
Një familje në Lezhë ka pretenduar se është terrorizuar nga policia. Sipas zonjës së shtëpisë forcat e rendit kanë hyrë me dhune në banesë në orët e para të mëngjesit pa asnjë shpjegim. Autoritetet nuk kanë dhënë deklarata në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa policia e Lezhës ka thënë se nuk ishte pjesë e aksionit dhe nuk mund te komentojë në lidhje me të. Një grua me dy fëmijët e saj të mitur në fshatin Dajç të Lezhës thotë se kanë përjetuar terror në orët e para të mëngjesit të së premtes, pasi banesa e tyre u kontrollua nga policia.
Tre pjesëtarët e familjes Gjinaj thanë se kanë qenë në gjumë dhe kanë dëgjuar zhurmë, e më pas kanë parë efektivët e policisë me maska dhe të armatosuar në oborrin e shtëpisë. Zonja e shtëpisë Kristina Gjinaj tregon se blutë kanë tentuar të hyjnë nga dritaret, duke dëmtuar edhe pronën e tyre.
Pavarësisht frikës, ajo thotë se ka hapur derën duke u përballur me forcën e tyre, por pa i dhënë asnjë shpjegim për situatën e krijuar. Pas largimit të policisë, ajo ka lajmëruar bashkëshortin që ndodhej si punëtor në Mal të Zi, duke i kërkuar që të kthehej për shkak të frikës që kishin përjetuar dhe traumës që kanë pësuar fëmijët e tyre 14 dhe 16 vjeç.
Kristina Gjinaj: Policia e Shtetit, Policia e Shtetit! Më thanë fëmijët o mam te dritarja! U ula, dy ikën lart, dy ikën poshtë. Nuk dhanë asnjë shpjegim, të armatosur dhe me maska.
Kryefamiljari, Artan Gjinaj, është kthyer menjëherë nga Mali i Zi dhe ka kërkuar shpjegime, por që ende nuk i ka marrë. Ai thotë se nuk ka asnjë problem dhe se nuk i di arsyet e këtyre veprimeve që atij i janë thënë se janë të policisë, por ende nuk është sqaruar.
Artan Gjinaj: E kanë mbështetur për dere, kanë hyrë brenda me maska. Kanë kontrolluar dhomat sipër, djalin ma kanë ulur në pllaka.
Policia e Lezhës tha se nuk është në dijeni dhe nuk ishin pjesë e operacionit, por nuk ka saktësuar asgjë për arsyet e këtij kontrolli në banesë, ku brenda saj ndodhej vetëm një grua me dy fëmijët e mitur. Ndërkohë burimet thanë se kanë qenë Forcat Operacionale që kanë ushtruar kontroll në banesë nën dyshimin se aty fshihej një person i akuzuar për vrasje, por zyrtarisht ende nuk ka një sqarim nga asnjë strukturë e policisë.