Është një kombinim ideal i shijes dhe shëndetit. Salca e domates është “kurorëzuar” princeshë e një diete ushqimore të shëndetshme nga një kërkim spanjoll i publikuar në revistën “Food Chemistry”.
Përveçse është e shijshme, ajo rezulton plot me përbërës të shëndetshëm: 40 lloje të ndryshme polifenoli të cilët ndihmojnë në uljen e sëmundjeve kardiovaskulare dhe një numër i lartë karotenoidesh mbrojtës kundër tumoreve.
Të dhënat vijnë nga një studim i Universitetit të Barcelonës për të cilin studiuesit kanë analizuar me vëmendje 10 lloje salcash në shitje në dyqanet ushqimore. Është parë se të gjitha salcat e studiuara me ndryshime të vogla, kanë sasi të mëdha polifenoli dhe karotenoide. Këta përbërës, sipas studiuesve, janë shumë të rëndësishëm dhe konsumi i tyre lidhet me uljen e tumoreve dhe sëmundjeve kardiovaskulare.
Salca e studiuar nga spanjollët ka në përbërje të saj qepë, hudhra, vaj dhe domate.
Edhe salca e bërë në shtëpi ka të njëjtat të mira, sipas studiuesve. Në fakt, sipas tyre, asnjëri prej këtyre përbërësve nëse përdoret i vetëm nuk ka të njëjtin efekt. Është përzierja e tyre që sjell rezultate pozitive.