
U zbukura bredhi i Vitit të Ri në qendër të qytetit, dolën femijët shoqëruar nga prindërit të bënin patinazh në pistat me akull artificial, u ngritën dhe shtëpizat e vogla të drurit ku shesin qofte dhe verë të ngrohtë. Jemi prag festash dhe këtë e kemi zyrtarizuar tashmë.
Por qyteti nuk gumëzhin veç natën nën të qeshurat e lumtura të fëmijëve, duart e kapura fortë dhe hapat e nxituara.
Bulevardet buçasin fort dhe ditën, po jo prej gëzimit.
Buçasin prej indinjatës së studentëve.
Dhjetori erdhi aq i ftohtë sa dhe i ngrohtë.
Dhjetori solli kujtime, revoltë, ngjalli shpresë.
Por muaji i festave solli dhe solidarizim, dëshirën për t’u bashkuar në një kauzë të përbashkët, vullnetin për të kërkuar të drejtat e tua. Të dalësh në rrugën e madhe dhe të ngresh zërin për atë çfarë ti meriton por jo vetëm, do të thotë të përballesh me njerëz që të mbështesin, të përballesh dhe me njerëz që janë kundër. Por protesta është e të gjithëve, e studentëve, e prindërve, gjimnazistëve. Është dhe e petagogëve dhe e nxënësve të ciklit të ulët, sepse gjithçka është rotacion. Brezat ndryshojnë por pasojat janë po të njëjtat.
E përpos gjithë të padrejtave që i janë bërë këtij populli, studentët u bashkuan dhe ngritën zërin.
Studentet risollën dhjetorin e dytë, u mblodhën solid mes tyre për të treguar se vetëm bashkë mund t’ja dalin. Për t’i treguar këtij populli se protesta është e tyre, e të gjithëve vetëm e qeverisë jo.
Ndërkohë që në shesh dëgjon muzikë Krishtlindjesh, përballë Ministrisë së Arsimit dëgjon thirrje “Ulni tarifat”, “Refuzoj të jem e ardhmja, nga sot dua të bëhem e tashmja” shikon edhe meme instagrami, shikon dhimbshëm përparset e bardha të studentëve të mjekësis varur në hekurat rrethues të institucionit ,helmetat e studentëve të gjeologjikut.
Tashmë prej 8 ditësh është bërë e zakonshme që rreth orës 10 të mëngjesit të rinjtë të pushtojnë rrugën, edhe makinat ndalojnë vetë, edhe njerëzit dalin në ballkonet e shtëpis së tyre për t’i duartrokitur, edhe kamarieri i diplomiar 4 vite më parë për drejtësi e lë tabakanë e shërbimit dhe del i mbështet.
Humbasin shkëlqimet e zbukurimit në shesh, humbet dhe kënga e Krishtlindjeve që është po e njëjta nga mëngjesi në darkë dëgjohen vetëm të rinjtë.
Dëgjohem unë, ti, ne e ardhmja e këtij vendi duke kërkuar të drejtat tona.
Duke kërkuar të përmirësojmë jo vetëm interesat tona por dhe cilësinë e jetesës në një vend të vogël si Shqipëria.
Harrohet festa e qofteve dhe e verës së ngrohtë, tashmë festa e vërtetë janë të rinjtë. Festa e vërtetë është në bulevard, përpara Ministrisë së Arsimit, përpara Kryeministrisë. Kjo është dhurata më e mirë e këtij fundviti për çdo shqiptar jo vetëm se rizgjuam ndjenja të përjetuara kohë më parë por se jemi bashkë, për veten në shërbim të vetes.
Nga vlonjatja Semiljana Azizi/Studente e gazetarisë në Tiranë