
Dyshohet se Leonard Thodhori, një prej dy burrave të zhdukur në Sarandë pak ditë më parë i ka njohur autorët e rrëmbimit apo zhdukjes së tij.
Zhdukja e dy burrave vijon të jetë e veshur me mister, teksa policia përpiqet të mbledhë copëzat e një puzzle për të zbuluar çfarë ka ndodhur me Leonard Thodhorin dhe Fatmir Sulovarin alias Fatmir Krasniqi, të dy 46 vjeç që kanë ngritur blutë në këmbë.
Një automjet tip “Mercedes-Benz”, targat e së cilës rezultojnë të vjedhura në Lezhë, rezulton të jetë fiksuar gjatë këqyrjes së shumë pamjeve filmike që grupi hetimor po mbledh.
Automjeti rezulton gjithashtu se ka lëvizur edhe brenda qytetit të Sarandës, por nuk është arritur të identifikohet dot se kush ka qenë brenda tij. Paraprakisht mendohet se Thodhori i njohur si “Koçole” mund të ketë lënë automjetin e tij buzë rrugës hyrëse të fshatit Çukë dhe më pas ka hyrë në një automjet të dytë, ndoshta tek “Mercedes-Benz” i dyshimtë i fiksuar në kamera.
Mendohet se fillimisht ai ka hyrë pa dhunë, ndoshta se ka parë njerëz të njohur ose menduar se ata kanë qenë dashamirës. Pasi ka hyrë brenda dyshohet se ka hyrë në plan rrëmbimi tij. Nuk dihet nëse Sulovari është marrë bashkë me Thodhorin apo në vend tjetër.
Ajo që dyshohet është se si të gjallë apo të vdekur, dy 46-vjecarët ndodhen brenda rrethit të Sarandës. Ka dyshime se automjeti i rrëmbyesve mund të ketë përshkruar Qafën e Soronesë për të hyrë ne territorin e Bashkisë Konispol. Me kalimin e ditëve, shpresat për gjetjen e tyre sa vijnë e zhduken, teksa ngelet më këmbë ende mundësia që ata të jenë ekzekutuar.