Categories Lajme

Solidaritet në kohë të vështira/ Polonia, ndihmë Shqipërisë

Ambasadori i Polonisë në vendin tonë, Karol Bachura deklaroi se sot është nisur nga Varshava autokolona me ndihmën polake për vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi. Sipas tij, ndihma polake përmban më shumë se 60 mijë litra dezinfektues sipërfaqesh dhe duarsh si dhe 600 mijë maska kirurgjikale (gjithsej gati 70 tonë mall), çka është e destinuar për spitalet dhe personat që e kanë më të nevojshme në rajon. Ndihma po përcillet nga një autokolonë trajlerash nga shërbimi zjarrfikës polak, i cili ka qenë në Shqipëri edhe në dhjetor 2019 me ndihma për të prekurit nga tërmeti i nëntorit.

Ndihma në fjalë, tha ai, u përgjigjet nevojave të ngutshme të shteteve pritëse, të shpallura midis të tjerash në kuadër të Qendrës Euroatlantike të Reagimit për Situatat e Katastrofave (EADRCC) të NATO-s në rastin e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

“Përcjellja e ndihmës është një shprehje simbolike e solidaritetit ndërkombëtar të Polonisë në kontekstin e luftës kundër pandemisë dhe pasojave të saj negative social-ekonomike. Që me fillimin e pandemisë, Polonia ka vënë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar. Detyrimi ynë moral është demonstrimi i solidaritetit dhe ndihma për të tjerët në kohë të vështira. Më herët Polonia u ka dhënë ndihmë në kontekstin e luftës kundër pandemisë mes të tjerëve Italisë, Spanjës, vendeve të Partneritetit Lindor, para së gjithash Bjellorusisë dhe Ukrainës. Janë planifikuar njëkohësisht edhe veprime të mëtejme ndihmëse. Detyrimi moral në 100-vjetorin e lindjes së Papës Gjon Pali II dhe në shenjë solidariteti me 40-vjetorin e krijimit të Sindikatave të Pavarura Solidarnost, që sollën shembjen e regjimit komunist në Poloni, shkon dorë për dore me këtë ndihmë për popullin shqiptar”, deklaroi Bachura.

Ai theksoi se pandeminë e koronavirusit po e shoqëron një intensifikim i sulmeve kibernetike dhe fushatave dezinformuese nga ana e shteteve të treta. “Po dalin shumë narrativa false që kanë të bëjnë gjoja me paaftësinë e shteteve dhe institucioneve të veçanta për të menaxhuar krizën dhe që cenojnë solidaritetin e Perëndimit, kryesisht NATO-s dhe BE-së. Shumica e tyre është transmetuar përmes kanaleve pro-Kremlin e më pas janë amplifikuar shpesh nga mediume ndërkombëtare të pandjeshme ndaj së vërtetës. Në etapat fillestare të pandemisë edhe Polonia ra viktimë e dezinformimit dhe ishte e shtrënguar t’i korrigjonte informacionet e pavërteta mbi, midis të tjerash, gjoja konfiskimin nga shërbimi doganor polak i mjeteve të mbrojtjes personale të blera nga shtete të tjera. Kundërshtimi i efektshëm i këtyre aksioneve kërkon bashkëpunim të ngushtë të shteteve aleate në kuadër të NATO-s si dhe vendeve anëtare të BE-së. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian dhe vendet anëtare janë pa asnjë diskutim dhuruesit më të mëdhenj të ndihmës, qoftë edhe në kontekstin e pandemisë së COVID-19, pavarësisht ndonjëherë narrativave të lançuara nga vende të treta”, tha ambasadori polak.

Ambasadori Bachura tha se, ndihma humanitare polake për vendet e Ballkanit Perëndimor konfirmon rëndësinë që Polonia u kushton marrëdhënieve miqësore me shtetet e rajonit, të cilat vitet e fundit kanë njohur intensifikim të mëtejshëm. “Polonia mbështet aktivisht dhe me konsekuencë shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit europian. Kjo i përket si sferës politike (Polonia është një ndër flamurtarët aktivë të politikës së zgjerimit në forumet e BE-së), ashtu edhe ndarjes me vendet e rajonit të përvojave nga periudha e negociatave të anëtarësimit në BE, përmendim këtu konferencat dypalëshe – me Tiranën, Beogradin, Shkupin”, tha Bachura.

Vitin e shkuar, shtoi ai, Polonia kryesoi Procesin e Berlinit- këtë iniciativë që mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Në kuadër të kryesimit polak, pikë kulmore e të cilit ishte Samiti i Ballkanit Perëndimor në Poznan në korrik 2019, u organizuan më shumë se 100 evente në Poloni dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, kurse Polonia dha 1.5 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës në rajon. Simbol i solidaritetit polak me shtetet e rajonit, vuri në dukje ai, ka qenë gjithashtu deklarimi nga Polonia i mbështetjes së rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit të vitit të kaluar me 2.7 milionë euro. “Këto mjete do të destinohen për qëllime që do t’i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të qëndrueshmërisë së strukturave shtetërore për situata krizash, përfshirë edhe fatkeqësitë natyrore”, shpreh ambasadori Bachura.

