Lajme

Vjosa del nga shtrati, zyrtarë dhe ministra në terren, Frida Krifca: Investimi në argjinaturë ka shpëtuar Vlorën nga përmbytja (Video)

Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati duke përmbytur rreth 1,000 hektar tokë, tha ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, e cila ndodhej sot në zonën më të rrezikuar, pranë Urës së Mifolit.

Krifca shoqërohej nga kreu i Emergjencave Civile Haki Çako, drejtuesi politik i Fierit Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli.

Çako tha se situata aktuale mund të krahasohet si një në 50 vjet, për shkak të përqëndrimit dhe intensitetit të ujit.

“Jemi në nivele maksimale të Vjosës pranë urës së Mifolit, ka gati tre ditë me rreshje intensive. Është për t’i vlerësuar investimi që është bërë me dy argjinatura në krahët e Vjosës. Ky nivel përqëndrimi mund të krahasohet një në 50 vjet për shkak të intensitetit që ka. Por do të na shërbejë edhe për të nxjerrë konkluzionet dhe për të përforcuar investimet.

Forcat e armatosura dhe policia kanë qenë në terren gjatë gjithë natës, janë evakuuar rreth 15 familje dhe gjë e gjallë. Shpresojmë që së shpejti të bjerë niveli i Vjosës i përqëndruar në urën e Mifolit”, u shpreh Çako.

Edhe ministrja Krifca vlerësoi investimin e qeverisë së saj me argjinaturën e ngritur në të dyja anët e Vjosës në këtë zonë, duke u shprehur se ka penguar përmbytjen e Vlorës.

“Po përpiqemi të menaxhojmë një situatë jo të zakontë. Jemi duke u përpjekur të kuptojmë ku duhet të jenë ndërhyrjet e nevojshme. Është një situatë e rënduar por jemi në monitorim. Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe llogaritet rreth 1 mijë hektar tokë janë nën ujë momentalisht. Gjatë tre ditëve në vijim mund të ketë një shkarkim të situatës. Ne kemi bërë një ndërhyrje gjatë këtij viti në argjinaturë, e cila ka mundësuar që të mos e kemi Vlorën e përmbytur”, tha ministrja Krifca.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: