Lajme

VIDEO/ Publikohen pamjet e operacionit në det të hapur, momentet kur nafta kontrabandë nga Libia shkëmbehet mes dy anijeve të peshkimit

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga operacioni i koduar “Geni”, i zhvilluar në bashkëpunim me GDF-në dhe rojën bregdetare ku u godit një rast i tentativës për futjen kontrabandë të naftës nga Libia në vendin tonë, nëpërmjet mjeteve lundruese.

Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 62.000 litra naftë të kontrabanduara, të ardhura nga Libia, si dhe 2 mjete lundruese peshkarexha.

Ndërsa në pranga ranë 13 shtetas, 10 prej tyre shtetas të huaj.

NJOFTIMI I POLICISE

Në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, midis strukturave të Policisë së Shtetit, Zyrës Ndërlidhëse italiane Interfocë, GDF-së, QNOD-së dhe rojës bregdetare, bazuar në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, se në hapësirën detare mund të kryhej veprimtaria e paligjshme e kontrabandimit të naftës për në Shqipëri, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Geni”.

Bazuar në këto informacione të siguruara nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, lindi nevoja e përfshirjes në operacion edhe të një avioni të GDF-së, e Barit të Italisë.

Në operacion u përfshinë shërbimet e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, në bashkëpunim me shërbimet e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Durrës, Delta Forcë, shërbimet e Nuklit Detar të GDF-së në Durrës, shërbimet e QNOD-së dhe roja bregdetare.

Si rezultat i koordinimit të shërbimeve u bë i mundur identifikimi i dy anijeve të peshkimit të cilat dyshohet se po realizonin këtë veprimtari të kundërligjshme, në det.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 2 anijet e peshkimit, konkretisht anijen shqiptare “Geni” dhe anijen libane “ABOBAKR 124”, të cilat në përfundim të veprimeve të para hetimore u sekuestuan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 62.000 litra naftë pa dokumentacionin përkatës.

Në vijim të veprimeve hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 12 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes “Geni”, konkretisht:

E. Q., 31 vjeç, K. K., 30 vjeç, S. G., 65 vjeç, banues në Durrës dhe M. E., 50 vjeç, shtetas i huaj.

Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat
paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”,
dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Po në vijim të veprimeve operacionale dhe hetimore, më datë 13 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve të huaj, pjestarëve të ekuipazhit të anijes libiane “Abobakr 124”, e cila dyshohet se ka furnizuar me naftë të kontrabanduar anijen shqiptare, konkretisht shtetasit:

M. A., 48 vjeç, A. Z., 34 vjeç, A. A., 32 vjeç, S. N., 38 vjeç, M. M., 61 vjeç, E. K., 34 vjeç, I. A., 34 vjeç, A. H., 43 vjeç dhe A. B., 55 vjeç.

Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”.

Operacioni policor dhe veprimet hetimore kanë zgjatur 48 orë, në det dhe në tokë. Gjatë operacionit u bllokuan 2 anijet dhe u arrestuan pjesëtarët e ekuipazheve të tyre.

Struktuarat hetimore, nën Drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Duhet theksuar fakti se gjatë këtij operacioni pati një koordinim dhe veprim të shkëlqyer mes strukturave të Policisë së Shtetit, GDF-së, Zyrës Ndërlidhëse italiane me qendër në Shqipëri dhe rojës bregdetare.

Ky operacion dhe operacionet e tjera të përbashkëta të zhvilluara më parë me partnerët italianë, tregojnë qartë besueshmërinë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin mes strukturave policore të të dyja vendeve.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close