Categories Lajme

VOA: Ku ndahen Shqipëria dhe Kosova mbi vendosjen e ambasadave në Jerusalem

Kryeministri Edi Rama publikoi në mëngjes letrën që kishte marrë nga Presidenti i shbave Donald Trump, ku mes të tjerash, e inkurajon Shqipërinë që dhe ajo të spostojë ambasadën e saj në Jeruzalem.

Ndërsa më pas, gjatë një konfernce të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hoti, Kryeministri Rama tha se Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që ka patur më shumë hebrej pas Luftës së Dytë Botërore se sa para saj dhe i vetmi vend ku gjetën strehë, mbrojtje dhe siguri aq të madhe sa asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.

“Shqipëria është vendi, ku shqiptarë janë dorëzuar tek nazistët duke u paraqitur sikur janë ata hebrejtë që kishin marrë në shtëpi. Shqipëria është vendi që ka një lidhje të vjetër historike me Izraelin dhe një respekt të madh për Izraelin, por Shqipëria në politikën e jashtme në këtë aspekt është komplet e linjëzuar me BE” – tha zoti Rama.

Edhe në vitin 2017, Shqipëria votoi në favor të një rezolute të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara përmes së cilës I bëhej thirrje Shteteve të Bashkuara që të tërhiqeshin nga vendimi për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Presidenti Trump e falenderonte në letër zotin Rama për mbështetjen që dha “në normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë. Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem” – shkroi presidenti Trump.

Për këtë temë komentoi edhe kryeministri i Kosovës Abdullah hoti, i cili kishte qëndrim tjetër.

“Sa i përket ambasadës në Jerusalem, ne jemi vend i ri, ne kemi nevojë për njohje. Me marrëveshjen e Uashingtonit, përveç projekteve të mëdha ekonomike dhe infrastrukturorë, që e ndërrojnë komplet koniunkturën ekonomike në Kosovë dhe në rajon, ka ardhur edhe një njohje, që është tepër e rëndësishme. Çdo njohje është e rëndësishme, por kjo është pak më ndryshe, sepse hap një perspektivë krejt tjetër në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më vjen mirë që në politikën e jashtme ne jemi në të njëjtat linja sa u përket parimeve dhe interesave tona në politikën e jashtme me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës” – tha zoti Hoti.

Presidenti amerikan Donald Trump e falenderonte në letër kryeministrin Rama edhe për qëndrimet që qeveria shqiptare ka mbajtur në raport me ndikimet “malinje” të Kinës, “abuzimet e saj me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit”, duke nxitur edhe daljen e Shqipërisë nisma kineze “17+1”.

Presidentit amerikan Trump i shkroi kryeministrit shqiptar Rama se “mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë”.

Kryeministri Rama tha për shtypin se “harmonia e plotë mbi 5G” mes tij dhe presidentit Trump, për të cilën folën personalisht gjatë takimit të NATO-s në Londër, është bindje e tij dhe jo një imponim nga ana amerikane.

Ne kemi qartësisht qëndrime të përbashkëta në drejtimet strategjike, dhe më vjen shumë mirë që këto qëndrime në rastin tonë, burojnë nga bindja jo nga imponimi apo koniunktura. Sa i përket lëvizjeve konkrete janë çështje e jona dhe si e tillë, e trajtojmë me shumë kujdes dhe e vendosim në momentin e duhur, gjithnjë në funksion të interesave strategjike të Shqipërisë dhe asnjëherë duke harruar se jemi aleat strategjik të SHBA dhe BE-së, dhe në politikën e jashtme jemi të linjëzuar me BE-në” – tha zoti Rama.

Kryeministrat Rama dhe Hoti i bënë këto komente pas një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, ku u nënshkruan një seri marrëveshjesh për bashkëpunim ekonomik, policor dhe kulturor.

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës zhvilluan sot në Tiranë një mbledhje të përbashkët, ku u diskutuan projekte me interes midis dy shteteve.

Përfaqësues të dy qeverive nënshkruan, në fund të kësaj mbledhjeje, një seri memorandumesh dhe marrëveshjesh bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, sigurisë, shëndetit, arsimit dhe kulturës.

Dokumentat e nënshkruara të parat sot mes dy qeverive ishin një memorandum për bashkëpunim hekurudhor, një marrëveshje për krijimin e një fondi të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës, një marrëveshje për ndihmë të ndërjelltë në raste fatkeqësish natyrore, një protokoll për bashkëpunim policor në fushën e sigurisë.

Kryeministri Rama tha se faktet flasin për një përparim të prekshëm dhe asnjë marrëveshje e nënshkruar mes dy vendeve nuk ka mbetur në letrë, por disa kanë përfunduar së zbatuari, disa të tjera janë në zbatim e sipër.

Me shumë rëndësi u cilësuan marrëveshjet mes dy vendeve për shmangien e tatimit të dyfishtë, për tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalet, për parandalimin e evazionit fiskal, si dhe për mobilitetin në punë.

Më tej u nënshkruan një seri memorandumesh bashkëpunimi për krijimin e korridorit digjital 5G dhe lehtësimin e lëvizjes në të ardhmen, për themelimin e ligës së përbashkët të basketbollit, për platformën e përbashkët digjitale të arsimit parauniversitar, për nënshkrimin e kalendarit të përbashkët kulturor vjetor, për bashkëprodhimin e filmit artisitik, për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë në përballje me Covid-19.

Në fund të konferencës u mësua se SHBA pritet të financojnë ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, i cili do të ketë shfrytëzim dhe administrim të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe një marrëveshje mund të nënshkruhet për këtë në fundjavë./VOA/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Emërimi i kryetarit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, mblidhet këshilli bashkiak i Himarës! Banorët përplasen me policinë

Sot në orën 10:30 nisi mbledhja e radhës në këshillin e Bashkisë së Himarës ku…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dita e sotme me kthjellime dhe vranësira. Temperatruat do te jenë me rritje

Anticikloni subtropikal po ndikon Europën Juglindore, ku presim stabilitet të kushteve atmosferike në territorin e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ngacmimi nga interneti, Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve. Kuçova renditet e dyta

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi, 29 Mars 2024

Dashi Kjo ditë do ju gjejë më produktiv dhe krijues, qoftë në sferën profesionale edhe…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë së Bashkisë Tiranë e biznesmenë (Emrat)

Disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës kanë përfunduar në prangat e policisë me urdhër të…

LEXO ME SHUME