
Arrestimi për dhunë në familje i një 24-vjeçari nga efektivët e Komisariatit nr. 6 në Tiranë zbuloi një tjetër skandal. Policia ka dyshime se i riu i arrestuar për dhunën e ushtruar ndaj bashkëjetueses ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur 11 vjeçe.
Gruaja thotë se kërcënohet nga të afërmit e bashkëjetuesit që të tërheqë denoncimin për Ramis H. me profesion ushtarak që ndodhet në paraburgim prej 6 shtatorit.
Ajo kërkon urdhër mbrojtje nga familjarët e bashkëjetuesit pasi ndihet e këcënuar për jetën e saj dhe dy vajzat.
E reja strehohej në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijeve pasi ishte larguar nga bashkëjetuesi i saj italian i cili e dhunonte dhe e keqtrajtonte edhe pse ishte shtatzënë. Më pas erdhi njohja me bashkëjetuesin.
“Kam qenë në qendër se kam bashkëjetuar me një italian. Isha 5 muajshe. E njoha në punë. Ai më lidhte, më dhunonte, derisa nuk e durova dot më dhe bëra denoncimin në policinë e Durrësit.
Kërkova urdhër mbrojtje por nuk më dhanë por më dërguan në Qendër Mbrojtje në Tiranë kur gocën e kisha 2 javëshe. Qëndrova 1.5 vjet. Aty erdhi një gocë nga Mallakastra e cila qëndroi për 6 muaj dhe më foli për kunatin, vëllanë e burrit.
Në fillim hezitova, se kisha frikë pasi kisha kaluar shumë dhunë, por më pas mendova mos ishte njeri i mirë që unë të kem në krah, sepse unë s’kam njeri, jam e vetme. Ramiz H. e takova në lokal. Njohja zgjati 1 muaj.
Pranova të dilja nga Qendra dhe të bashkëjetoja me të me të gjithë gocën. U soll shumë mirë. Gocën e mbante. Fliste me çupën e tezes. Unë dyshova diçka e më thoshte jo. Por më vonë kuptova se ai kishte shkuar me çupën e tezes. Në polici e akuzoi për ngacmim seksual të një të miture 11 vjeçe.
“E zbulova me mesazhe e video. Ishin banale. Ngjarjen ia tregova kunatit i cili më tha të mbyll gojën. I thashë nuk mund të rri urtë pasi unë kam vajzë dhe nuk kam besim tek ai”.
Çfarë ndodhi më pas?
“U bë më i dhunshëm. Më kërcënonte me jetë. Më kapi për fyti” tregon gruaja duke shtuar se kjo e nxiti të denonconte në polici në komisariatin nr 6 ndërkohë familjarët e tij kërkojnë që të tërheq denoncimin.
“Njerëzit e tij më thonë hiq denoncimin se do të kesh pasoja. Më merr i vëllai e më thotë tërhiq denoncimin”.
Gruaja e akuzon bashkëjetuesin dhe për raste të tjera abuzimi.
“Po ka qenë dhe një tjetër. Ma thanë njerëzit e afërt të tij. Por nuk kam fakte”
E reja kërkon urdhër mbrojtje pasi ka frikë nga familjarët e bashkëjetuesit ndërkohë që frika më e madhe e saj është se s’do të rrijë rrugëve.
Nënë e 2 vajzave të mitura bën një apel për ndihmë, pasi jeton në kushte të vështira ekonomike.
“Jam vetëm me vajzë. Ju lutem më ndihmoni” thotë gruaja në apelin e saj në Report Tv.