Lajme

Vlorë, Kapet 19-vjeçari, autor i katër zjarrvënieve, dogji koshere bletësh, ullinj e kullota

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 19-vjeçar, të dyshuar si autor i katër rasteve të zjarrvënies në zonën e Selenicës. Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë arrestuan në flagrancë shtetasin I. M., 19 vjeç, banues në fshatin Kocul, Selenicë.

Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në afërsi të rrugës Peshkëpi-Drashovicë, ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore me shkurre, si dhe një sipërfaqe toke me ullinj në pronësi të shtetasit F. H. Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas është autor edhe i 3 rasteve të tjera të zjarrvënieve, në fshatrat Kotë, Gërnec dhe Mërtiraj, në bashkinë Selenicë, konkretisht:

Më datë 29.07.2021, në fshatin Gërnec, dyshohet se ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme kullote;

Më datë 01.08.2021, në afërsi të fshatit Kotë, dyshohet se ka djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur dhe disa koshere me bletë në pronësi të shtetasit A. M.;

Më datë 08.08.2021, në fshatin Mërtiraj, dyshohet se ka djegur një sipërfaqe toke me ullinj në pronësi të shtetasit N. H.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: