Categories Lajme

Sporti, dasmat dhe funeralet, transporti publik, Rama flet se si do veprohet

Disa aktivitete do të vijojnë të jenë të mbyllura edhe pas kësaj jave. Kryeministri Edi Rama tha se pas kësaj jave hapet gjithçka përveç aktiviteteve kulturore, sportive, dasmave dhe funeraleve.

Po ashtu Rama tha se transporti publik nuk do të hapet menjëherë, por duhet të presë edhe pak.

”Kjo është java e fundit e masave kufizuese. Me përjashtim të aktiviteteve kulturore e sportive, ku do mungojnë spektatorët, dasmave e funeraleve ku nuk do të mblidhen qindra njerëz, transporti publik i mbyllur edhe për pak, si dhe plazhet që do kenë një kornizë sigurie.”- tha Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në atë që e quajti komunikimin e fundit në lidhje me pandeminë e COVID 19, tha se Shqipëria është sot një histori suksesi dhe një gjë të tillë e tregojnë rezultatet.

Në këtë pikë, ai tha se po të kthehej pas të shihte tek gjërave që ka bërë gabim, nuk do t’I kishte kthyer përgjigje komenteve fyese në Facebook. E duke u ndalur tek rrjetet sociale, Rama iu kërkoi ndjesë atyre që mund të ketë lënduar.

“Gazrat e fodullëkut opozitar i mori era, ajo që mbetet sot është e shënuar në historinë e përbashkët të kësaj kohe fatkeqësie për njerëzimin është rezultati, bilanci, të cilin brrockullat e të paditurve nuk e zhbëjnë dot. Asgjë, asnjëherë nuk është e përsosur, asnjë qeveri dhe asnjë lider s’ka shmangur dhe s’mund të shmangin dot vendime të gabuara, kritika apo masakrime publike për një vendim të caktuar, sidomis në kushte si këto kur koha nuk pret. Edhe më të lavdishmit po të ngjalleshin edhe njëherë, jo me të zakonshmit si unë, po të kthëheshin pas do gjenin gjëra për të mos u përsëritur. Nuk e kam analizën e kësaj faze me skuadrën por nëse do kthehesha pas nuk do iu përgjigjesha më komentatorëve brutal në faqen time”,- tha ai.

Kryeministri shtoi se, “Nuk di ta bëj këtë punë pa pasion, gjak, për bindjet e mia dhe të vërtetat e mia. I mbroj ato me forcë. Për shumëkënd mund të duket arrogancë, por ajo që di me siguri është se unë nuk vras, vjedh shantazhoj, shpif, nuk zdërhallem për qejfet e mia rrugëve të botës, unë nuk punoj për të jetuar por jetoj për të punuar. Sikur mos e shifja këtë si mision për të ndihmuar sa më shumë njerëzit, kuruar sa më shumë nga plagët këtë vend, s’do e duroja dot lukuninë e faunës dhe xhunglës sonë mediatike. S’kam lindur në kallëp politikani dhe as do vdes, s’dua të jem politikani as kryeministri tipik…jam nisur vetëm nga qëllimi i mirë, për të mbrojtur bindjen e qeverisë dhe aspak për të lënduar ndokënd. Nëse dikush është lënduar i kërkoj ndjesë nëse, nuk u ndje mirë nga komunikimi pa dorashka”.

Komunikimi i plote

Mirembrëma!
Të dashur miq, motra e vëllezër,
Ky është komunikimi im i fundit ekskluzivisht për luftën që zhvilluam bashkarisht deri këtu, me atë që botërisht u quajt Armiku i Padukshëm, virusi Covid-19. Por, ju lutem dëgjojeni mirë, ai as ka ikur e as është mundur përfundimisht! Numrat në Tiranë sic po i ndiqni ditët e fundit nuk po flasin mirë.
Shfaqjet politike me turma rrugëve të vendit, pa asnjë lloj mase mbrojtëse, po përkundrazi, me një karshillëk që flet në rastin më të mirë për papërgjegjshmëri, dhe në rastin më të keq, për dritëshkurtësi, po vazhdojnë edhe përtej të tretave të karakatinës së Teatrit Kombëtar. Sa për të mbledhur firma vetëdiskredituese për pseudoaktorë teatri, që janë thjesht marioneta politike në funksion të një lëvizje, partie të re, e sa për të luajtur teatrin e halleqarjeve të bizneseve që medemek s’paskan marrë asnjë kacidhe nga qeveria, po luhet në fakt me zjarrin e me shëndetin e popullit.
Bëni kujdes o njerëz, kujdes, kujdes, kujdes, se s’ju vjen asnjë e keqe nga meraku e nga kujdesi im, edhe në qoftë i tepruar, pasojat e kësaj që hoqëm deri këtu do t’i kalojmë, edhe nervozizmat për shtrëngesat e mbetura akoma tek – tuk do t’i harroni, po me shëndetin e me jetën tuaj e të familjes nuk luhet e ka kush e ka, si me fajin për masat shtrënguese… Atë ma lini mua, s’ka problem, shani e shfryni sa të doni, po rrezikun e infeksionit mos e përqeshni dhe as mos e neglizhoni, sepse është real dhe mund të bëhet vrastar!
Unë lus Zotin përditë dhe uroj megjithë zemër të mos turpërohemi pasi përballuam më të keqen, e të mos ridetyrohemi larg qoftë të mbyllemi, si rezultat i moskokëçarjes a mendjelehtësisë së atyre që duke refuzuar ta pranojnë ekzistencën e rrezikut, mund të hapen si vaji në lakra në kushtet e hapjes përmes heqjes së kufizimeve. Jam shumë në merak dhe po ju’a përsëris, kjo fazë ku kemi hyrë është shumë delikate pikërisht sepse mund ta harrojmë që virusi as ka ikur, as është mundur përfundimisht.
Sidoqoftë, dua t’ju falenderoj me mirënjohjen më të thellë për sjelljen e përgjegjshme, si njerëz e si qytetarë, në respekt e mirëkuptim të plotë të masave ekstreme që morëm. Bashkarisht ia kemi dalë deri këtu faqebardhë një luftë, ku gjërat mund të kishin shkuar për dreq, nëse qeveria nuk do të kishte qenë në lartësinë e detyrës dhe populli shqiptar në lartësinë e kësaj sfide globale nervash.
Zërat e atyre që kanë sy po s’duan të shohin, kanë veshë po s’duan të dëgjojnë, kanë tru po s’duan të mendojnë, – nuk munguan. Por, fatmirësisht jo vetëm ishin shumë pak, por njëkohësisht, përtej fjalëve të kota, dokrrave të panumërta,  fyerjeve, sharjeve, mallkimeve, nuk u kthyen në thyerje problematike të masave, përveçse në raste krejt të pakta e sporadike. Kjo është java e fundit e masave të mbetura kufizuese të lëvizjes.
Po ashtu, me përjashtim të aktiviteteve kulturore e sportive, ku ende do të mungojnë spektatorët; dasmave e funeraleve, ku ende s’do të mund të mblidhen qindra njerëz bashkë; transportit publik, që do rrijë mbyllur edhe për pak dhe plazheve, ku duhet e do të ketë të ketë një kornizë rregullash sigurie, gjithçka tjeter do të jetë e hapur njësoj si më parë.
Ndërsa sjella individuale e secilit, e përsëris dhe do vazhdoj ta përsëris, nuk duhet të jetë njësoj si më parë, sepse pastaj një vale e re infeksioni, ndoshta edhe më agresive se e mëparshmja, nuk do të vonojë! Tjetër gjë nëse, siç thonë, vala e re do të vijë me të ftohtin e nuk do të jetë rezultat i papërgjegjshmërisë sonë. Atë s’e kemi në dorë dhe në ardhtë, do ta përballojmë me patjetër! Nga ana jonë, qeveria, ne po vazhdojmë të përgatitemi, për të fuqizuar sistemin e për të qenë gati në rast të një vale të re. Tanimë edhe struktura e re spitalore, pranë autostradës Tiranë-Durrës është rindërtuar me standartet e një spitali pritës për të mbështetur reanimacionin dhe po pajiset me të gjithë logjistikën e nevojshme.
Mjekët dhe infermierët, njerëzit tanë na bënë krenarë, u treguan jo vetëm heronj të vërtetë, po edhe profesionistë fantastikë dhe dua tua them, më falni, por jam i lumtur që me këtë rast u dhanë një përgjigje dërrmuese, të gjithë dhunuesve që prej 30 vjetësh u  kanë nxirë jetën me sharje, akuza, thashetheme e deri edhe me grushta në spitalet ku ata kanë mbrojtur e shpëtuar qindra, mijëra jetë njerëzish, në këto tre dekada të vështira.
Mos e harroni, falë tyre Shqipëria dhe emri “shqiptar” fitoi një qytetari të re në Italinë fqinje dhe qindar mijëra bashkëatdhetarët që jetojnë, punojnë e studiojnë në vendin mik, u ndjenë si kurrë më parë krenarë në sytë e fqinjëve të tyre italianë dhe kurrë më nuk do të paragjykohen nga askush, për shkak të emrit “albanese”.
Mirënjohje pafund dhe padiskutim edhe një borxh i kësaj shumice qeverisëse ndaj mjekëve dhe infermierëve! Do të bëjmë çmos ta përmbushim sa më mirë më tutje, edhe pse nuk e shlyejmë asesi detyrimin njerëzor e qytetar, për çka ata bënë heroikisht në këtë kohë të mallkuar për shëndetin e njerëzve të këtij vendi. Më vjen mirë, le të hidhet përpjetë kush thotë të kundërtën, më vjen aq mirë sa s’ka, që kjo kohë që tronditi botën dhe ky armik që si askush në historinë e njerëzimit, i mbylli brenda tërë popujt e botës dhe i vuri drynin pjesës më të madhe të ekonomisë planetare, nuk na gjeti me spitalet e qoftëlargëta të vetëm pak viteve më parë; me pavionet pa ilaçe, pa instrumenta mjekësorë, pa aparatura funksionale, pa sisteme ngrohjeje, e deri pa çarçafë e batanije të mjaftueshme dhe pa një banjo të vetme pa rrjedhje ujrash të bardha, të zeza e të verdha njëkohësisht… Nuk na gjeti as pa mjetet speciale mbrojtëse të heronjve të vijës së zjarrit, e as pa respiratorët aq të kërkuar botërisht e aq të nevojshëm për të gjithë pacientët në stadin e fundit të betejës me sëmundjen vdekjeprurëse.
Llafet e tepërta, akuzat e sajuara për lojën e ulët të traditës mizerabël të jetës politike të këtij vendi, avazin e përsëritur dhe gazrat e radhës së fodullëkut pseudopozitar, i mori era, njësoj si tymrat e makinave dhe ndotjen e ajrit që i pastroi karantina. Ajo që mbetet sot e shënuar në historinë e përbashkët të kësaj kohe fatkeqësie të jashtëzakonshme natyrore për njerëzimin, është rezultati, është bilanci ynë tejet pozitiv i një beteje për jetë a vdekje, të cilin brutaliteti i të paditurve dhe broçkullat e të paduruarve, as nuk e zhbëjnë dot, as nuk e zhvlerësojnë dot në gjykimin e popullit e të kohës jo e jo.
Asgjë asnjëherë nuk është e përsosur. Asnjë qeveri dhe asnje lider askund, qyshse ka lindur shteti, nuk kanë qenë e s’mund të jenë të pagabueshëm e pa të meta. S’kanë shmangur e s’mund të shmangin dot  vendime të gabuara, e jo më pastaj kritika e madje edhe masakrime publike, për qasjen ndaj një problemi,  gjykimin mbi një çështje publike apo vendime të caktuara gjatë qeverisjes – sidomos në kushte si këto kur koha nuk pret. Të gjithë pa përjashtim, edhe ata më të lavdishmit  në historinë e përbotshme të politikës po të ngjalleshin edhe një herë, e jo më të zakonshmit e kësaj bote,si puna ime  po të ktheheshin mbrapsht, me siguri do të gjenin plot gjëra për të korrigjuar, ndryshuar apo për të  mospërsëritur.
