Mbajtja e maskës në shkollë është e detyrueshme, sepse kështu mbrojmë veten dhe të tjerët. Gjithsesi, këtë më mirë e sqarojnë nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi”, në Tiranë.Nxënësit shprehen se mbajtja e maskës në kushtet e pandemisë së COVID është e domosdoshme sepse ruan shëndetin e tyre dhe prindërve të tyre. Në videon e publikuar nga Kryeministri Edi Rama nxënësit japin mesazhet e tyre sensibilizuese në këtë situatë pandemie për mbajtjen e maskave.
“Ruajmë shokët dhe shoqet e klasës, parandalon përhapjen e virusit të mësuesit tanë dhe stabilitetin e shkollës”, shprehen ata. Ata japin dhe këshilla për moshatarët e tyre se si duhet të mbajnë maskën gjatë qëndrimit në shkollë.
“Gjatë qëndrimit në shkollë duhet të kemi kujdes që të prekim sa më rrallë maskën. Në rast se na duhet ta heqim duhet të kemi kujdes: e heqim nga pjesa e pasme e maskës dhe lajmë menjëherë duart dhe përdorim dezinfektantë në fund”, shpjegon një nga nxënësit. “Duke mbajtur maskën tregojmë qytetarinë për vete dhe të tjerët”, është mesazhi që përcjellin mësuesit e kësaj shkolle.