Lajme

Tensionet/ EULEX: Nuk kemi kapacitete për t’i hequr barrikadat në veri të Kosovës!

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX, ka thënë se ata nuk kanë as mandat dhe as aftësi për të hequr fizikisht barrikadat në veri të vendit.

Megjithatë, EULEX-i tha se të gjitha barrikadat janë të paligjshme dhe se ato duhet të hiqen menjëherë, teksa shtuan se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë shqetësuese dhe e tensionuar.

“Të gjitha barrikadat janë të paligjshme dhe ato pengojnë lirinë e lëvizjes si dhe gëzimin e të drejtave të tjera themelore të njeriut. Ne dëshirojmë të ripërsërisim mesazhin e Përfaqësuesit të Lartë [Josep] Borrell se barrikadat nuk janë të pranueshme dhe duhet të hiqen menjëherë. Megjithatë, siç ka përmendur Shefi i Misionit tonë në një intervistë të fundit ka thënë se, EULEX-i nuk ka as mandat dhe as aftësi për të hequr fizikisht barrikadat”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Klankosova.

Tutje, ata thanë se në veri të Kosovës ka prani shqetësuese të individëve dhe grupeve të armatosura dhe të maskuara, dhe sipas tyre, kjo është e papranueshme.

EULEX-i si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, më tej tha se tani është e rëndësishme që situata të shtensionohet menjëherë dhe palët të përmbahen nga veprimet provokuese.

“Kjo është para së gjithash për të mirën e popullatës lokale, siguria e së cilës është në rrezik për shkak të situatës aktuale”.

“EULEX-i mbetet vigjilent dhe monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë përmes një numri dukshëm të shtuar të patrullave, duke përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close