Në këtë rast, nuk e kam ende të plotë analizën që si gjithmonë i bëj vetes e punës sime dhe ende nuk e kemi bërë as me skuadrën e qeverisë e të deputetëve tanë, analizën e kësaj faze. Por nëse do të kthehesha mbrapsht, nuk do t’u përgjigjesha më plot komentatorëve fyes, brutalë, kotmëkotistë të faqes sime në Facebook! Unë nuk di ta bëj këtë punë kaq të rëndësishme për një vend e një popull të tërë, pa pasion, pa gjak kur i thonë, pa luftë për bindjet e mia e për të vërtetat e mia. I mbroj bindjet e mia me forcë dhe të vërtetat e mia pa rezervë, e kjo për shumëkënd edhe nga mënyra se si unë e bëj këtë mund të duket arrogancë – mbase edhe është nuk e di! Po ajo që di me siguri, duan s’duan e po të duan le të hidhen përpjetë ata që bërtasin për të kundërtën, është se unë nuk vras, nuk vjedh, nuk shantazhoj, nuk shpif, nuk fle para të tjerëve, nuk zgjohem pas të tjerëve, nuk zdërhallem për qejfet e mia lokaleve të Tiranës apo rrugëve të botës dhe shkurt fare, unë nuk punoj për të jetuar, po jetoj për të punuar!
Sikur të mos e jetoja këtë punë, si një mision për vendin e stërgjyshërve, të gjyshërve dhe fëmijëve të fëmijëve të mi, si një privilegj të jashtëzakonshëm për të ndihmuar sa më shumë njerëzit dhe kuruar sa më shumë nga plagët e panumërta të së shkuarës, të këtij vendi nuk do ta duroja dot një minutë, jo me vite e vite, lukuninë e faunës së larmishme të xhunglës sonë politike e mediatike. As kam lindur në kallëpin e politikanit dhe as dua të vdes brenda atij kallëpi. Nuk jam dot, por as dua të jem, politikani profesionist që ka një fytyrë kur ndizen kamerat dhe një fytyrë tjetër kur fiken kamerat.
Nuk jam dot as kryeministri tipik që njerëzit e të gjitha kategorive e ngjyrave i sheh thjesht si blloqe elektorale dhe e ka profesionalisht të lehtë që ti lerë mënjanë hallet, mendimet, komentet e tyre, kur i shkruajnë. Por duke e vënë re se shumëkujt përgjigjet që u jap atyre që më hidhen në fyt, sipas meje pa të drejtë, jo për mua, por për cështjen u duken  ironi dhe arrogancë aq më tepër në këtë kohë kur si asnjëherë, ishim të tërë në të njëjtën varkë ndjehem në faj!  Pavarësisht se jam nisur vetëm nga qëllimi i mirë për të mbrojtur bindjen, për sqaruar pozicionin tim e të qeverisë në një hapësirë publike siç është Facebook, e aspak për të lënduar ndokënd, aq më pak për tu grinder me këtë dhe me atë  kërkoj ndjesë kujtdo që direkt apo indirekt mund ta kem bërë padashje, të ndjehet jo mirë nga komunikimi im pa dorashka.
E meqë jemi tek Facebook, dua të bëj një sqarim për të tërë ata që u ankuan e ankohen për kompetencat që Facebook-u im i mori shtetit dhe që gabimisht mendojnë, se vendimet e kësaj periudhe ishin thjesht postime Facebook-u të Naltgjatësisë sime.  Asgjë që unë kam postuar në Facebook, s’ka qenë e pavendosur më parë në rrugë zyrtare madje e shkruar në aktet zyrtare të shtetit, gjatë gjithë periudhës se luftës me Covidin. Asgjë. Faqja ime thjesht ka shërbyer për ta përshpejtuar dhe zgjeruar hapësirën e shpërndarjes së informacionit, mbi vendimet e marra hap pas hapi, te cilat për vetë natyrën e kësaj lufte, ashtu si në gjithë botën, kanë qenë të shumta e shpesh kanë ndryshuar ditë pas dite. Si do të bëhej kjo vetëm me mediat tradicionale?
Shqipëria sot, duan s’duan ta pranojnë disa, është një histori suksesi në mes jo shumë pak të tjerave, në hartën e kësaj lufte të përbotshme. Do të bëj dhe duhet të bëjmë çmos që rikthimi në normalitet, të mos na kthehet, largqoftë, në një bumerang, por normalizimi do të vazhdojë. Të hënën 1 qershor do të hapim kopshtet e çerdhet. Do të hapim kufijtë tokësorë të vendit. Do të hapim qarkullimin e makinave në të gjithë vendin dhe natyrisht edhe plazhet do të jenë të hapura. Por nuk do të lejojmë asnjë subjekt privat, përveç hoteleve, të vendosë çadra e shezllonë në hapsirën ranore pa autorizimin e posaçëm që do të dalë këto ditë, bashkë me formën e aplikimit për subjektet. Kjo do të jetë java e fundit e zonave me ngjyra, e zonave të kuqe dhe kjo fundjavë do të jetë e fundit me ndalim kalimi përtej kufirit të cdo zone të kuqe. Detajet të premten, kur të dalë urdhëri zyrtar i autoriteteve të shëndetësisë dhe kur unë me këtë faqe të shpërndaj sa më shumë informacion mbi të.
 Të dashur miq, ju falenderoj edhe njëherë me shumë mirënjohje për gjithcka dhatë nga vetja deri këtu dhe edhe njëherë ju lutem të bëni kujdes, tanimë kur gjithcka varet nga secili prej jush. Unë dhe kjo qeveri do të vazhdojmë punën ditë-natë, e shumë shpejt do t’ju prezantojmë Planin e Përgjithshëm të  Rimëkëmbjes Ekonomike, i cili po merr formë me ambicien që jo vetëm të zhdukim pasojat e kësaj kohe dreqi, por edhe të dalim më të fortë nga kjo vuajtje e paparashikuar kolektive. Do të investohemi me të gjithë energjitë tona dhe do ta shikoni që ashtu sic qysh prej fillimit të qershorit, do të fillojnë të hapen njëri pas tjetrit dhe në vijim kantieret e Rindërtimit dhe deri në fund të vitit, shumë njerëz të prekur nga tërmeti do të hyjnë në shtëpi të reja, asjtu sikundër kantiere lagjesh të reja do të jenë të hapura, ne do të projektojmë e realizojmë hap pas hapi edhe një plan investimesh që do të injektojë shumë fuqi në ekonominë e vendit, do të krijojë plot mundësi të reja për punësim, do të zgjerojë frymëmarrjen e organizimit të këtij vendi, që është goditur fort, po nuk është rrëzuar. Përkundrazi, si sot viti, të gjithë do ta kuptojnë se nga kjo goditje, ne do të bëhemi më të fortë dhe uroj shumë, më të mirë me dhe për Shqipërinë.
Në mbyllje, më vjen mirë që megjithë vështirësitë e mëdha të sistemimit të aplikimeve shpesh të bëra me gabime, e për këtë shkak të edhe vonuara, janë aktualisht 64 mijë e 964 individë që kanë marrë dy paga lufte, e do të marrin edhe të tretën nga Paketa e Parë dhe plot 109 mijë e 664 të tjerë që kanë marrë 400 mijë lekët e Paketës së Zgjeruar. Ndërkohë janë shqyrtuar me shumë vëmendje e dashamirësi, mijëra raste që për një arsye a një tjetër, nuk i kanë marrë 400 mijë lekët, në radhë të parë për neglizhencën e pajustifikueshme dhe te pakuptueshme të pronarëve të bizneseve të tyre, kompani mbi 140 mijë dollarë xhiro. Nuk do t’i lemë vetëm kurrësesi. Shumë shpejt ata do të kenë në llogari 400 mijë lekët, sepse unë them atë që bëj dhe bëj atë që them.
Faleminderit!  Edhe njëherë rrofshi për luftën, durimin, mirëkuptimin dhe padiskutim, më të mirën e kemi ende përpara, por duart mos harroni t’i lani sa më shpesh sepse ai nuk ka ikur.​

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

“Nuk jam krenar!”, Rama i kërkon ndjesë publike ish-deputetit të PD Mark Marku për ironinë me emrin e tij gjatë fushatës zgjedhore

Ish deputeti i Partisë Demokratike Mark Marku, shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Mark…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Emri/ Grabiti katër banesa në Shëngjin, arrestohet 47-vjeçari! Çfarë iu gjet në banesë

Komisariati i Policisë Lezhë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”. Zbardhen…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Emri/ Dogji me benzinë tri automjete: Zbardhet ngjarja në Shkodër, arrestohet autori

Prokuroria Shkodrës në bashkëpunim me Policinë vendore kanë zbardhur rastin e djegies së 3 automjeteve,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

IKMT nis prishjen e ndërtimeve pa leje në Velipojë

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka zbarkuar në orët e para të mëngjesit në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dimër në mes të pranverës, zbardhet juglindja e vendit

Në zonat e thella malore të juglindjes së vendit kanë qenë të pranishme reshjet e…

LEXO ME SHUME