Ne veprojmë po ashtu, tha ai, edhe në të mirë të rritjes së aftësisë së administratës së shteteve të Ballkanit Perëndimor (veç të tjerash përmes organizimit prej vitit 2015 të “Akademisë së zgjerimit” për nëpunësit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, apo përmes pjesëmarrjes së subjekteve polake në projektet twining në rajon – deri më sot janë finalizuar 13 projekte të tilla me pjesëmarrjen polake, ndërsa dy janë ende në zhvillim e sipër: me ARRSH me pjesëmarrjen e një ekipi ekspertësh polakë, i cili synon përmirësimin e menaxhimit të infrastrukturës rrugore në Shqipëri. Pas suksesit të projektit twining me KLSH, mbyllur në vitin 2019, me objekt “Rritja e kapaciteteve të auditimit të jashtëm”, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit të Polonisë (NIK) ishte partner lider, po kjo strukturë polake, tha ambasadori, është duke realizuar një projekt të ngjashëm në Kosovë me objekt “Forcimi i mëtejshëm i impaktit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.

Jashtë vëmendjes së veprimeve nuk është lënë as rinia. “Prej vitit 2017, në bashkëpunim me fondacionin “Krzyżowa”/Kreisau foundation (Stiftung Kreisau für Europäïsche Verständigung) për Mirëkuptimin Europian dhe me Ambasadën e Republikës Federale Gjermane në Varshavë, por edhe me pjesëmarrjen e Përfaqësisë së Komisionit Europian, Ministria e Punëve të Jashtme të Polonisë organizon çdo vit seminarin për të rinjtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Polonisë dhe Gjermanisë me temë “Kujtesë, mirëkuptim, e ardhme”’, tha Bachura.

Në kuadër të kryesimit polak të Procesit të Berlinit, vendet e Ballkanit Perëndimor u përfshinë në ofertën e bursave të Polonisë, në kuadër të të ashtuquajturit Programi Banach, bëhet fjalë për ofertën e kryerjes së studimeve stacionare në Poloni, në degët inxhinierike-teknike, agrare si dhe shkencave ekzakte dhe të natyrës. Kemi financuar, tha ambasadori, njëkohësisht 6 bursa në Kolegjin Europian në Natolin nga një për secilin vend të Ballkanit Perëndimor.

“Polonia merr pjesë aktive në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, përmes kontigjenteve Ushatarake Polake në kuadër të KFOR në Kosovë si dhe operacioneve ERUFOR/ALTHEA në Bosnjë-Hercegovinë, përmes shërbimit të njësive të Policisë Speciale Polake në kuadër të EULEX në Kosovë, apo në mbështetje të Policisë Kufitare të Maqedonisë së Veriut ( në vitin 2019 u organizuan 12 misione ku në secilin u angazhuan 30 funksionarë të Policisë Kufitare bashkë me dhurim pajisjesh”, tha ambasadori.

Kemi mbështetur gjithashtu financiarisht, u shpreh ai, programe që kanë për qëllim luftën kundër trafikut ilegal të armëve, apo luftën kundër korrupsionit në rajon. “Policia Kufitare Polake, po përmbush në Shqipëri, si pjesë e agjencisë FRONTEX, misionin me objekt “Aktivitete Operacionale Fleksibël në Ballkanin Perëndimor”. Ushtarët polakë, krah për krah me forcat e armatosura shqiptare, shërbejnë në misionet e NATO-s në Letoni, Afganistan, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë”, deklaroi ambasadori.

“Marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, vuri në dukje ai, do të jenë një ndër elementët thelbësorë të presidencës polake të Grupit të Vishegradit që nis më 1 korrik 2020. “Politika e zgjerimit të BE-së si dhe mbështetja për transformimin politik, ekonomik dhe social të rajonit duhet të mbeten prioritet strategjik i BE-së, pavarësisht pandemisë. Ne presim prezantimin nga Komisioni Europian në vjeshtën e këtij viti të “Planit të rimëkëmbjes ekonomiko-investuese të për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ambasadori polak.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë së Bashkisë Tiranë e biznesmenë (Emrat)

Disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës kanë përfunduar në prangat e policisë me urdhër të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Përplasi makinën me të cilën po transportonte emigrantët e paligjshëm dhe u largua, arrestohet italiani në Korçë

Policia ka arrestuar në Korçë një shtetas italian, Massimo Compagnone, i cili përplasi automjetin me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Del raporti, “Wiz Air” vonesa dhe anulime me 60 për qind të fluturimeve nga Tirana

Nje raport i fundit tregon se në Aeroportin e Tiranës jatë vitit te kaluar 2023…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shqiptari arratiset nga burgu në Zvicër

Një i burgosur u arratis nga burgu Uauuilermoos i Lucernit me kusht. Ai ishte dënuar…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

I riu dhunon 44-vjeçarin dhe e bën për spital, largohet nga vendngjarja me makinë!

Rreth orës 11:30, te ura e Cenit, për shkak të një konflikti për motive të…

LEXO ME SHUME