
Kjo që shihni në foto është Brikena Frakulli, 40 vjeç, e arrestuar nga Policia e Tiranës si drejtuese e një grupi që merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike në kryeqytet.
Sipas hetimeve të kryera përgjatë një muaji nga Prokuroria dhe Policia, rezulton se Frakulli siguronte lëndën narkotike në sasi të mëdha te një person, identiteti i të cilit për shkak të hetimeve nuk është bërë i njohur nga autoritetet.
Më pas në drejtimin e saj, kjo sasi ndahej në doza të vogla dhe shpërndahej nga anëtarë të grupit kriminal në disa zona të Tiranës, si Ali Demi, ish-Blloku, por jo vetëm. Në operacionin e finalizuar dy ditë më parë, ku u arrestuan edhe 3 bashkëpunëtorë të Brikena Frakullit, u gjetën 6 kilogramë drogë, kokainë dhe heroinë, si dhe u sekuestruan mbi 35 mijë Euro dhe sasi të tjera monetare që dyshohet se ishin produkt i shpërndarjes së lëndës narkotike.
Ajo është arrestuar për drogë edhe në nëntor të vitit 2015, së bashku me një tjetër person, asokohe 37 vjeç, që ishte partneri i saj. Gjatë operacionit të arrestimit të tyre, të koduar “Epilog 2” nga Antidroga në Policinë e Tiranës, u sekuestruan 47 dozave heroinë (rreth 40 gramë), gati për shitje.
Sipas raportimeve, çifti arrinte të “gjuante” në rrjetet sociale klientët “VIP” dhe biznesmenë. Bashkëjetuesit dilnin në terren, në zonat e ndryshme të kryeqytetit për të shpërndarë drogën tek klientët e gjetur në online. Zonat më të preferuara të tyre ishin “Ali Demi”, “ish-Blloku”, si dhe lokalet e natës në Tiranë.
Ndërsa, sot Brikena Frakulli u arrestua së bashku me Hortenca Biçaku, 41 vjeçe, Artur Kristo, 45 vjeç dhe Klevi Banushi, 20 vjeç, pjesë e të njëjtit grup kriminal që drejtohej nga 40-vjeçarja.
Brikena Frakulli akuzohet se siguronte drogën në sasi të mëdha dhe më pas furnizonte shpërndarësit në doza të vogla. Prokuroria dhe policia kanë identifikuar edhe personin që furnizonte me kokainë drejtuesen e grupit kriminal.