Lajme

Vlora në monitorim/ Bashkia tender për vendosjen e kamerave në qytet

Për rritjen e sigurisë, ndalimin e kundravajtjeve apo te aktiviteteve te dyshimta, rrugët dhe kryqëzimet kryesore të Vlorës do të monitorohen me kamera. Bashkia ka hapur tenderin me vlerë 8.3 milionë lekë.

Edhe Vlora vendoset nën vëzhgimin e kamerave. Rreth 2 javë pasi bashkia e Lezhës hapi tenderin për instalimin e kamerave në hapësirat publike të Shëngjinit, bashkia e Vlorës ka njoftuar hapjen e procedurës me të njëjtin objekt prokurimi.

Tenderi me fond limit 8.3 milionë lekë parashikon krijimin e infrastrukturës së nevojshme për sistemin e sigurisë publike. Sipas dokumenteve të tenderit, në çdo kryqëzim do të ketë kamera që lexojnë targat e automjeteve, të cilat do të montohen në një pozicion të përshtatshëm ku të lexohet targa gjatë ditës dhe natës.

Kamera për krime dhe mbeturina, Lezha e Shëngjini nën vëzhgim 24 orësh, projekti 15 mln lekë.

Instalimi i kamerave në rrugët kryesore të qytetit duhet të përqendrohet tek hapësira e rrugës, duke identifikuar qartë lëvizjen e makinave dhe drejtimin final të tyre.

Dhoma e kontrollit të kamerave të sigurisë parashikohet të vendoset në ambientet e bashkisë së Vlorës.

Për këtë qëllim, do të ketë dhe një aplikacion të posaçëm ku mund të bëhen denoncimet për shkeljet apo krimet.

Monitorimi i rrugëve 24 orë me kamera synon të ndalojë vjedhjet, të identifikojë aktivitetet e dyshimta, të parandalojë krimet dhe të bëjë sinjalizimin e aktiviteteve të paligjshme në organet policore. Sistemet e sinjalizimit do të raportojnë në kohë reale për gjendjen e ambienteve të cilat monitorojnë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close