
Katër të rinj rumunë janë arrestuar mëngjesin e sotëm në qytetin e Vlorës, gjatë tentativës për të trafikuar drejt Greqisë një sasi prej 260 kilogram drogë e llojit kanabis sativa.
Policia e Shtetit bën me dije se të rinjtë rumunë, të cilët hiqeshin si turistë, kishin marrë me qira dy automjete tip kampera në Rumani, dhe brenda tyre kishin fshehur sasinë e madhe të drogës që kishte për destinacion final Greqinë.
Në kërkim janë shpallur edhe pesë shtetas shqiptarë, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me rumunët, duke ua bërë më të lehtë trafikimin e lëndës narkotike. Policia thotë se ata ishin një grup i përbashkët por vepronin me detyra të ndara.