Një histori komike dhe e rrallë ka ndodhur në Turqi. Bëhet fjalë për Beyhan Mutlu, një 50-vjeçar i cili u shpall në kërkim nga familja dhe policia pasi prej orësh ishte zhdukur. Mediat turke shkruajnë se në kërkim të 50-vjeçarit, ishte edhe vetë 50-vjeçari.
Në gjendje të dehur, ai nuk e kishte idenë se kush po kërkohej, por iu bashkua nismës humane. As policët qark tij nuk e kishin vënë re burrin pranë tyre. U desh që një nga policët të thërriste emrin e tij gjatë kërkimit, që 50-vjeçari të reflektonte.
Pasi dëgjoi zërin, Mutlu mësohet të ketë thënë “Unë jam këtu”, duke bërë që të gjithë të mblidhen pranë tij. Më pas policia ka shoqëruar burrin në shtëpi. Mësohet se ai kishte dalë me shoqërinë, por duke qenë se kishte pirë shumë, nuk kishte arritur të shkojë në shtëpi.