Lajme

Studimi: “Lustracioni në Shqipëri”, nevoja urgjente për t’u ndarë nga diktatura dhe nga Sigurimi i Shtetit

Në Tiranë sapo është botuar studimi “Lustracioni në Shqipëri, e shkuara dhe e ardhmja” i autorit Ilir Kalemaj me mbështetjen e OSBE-së. Studiuesi arrin në përfundimin që Shqipëria ka nevojë të ngutshme për një ligj të ri të lustracionit, edhe pse kaluan tre dekada nga përmbysja e regjimit komunizmit. OSBE prej shumë vitesh mbështet përpjekjet e shoqërisë shqiptare për drejtësinë tranzitore, si dhe për zhvillimin e dialogut kombëtar mbi shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist. Gjatë viteve të diktaturës komuniste shoqëria shqiptare vuajti, vec të tjerash edhe nga dhuna e Sigurimit të Shtetit dhe mekanizmave shtetërore të dukshme apo të fshehta.

Por 3 dekada në demokraci Shqipëria dështoi t’i mbante larg njerëzit e këtyre strukturave shtypëse nga zyrat e institucioneve të reja të demokracisë. Pas studimit të një morie intervistash, anketash dhe sondazhesh të bëra rishtas, studiuesi Ilir Kalemaj, thotë se lustracionika nisur 3 herë rrëmujshëm në 95, 98 dhe në 2008, por asnjëherë nuk u krye. Procesi dështoi sepse nuk u gjet një mekanizëm i efektshëm që ta ndante Shqipërinë nga e kaluara dhe të mbyllte tranzicionin politik nga diktatura në demokraci dhe në fakt shumë shërbëtorë të diktaturës tani gjenden në të gjithë administratën shtetërore të institucioneve demokratike.

“Këtu ka munguar vullnetii politik, pra nuk ka patur asnjëherë një vullnet të mirëfilltë politik për ta kryer këtë proces nga fillimi deri në fund, as një dakordësi politike dhe as një vullnet të sinqertë. Nuk bëhet fjalë për një ligj të thjeshtë lustracioni, as për një paketë ligjore që të kryejë lustracionin, por bëhet për të patur vullnetin politik për t’u ndarë nga e kaluara, për të dënuar moralisht krimet e komunizmit dhe sistemin totalitar, dhe për të mbyllur tranzicionin në mënyrë të plotë. Mungesa e vullnetit politik është thembra e Akilit në rastin shqiptar” – thotë autori Kalemaj.

Studimi thekson se për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin që të përmbyllë tranzicionin shqiptar, nevojitet një konferencë mbarëkombëtare, ku të sjellin përvojat e tyre organizata si OSBE, bazuar në shembujt më të suksesshëm nga vendet ish komuniste të Europës lindore. Sondazhet përfshinë historianë e studiues, sociologjisë e diplomatë, drejtues institucionesh, publicistë dhe ish-të persekutuar politikë. Një pjesë e tyre dyshojnë për shkatërrim të dosjeve sekrete, një pjesë tjetër kanë shpresë se drejtësia do të bëhet më në fund dhe njerëzve të diktaturës do t’u vihet një kufi, disa janë për një ndalim me ligj të inflitrimit të tyre në administratë, disa thonë se pas 30 vjetësh koha ka fshirë shumë shumë plagë të viktimave dhe shumë krime të persekutorëve. Por studiuesi Kalemaj thotë se asnjëherë nuk është vonë për të bërë drejtësi dhe për të forcuar institucionet demokratike. Përmbylja e këtij procesi lustracioni do të fuqizojë shtetin e të drejtës në Shqipëri, thotë ai.

“Sot shifrat na tregojnë që bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit ishin jo 15 mijë vetë, si thuhej më parë, por dhjetëfishi i tyre, rreth 150 mijë. Një pjesë e mirë e nomenklaturës politike është ende aktive, edhe në sistemin gjyqësor ka vazhduar të jetë edhe pas viteve 90. Por nuk është vonë, sepse Shqipëria duhet ta kryejë këtë proces moralisht për viktimat e persekucionit komunist, për ata 500 mijë shqiptarë që kanë qenë të dënuar me burg, të torturuar dhe në kampet e internimit” – thotë zoti Kalemaj.

Pasi zbulon një informim mjaft të pakët të publikut për lustracionin, studimi propozoi edhe rishikim të programeve shkollore e për të bërë dekomunistizimin dhe dënimin e krimeve të regjimit totalitar. Shoqëria shqiptare vazhdon të bashkëjetojë me autorët dhe zbatuesit e diktaturës komuniste dhe në 30 vjet nuk u dënua asnjë prej tyre për mijëra vrasje, plagosje e vuajtje që iu shkaktuan shqiptarëve, ndërsa struktura famëkeqe e Sigurimit të Shtetit konsiderohet nga shumë autorë jo vetëm si një organizatë e mbijetuar në fshehtësi gjatë tranzicionit, por madje me veprimtari të zgjeruar në administratë dhe fusha të tjera të jetës së vendit, e cila vazhdon të kërcënojë viktimat që të mos hapin gojën për të denoncuar dhe shantazhojnë bashkëpunëtorët e penduar me dokumenta kompromentuese.

Në studim thuhet se askush nga komunizmi enverian ende nuk i kanë kërkuar ndjesë viktimave dhe shqiptarëve për atë diktaturë kriminale. Pa një proces lustracioni nga postet drejtuese të shtetit shqiptar të atyre që janë përlyer me krime gjatë diktaturës, që kanë hartuar e zbatuar platformat sekrete të Sigurimit të Shtetit, që janë marrë me hetimin e dënimin për ‘krime të opinionit e mendimeve’, dhe me dëshmi të rrema, nuk mund të flitet në Shqipëri për demokraci të vërtetë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: