Categories Lajme

Socialistët e fituan Tiranën me ndihmën e 27-vjeçarit Ornaldo Rakipi

Nga Gjergj Erebara

Ornaldo Rakipi, një 27-vjeçar i panjohur dhe i sapodiplomuar në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, doli nga zgjedhjet e 25 prillit si një nga kandidatët më të votuar dhe aktor vendimtar në fitoren e Partisë Socialiste në Tiranë. Ornaldo, djali i ish-deputetit Aqif Rakipi, mori gati 16 mijë vota personale në garën për Tiranën, duke përzënë nga parlamenti i ardhshëm Ervin Bushatin –kryetar i Partisë Socialiste në kryeqytet dhe gjithashtu ekonomist i arsimuar në DePaul University në Çikago, SHBA.

‘Suksesi elektoral’ i të riut Rakipi i dedikohet babait të tij, një biznesmen i zgjedhur fillimisht deputet në Elbasan në vitin 2013 për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kur kjo parti ishte në aleancë me PD. Në vitin 2017, Rakipi shënoi një rekord personal kur PDIU u bë forcë e tretë me 18% të votave në këtë qark, por fati i tij si politikan mbaroi në vitin 2018, kur ai e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Sipas Prokurorisë, Rakipi ishte kapur në Itali më 1998 për veprën penale “të marrjes së mallrave të vjedhur” me gjenealitetet SKËNDER EJYLBEGAJ. Vepra penale për të cilën është akuzuar Aqif Rakipi në Itali nuk përfshihet në listën e veprave penale që ndalojnë dikë të garojë për deputet, por mosdeklarimi i këtij problemi me drejtësinë u bë shkak për ndërprerjen e mandatit.

Gjithsesi, Rakipi nuk garoi në zgjedhjet e së dielës, ndërsa i biri, Ornaldo u reshtua në vendin e 30 në listën e Partisë Socialiste. Ai rezultoi deputeti i tretë më i votuar në Tiranë dhe një nga më të votuarit në Shqipëri, duke konkurruar edhe vetë Edi Ramën, i cili në Vlorë mori rreth 11 mijë vota pëlqyese, ndërsa në Durrës mori vetëm 100 vota më shumë se sa Rakipi në Tiranë. Votat e Rakipit duket se ishin vendimtare edhe për vetë shumicën parlamentare. Në total, Partia Socialiste mori 226 mijë vota në Qarkun Tiranë, ose 26 mijë më shumë se sa katër vjet më parë, duke rrëmbyer 18 mandate. Partia Demokratike mori 182 mijë vota ose 30 mijë më shumë se sa katër vjet më parë dhe e rriti numrin e mandateve nga 11 në 15.

Lëvizja Socialiste për Integrim mori 28 mijë vota ose gjysmën e atyre që kishte marrë në vitin 2017, ndërsa mandatet e saj ranë nga 5 në 2. PD dhe LSI së bashku u rritën me 26 mijë vota, por po me kaq vota u rrit edhe Partia Socialiste, e cila për rrjedhojë ruajti të 18 mandatet e saj. Surpriza tjetër e këtyre zgjedhjeve është Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, e cila mori një mandat në Tiranë ose 13 mijë vota.

Në Tiranë, pjesëmarrja në zgjedhje u rrit me 60 mijë vetë. Tirana ishte një nga të paktat qarqe në vend që shënoi rritje të pjesëmarrjes në zgjedhjet e këtij viti. Deputeti më i votuar në qark është Fatmir Xhafaj, ish-ministër socialist, i cili garoi në vend të 23 dhe rrëzoi me vota pëlqyese deputetin Fidel Ylli. I dyti më i votuar është Lulzim Basha me 16 mijë vota. Ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko, i cili u vendos nga Rama në vend të 19, dështoi të rizgjidhet pasi arriti të fitojë 8780 vota pëlqyese nga socialistët.

Majko u rendit i shtati mes kandidatëve të Partisë Socialiste dhe në parlamentin e ardhshëm do të ketë njëmbëdhjetë deputetë të tjerë socialistë që kanë marrë më pak vota pëlqyese se ai, por rregulli i vendosur nga Edi Rama është që një kandidat jashtë listës fituese duhet të marrë më shumë se 10 mijë vota që të mund të përfshihet në llogari.

Belinda Balluku rezultoi gruaja më e votuar në Partinë Socialiste me 15 mijë vota, ndërsa Najada Çomo do të jetë deputetja më pak e votuar mes socialistëve të Tiranës. Mes demokratëve, asnjë nga kandidatët e pjesës humbëse të listës nuk e fitoi dot mandatin e deputetit, por prezantuesja Orjela Nebiaj arriti të marrë 6 mijë vota, pra më shumë se sa shtatë deputetë të tjerë demokratë që do të jenë në parlament.

Deputeti më pak i votuar nga lista e PD rezultoi Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, PBDNJ, i cili mori vetëm 848 vota. Lulzim Basha dhe Agron Shehaj morën më shumë vota pëlqyese se sa herësi, por ata gjithsesi ishin brenda listës fituese. Grida Duma rezultoi gjithashtu një nga politikanet më popullore në Tiranë me 8691 vota.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

U gjet i vdekur nën ashensor, zbardhen detajet për vdekjen e biznesmenit shqiptar

Ende vijojnë të jetë të paqarta rrethanat e vdekjes së biznesmenit shqiptar nga Gjilani, Musah…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

FNSH dhe policia aksion ‘blic’ në Vlorë, disa të shoqëruar (Foto)

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë së bashku me policinë  zhvilluan një aksion blic në qytetin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shfrytëzonin të miturin për të përfituar para në ”Tik Tok”, Apeli lë në burg nënë e bir

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masat e arrestit me burg për Armando Kumarakun…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Jorgo Goro jep dorëheqjen nga qelia si kryebashkiak i Himarës! Zbardhet letra

Jorgo Goro, i cili u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për shpërdorim detyre,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dhunoi barbarisht një mace, procedohet i moshuari në Rrogozhinë

eagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Në lidhje me një video të postuar në…

LEXO ME SHUME