Lajme

Vrau babanë dhe vëllanë e ish-gruas/ Besnik Pjetri ‘kyç’ gojën, Gjykata e Lezhës e lë në burg 49-vjeçarin

Besnik Pjetri, i cili akuzohet për vrasjen e ish-vjehrrit dhe ish-kunatit të tij në fshatin Gryk Zezë të Lezhës do të qëndrojë në burg. 49-vjeçari i cili u arrestua të premten nga Policia, u njoh me rivlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Lezhës. Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se Pjetri nuk ka folur asnjë fjalë në lidhje me krimin e dyfishtë të ndodhur në muajin gusht dhe akuzat e ngritura ndaj tij.

Por pasi dëgjoi palët, gjyqtari Artan Hajredinaj, pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 49-vjeçarin. Besnik Pjetri u vu në pranga mëngjesin e së premtes nga forcat RENEA, pas punës gjurmuese-policore të strukturave hetimore dhe operacionale të Policisë së Lezhës.

Ai u lokalizua dhe u arrestua në një banese të braktisur në fshatin Kaçinar të Mirditës, falë kërkimeve të pandërprera dhe ndjekjes intensive të policisë. Nga veprimet hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, rezulton se 49-vjeçari, më datë 29.08.2022, për shkak të një konflikti me familjarët e ish-bashkëshortes së tij, ka vrarë me armë zjarri shtetasit Pjerin dhe Gent Perjaku (babai dhe vëllai i ish-bashkëshortes së tij), përkatësisht 56 dhe 32-vjeç.Ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash sapo kishin hyrë në oborrin e banesës së tyre në fshatin Grykë Zezë dhe nga plagët e marra gjetën vdekjen e menjëhershme.

Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes identifikoi autorin, por pa arritur që ta prangosë dhe prej më shumë se 3 mujash ai qëndronte në arrati. Babë e bir ishin kthyer ditën e ngjarjes nga Italia ku jetonin prej shumë vitesh, pasi kishin patur një dasëm në vendlindje tek disa të afërm të tyre. Siç duket ish-dhëndri i ka ndjekur lëvizjet e objektivave të tyre dhe sapo janë kthyer në banese është afruar dhe ka qëlluar me breshëri plumbash.

Pjetri i cili ishte babai i dy vajzave ishte divorcuar, prej më shumë se 6 vitesh nga gruaja e tij dhe që prej asaj kohe kishte patur konflikte të vazhdueshme më ish-gruan dhe familjen e saj.49-vjeçari pretendonte se familja e ish-nuses së tij i kishte borxhe dhe nuk ja kishin kthyer, ndërsa së fundmi nuk e kishin lejuar të takonte as vajzat çka dyshohet të jetë bërë shkak dhe për krimin e rëndë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close