodit Penal, masa e sigurimit e “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, që parashikohet nga neni 242 i K. Pr. Penale me afat 3 (tre) muaj.

Beqir Nuredini, Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë për veprën penale neni 248 KP “Shpërdorimi i detyrës”, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, vepra penale të parashikuar nga neni 248 te Kodit Penal, masa e sigurimit e “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” që parashikohet nga neni 233 i K. Pr. Penale dhe masa e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, që parashikohet nga neni 234 i K. Pr. Penale.

Shpendi Dema, Juristi Bashkia Rrogozhinë për veprën penale të parashikuar nga nenet 186/3 e 248 -25 të K. Penal (Falsifikimi i dokumenteve) dhe (Shpërdorimi i detyrës), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, vepra penale të parashikuara nga neni 248-25 dhe 186/3 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.

Arben Daja, sekretar i protokollit Bashkia Rrogozhinë për veprën penale të parashikuar nga nenet 186/3 e 248-25 të K. Penal (Falsifikimi i dokumenteve) dhe (Shpërdorimi i detyrës), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, vepra penale të parashikuara nga neni 248-25 dhe 186/3 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.

Artur Tosku, Kryeinspektor Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, vepra penale të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.

Arben Kaja, Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, vepra penale të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, që parashikohet nga neni 234 i K. Pr. Penale.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close