Lajme

Spanja në mëshirën e stuhisë! Tre të vdekur, tre të zhdukur dhe fatkeqësi të panumërta

Të paktën tre persona kanë vdekur dhe po aq janë të zhdukur, me një djalë 10-vjeçar të shpëtuar duke u ngjitur në një pemë, pasi shirat e rrëmbyeshëm në Spanjë përmbytën rrugët, shinat e metrosë dhe linjat hekurudhore pas muajsh thatësire.

Helikopterët u dërguan për të shpëtuar njerëzit që ishin strehuar në çatitë e shtëpive të tyre në Toledo, rreth 50 kilometra në jugperëndim të Madridit.

Shiu, i cili filloi të binte të dielën, i ktheu rrugët në lumenj balte dhe lau makinat dhe kazanët e plehrave në Madrid, Castile-La Mancha, Katalonjë dhe Valencia. Në shumë zona ra breshër.

Tre persona u vranë në periferi të Toledos, ku shërbimi i motit AEMET regjistroi një reshje rekord prej 90 litrash për metër katror të dielën. Një nga viktimat ishte një i ri i cili ishte bllokuar në një ashensor i cili ishte mbushur me ujë. Një tjetër ndodhej brenda makinës së tij që u rrëmbye nga ujërat e vrullshëm. I treti është një 50-vjeçar, i cili më herët u raportua i zhdukur. Ai u gjet i vdekur pasditen e sotme, në një lumë pranë qytetit ku jetonte, Camarena.

Shërbimet e urgjencës në rajonin e Madridit u thirrën në 1200 raste gjatë natës. Policia dhe zjarrfikësit po kërkojnë për një burrë në fshatin Aldea del Fresno, në jugperëndim të kryeqytetit. Ky burrë ishte me djalin e tij në makinën e tyre që u përfshi në lumin Alberce. Fëmija 10-vjeçar ka shpëtuar pasi ka arritur të ngjitet në një pemë.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë gjithashtu një grua që u zhduk në rrethana të ngjashme në Toledo dhe një burrë 84-vjeçar që u përfshi nga një rrëshqitje dheu në Villamanada, në perëndim të Madridit.

Shumë rrugë në rajonin e Madridit janë mbyllur pasi të paktën gjashtë ura janë rrëzuar nga tejmbushja e ujërave të lumenjve.

Departamenti i Mbrojtjes njoftoi se ka dërguar inxhinierë të ushtrisë për të ndërtuar një urë portative në Aldea del Fresno, pasi ura ekzistuese u la.

Shumica e linjave të metrosë, të cilat u mbyllën herët në mëngjes në Madrid, tani funksionojnë normalisht. Ka edhe disa rrugë treni nga Madridi në Andalucía, por trenat lëvizin me shpejtësi shumë më të ulët për arsye sigurie.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close