Categories Lajme

Zgjerohen mënyrat e fitimit të shtetësisë, mundësi për shqiptarët jashtë kufijve

Komisioni i Ligjeve ka miratuar të mërkurën nen për nen projektligjin për “Shtetësinë”, i cili ka zgjeruar mënyrat e fitimit të shtetësisë, duke i dhënë mundësinë dhe asaj pjese të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, e që dëshiron të ketë një lidhje të qëndrueshme juridike me shtetin shqiptar. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë punimeve në  Komision, në mbledhjen e zhvilluar sot online, theksoi se ky ligj është ka përcaktuar kritere më të qarta, për fitimin e shtetësisë shqiptare, të cilat ndryshojnë në varësi të mënyrës së fitimit e të kategorisë së të huajve, duke përcaktuar kritere të ndryshme për refugjatët apo personat në mbrojtje plotësuese.

“Projektligji i propozuar ka zgjeruar mënyrat e fitimit të shtetësisë, duke parashikuar edhe fitimin e shtetësisë me origjinë, duke i dhënë mundësinë dhe asaj pjese të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, si pjesës që ka emigruar në mënyrë të hershme, por dhe të pjesës që ka emigruar pas ndryshimeve që ndodhën në vendin tonë, pas viteve ’90, e që dëshirojnë të kenë një lidhje të qëndrueshme juridike me shtetin shqiptar, por që njëkohësisht kanë mbajtur e ruajtur lidhje gjuhësore, kulturore e të traditës me Shqipërinë”, – tha Voda. “Në rastin e rifitimit të shtetësisë shqiptare janë përcaktuar kritere më të lehtësuara, duke qenë se personi ka qenë shtetas shqiptar dhe ndaj tij nuk mund të aplikohen kritere të njëjta me shtetasit e huaj, por, gjithsesi, duke respektuar parimin e mosdiskriminimit”, – tha Voda.

Lidhur me investuesit, Voda tha se, “projektligji parashikon dhe rregullon rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë në rastet kur Republika e Shqipërisë ka një interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit, duke autorizuar rregullimin me akt nënligjor, pasi një gjë e tillë ka munguar, duke bërë që të mos ndiqet një procedurë e përcaktuar dhe e unifikuar për të gjitha rastet, në institucionet përgjegjëse”.

“Janë parashikuar kushtet për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare dhe, në veçanti, për fëmijën, siç është rregullimi i rastit të heqjes dorë për fëmijën me prindër të divorcuar. Në këtë rast, kërkesa për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare bëhet nga prindi, të cilit i është lënë përgjegjësia prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, duke zgjidhur problematikën e lidhur më pëlqimin e prindit tjetër, kur ai nuk gjendet apo “refuzon” dhënien e pëlqimit”, – tha Voda.

“Është parashikuar heqja e shtetësisë shqiptare në rastet kur shtetasi shqiptar që e ka fituar shtetësinë me natyralizim përkrah, kryen veprimtari apo është anëtar i organizatave, aktiviteti i të cilave synon cenimin e sigurisë kombëtare e të rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë”, – tha ajo. Voda tha se “për të zgjidhur çështjen e pashtetësisë në projektligj, por dhe për të lehtësuar kriteret për rifitimin e saj, është vlerësuar i nevojshëm përcaktimi i një afati për shtetasit shqiptarë që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare për shkak të premtimit për fitimin e një shtetësie tjetër”. “Nëse ata nuk e fitojnë shtetësinë e premtuar, duhet të paraqesin kërkesë për rifitimin e shtetësisë shqiptare brenda një afati të arsyeshëm, por jo më shumë se dy vjet nga heqja dorë, me përjashtim të rasteve kur shtetasi nuk ka mundur të respektojë këtë afat, për shkaqe objektive. Në këtë rast, kushtet që duhet të plotësojë personi janë më të favorshme, krahasuar me shtetasit e huaj”, – tha Voda.

“Gjithashtu, për të zgjidhur çështjen e pashtetësisë, është parashikuar si dispozitë kalimtare dhe e drejta për të rifituar shtetësinë shqiptare mbi bazën e kërkesës së personave që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare para hyrjes në fuqi të këtij 6 projektligji dhe nuk kanë fituar shtetësinë e premtuar”, – shtoi Voda. Voda  sqaroi se për shtetasit nga Kosova është parashikuar gjithashtu që të kenë një lidhje origjine me vendin tonë deri në brezin e tretë.

“Shtetasit kosovarë janë bashkëkombësit tanë dhe me këtë projektligj mund të dukej sikur të gjithë mund të merrnin pasaportën shqiptare. Por, nuk është kështu. Pasi projektligji thekson se fitimi i shtetësisë për origjinën, duhet deri në shkallën e tretë, e kemi pasur deri në vijën e dytë, por tani është deri në vijën e tretë, por mbi bazë të origjinës të certifikuar si origjinë shqiptare, pra një shtetas kosovar duhet të vërtetojë që të ketë gjyshen apo gjyshin nga Shkodra, Kukësi apo nga qytete të tjera të Shqipërisë. Unë besoj se ka të tillë, ashtu si ka të tillë dhe në zonat e tjera në Malin e Zi apo Maqedoninë e Veriut”, – tha Voda.

Në vijim, Voda tha se Projektligji i propozuar është në harmoni me Konventën Europiane “Për shtetësinë”. “Për hartimin e këtij projektligji, grupi ndërinstitucional i punës ka studiuar legjislacionin ndërkombëtar, legjislacionin e disa shteteve anëtare të Bashkimit Europian, si dhe legjislacionin kombëtar”, – tha Voda. Komisioni i Ligjeve pas diskutimeve votoi nen për nen pr/ligjin për shtetësinë dhe tashmë diskutimet do të vijojnë në ditët në vijim në Komisionin e Sigurisë Kombëtare si Komisioni përgjegjës për këtë ligj. /j.p/r.e/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

EMRI/ Vdes në punë shqiptari në Itali, baba i katër fëmijëve

Një shqiptar vdiq i shtypur nga një ngarkesë që peshonte mbi një ton ndërsa po…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Beleri dhe Goro në burg, pas tensioneve në Këshillin bashkiak të Himarës, zgjidhet kryetari i komanduar

Blerina Balaj është zgjedhur kryetare e komanduar e Bashkisë Himarë pas mbledhjes me tensione në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ngjarja në Memaliaj, policia: 41-vjeçari qëlloi në ajër për të kanosur dy persona

Një person ka qëlluar në ajër në Memaliaj ditën e djeshme dhe si pasojë e të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Emërimi i kryetarit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, mblidhet këshilli bashkiak i Himarës! Banorët përplasen me policinë

Sot në orën 10:30 nisi mbledhja e radhës në këshillin e Bashkisë së Himarës ku…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dita e sotme me kthjellime dhe vranësira. Temperatruat do te jenë me rritje

Anticikloni subtropikal po ndikon Europën Juglindore, ku presim stabilitet të kushteve atmosferike në territorin e…

LEXO ME SHUME