fbpx
LajmeTurizëm

Turi i Midhjes/ Atraksion i mrekullueshëm turistik në liqenin e Butrintit

Nëse mendoni të vizitoni perlën e jugut të Shqipërisë këtë verë, Ksamilin, nuk duhet të largoheni pa bërë “Turin e Midhjes”, një eksperiencë fantastike në liqenin e Butrintit.

“Turi i Midhjes” i ofron turistëve mundësinë për të eksploruar natyrën e mrekullueshme të Liqenit të Butrintit, si dhe të mësojnë më shumë mbi rritjen dhe kultivimin e midhjes, mbretëreshës së këtij liqeni.

Për të kryer këtë udhëtim sa fantastik aq edhe magjepsës, kontaktuam me Soraldo Nebo një djalë 30 vjeçar nga Ksamili, i cili drejton gjithashtu një biznes familjar në Ksamil.

Folës i mirë i disa gjuhëve të huaja, Soraldo është pika e takimit të shumë turistëve vendas dhe të huaj në Ksamil, falë edhe faqes që ai menaxhon Visit Ksamil (Vizitoni Ksamilin), ku janë të përfshirë shumë biznese të Ksamilit, të cilët promovojnë turizmin falë edhe faqes në web www.ksamil.al, ku turistët mund ta gjejnë informacion.

Për të bërë ‘Turin e Midhjes’ lamë takim në një port të vogël në liqenin e Butrintit pranë Ksamilit. Bashkë me ne, këtë udhëtim magjepsës e zhvilluan edhe dy çifte, një ukrainas dhe një shqiptar, që jetonin në Gjermani.

Soraldo nisi të shpjegojë traditën e fermerëve të cilët kultivojnë midhjen në liqenin e Butrintit. Me anë të një varke të vogël, e cila nuk nxinte më shumë se 8 persona, patëm mundësi të shihnim nga afër vendet ku kultivohej midhja.

Soraldo na shpjegoi të gjitha hapat që ndiqnin fermerët për të kultivuar midhjen. Ata 4-5 herë ndryshonin rrjetat në varësi të etapave të rritjes së midhjes. Gjatë udhëtimit, patëm mundësi edhe të qëronim midhjet, duke u hequr pjesën, e cila nuk mund të konsumohet.

Kjo eksperiencë nuk do të ishte e plotë pa një provë kulinarie. Në një lokal të vogël të vendosur në anën tjetër të liqenit të Butrintit, patëm mundësi të degustonim midhjet, të cilat Soraoldo i mori nga dora e fermerëve në liqen, të gatuara në 2 mënyra. Fillimisht midhjet të mëdha i hapëm dhe i lamë të marinuara në vaj ulliri dhe limon. Mënyra tjetër e gatimit ishte ajo me avull, të cilën na e përgatiti i zoti i lokalit.

Por aventura nuk kishte mbaruar me kaq. Në këtë breg të liqenit të Butrintit mund të vizitoje edhe rrënojat antike të asaj që vendasit e quajnë “Shtëpia e Pasanikut”, një vendqëndrim antik, një vilë e lashtë, nga ku mund të shihje komplet liqenin e Butrintit, edhe falë pozicionit strategjik ku ishte e vendosur.

Pas saj mundëm të shinim nga larg edhe liqenin e Bufit, përtej të cilit shtriheshin plantacionet e mandarinave. Një tjetër atraksion turistik, siç na tregoi Soraldo, ku gjatë muajve nëntor-shkurt kryhet ‘turi i Mandarinës’, ku mund të shihen nga afër kultivimi i mandarinave në fshatin Xarrë.

Në kthim na shoqëroi perëndimi i diellit, që në Ksamil është një ndër më të bukurit, falë natyrës së këtij vendi të mrekullueshëm, me një mendim fiks në mendje, “dua ta bëj përsëri”.

 

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close