Categories Opinion

Gomarllëku i dyfishtë me dy “Lungomare” në Vlorë!

Gomarllëku i dyfishtë me dy “Lungomare” në Vlorë!

“Gjuha shqipe është nën një dhunë të vazhdueshme, nën një agresion të vazhdueshëm, në një ndotje, në një prishje të vazhdueshme dhe është një turp për opinionin publik shqiptar që e lejon një gjë të tillë. Ai duhet të gjejë mënyrat për të detyruar përdoruesit e kësaj gjuhe, për t’i bërë zap, për t’i detyruar ta respektojnë gjuhën e vet, sepse nuk janë ata që e kanë krijuar këtë gjuhë. Kjo gjuhë është krijuar me mundime të mëdha dhe askush nuk ka të drejtë të vërë dorë mbi të e ta prishë me injorancën, barbarinë ose me egërsinë politike, siç ndodh për fat të keq në Shqipëri.” – ky alarm i kahershëm i shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, fatkeqësisht, vazhdon të bjerë në vesh të shurdhët! Dhe ç’është më e keqja, ndotja e gjuhës po ngulitet edhe në emërtime rrugësh e vendesh që është e pamundur të korrigjohen në kujtesën e njerëzve. Kështu ka ndodhur edhe me emërtimin e dy bulevardeve të reja të ndërtuara përgjatë bregut të detit në Vlorë me kompozitën e huazuar(!!!) nga italishtja “lungo+mare”…

Emërtimet e rrugëve, shesheve, parqeve apo mjediseve urbane janë shprehje gjuhësore, por ndërkohë janë edhe pasqyrim i faktorëve historikë, shoqërorë, kulturorë e psikologjikë. Emërtimet në këto raste mbeten të lidhura përjetësisht me objektin që emërtojnë dhe bashkë me to e nëpërmjet tyre, synohet të trashëgohet edhe memoria për vlerat historike apo kulturore të vendit përkatës. Gjuha vetë është shprehja më e qartë e identitetit kombëtar dhe rrjedhimisht edhe emërtimet e reja duhet t’i përmbahen rreptësisht këtij koncepti. Përpjekjet për ta pastruar gjuhën shqipe nga huazimet e panevojshme kanë filluar herët. Rilindësit tanë, duke mbajtur një qëndrim mos pranues ndaj huazimeve orientale e nisën këtë betejë kulturore për të dalë të fituar edhe në rrafshin politik. Lufta për pastrimin e gjuhës shqipe nga orientalizmat ishte as më pak e as më shumë një luftë politike për identitetin tonë kombëtar ndaj sunduesve shekullorë.

Në dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 1912 shkruhej fjalë për fjalë kështu: “Shqipëria u shpall e lirë e e mosvarme.” Sot, pas më shumë se një shekulli e një dekade që nga ajo kohë, për një lajm që ka të bëjë po me Vlorën, ATSH shkruan fjalë për fjalë kështu: “Në Vlorë është drejt përfundimit projekti Lungomare 2, i cili këtë sezon turistik do ta bëjë edhe më të bukur qytetin bregdetar.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga Lungomare 2, ndërsa thekson se këtë sezon turistik do të kemi një plazh publik me 5 yje. “Lungomare 2 në Vlorë drejt përfundimit për sezonin e ri turistik, me një plazh publik me 5 yje”, – shprehet Rama. Në Vlorë po merr formë Lungomare 2 bashkë me 1 kilometër plazh të kombinuar urban dhe natyral, pishinën olimpike e pishinën e fëmijëve, parkingun nëntokësor, shëtitoren e pishave…

Vendosja e shkallareve që zbresin në det, muri anësor i punuar në detaje dhe konceptimi i shkallëve që lidhin trotuaret me pjesën e Lungomares i japin një tjetër dimension këtij projekti.” Nga Agjencia Telegrafike Shqiptare bindemi përfundimisht se për bulevardin përgjatë detit (buzë detit, anë detit apo bregdetit) të Vlorës qenka emërtuar zyrtarisht – “Lungomare”! Dhe jo një herë, por dy! Paskemi “Lungomare 1” dhe “Lungomare 2”!…

Ky emërtim i huazuar nga italishtja (si edhe çdo huazim tjetër) (!!!), jo që nuk do të ishte i rekomandueshëm për asnjë toponim të ri shqiptar, por do të ishte i qortueshëm, madje i dënueshëm… Ndërsa për Vlorën e 1912-s të Ismail Qemalit dhe Vlorën e 1920-s së Selam Musait ky veprim është vrastar. Emërtimi i huazuar prej italianëve për Anëdet-in e vlonjatëve, jo vetëm që shpërfill shqipen e historinë e Vlorës dhe godet në mënyrë vrastare identitetin kombëtar, por harron se rrokjezimi i fjalës [Lungomare]-në shqip të kujton fjalë me ngjyresë negative gjer në pështirosje si fjala [lung’] – Lung(omare), apo epitete që kur përdoren për njerëzit janë tejet ofenduese apo qesharakë siç janë fjalët [gomar], [gomare] që tingëllojnë në fund të fjalës [(lun)gomare].

Për pjesën e parë të huazimit fjalori ynë shpjegon: LUNGË – Xhungë e mbushur me qelb, e cila zë shtrat thellë në mish; çiban, i thatë. Lungë e keqe (e zezë) tumor i keq, fshikëzezë. Lungat e qafës. Shtrati i lungës. I doli një lungë. U poq lunga. Shtrydhi (çau) lungën.

Ndërsa për ndarjen e dytë [(Lun)gomare] që të kujton gomarin apo gomaren jepet ky shpjegim: GOMAR – Kafshë njëthundrake, që mbahet në shtëpi për ngarkesë, me trup me të vogël se kali, me kokë të madhe, me veshë të gjatë dhe me qime zakonisht në ngjyrë të hirtë. Veshët e gomarit. Kërriç gomari. Palli gomari. Këndon si gomar – këndon keq.

– Njeri i trashë nga mendja, budalla; hajvan. Gomar i madh. Mori mendjen e atij gomari. Gomar qenka! Gomar me veshë. GOMARE – Femra e gomarit, gomaricë. Grua a vajzë e trashë nga mendja, budallaqe, hajvane. Ç’gomare paska qenë!

Këto shpjegime jepen nga Fjalori i Gjuhës Shqipe, prandaj, kur dëgjon fjalën [Lungomare], në veshët e çdo shqiptari ndjehet neveri për asosacionet tingëllimore me “lungën” e huaj dhe me “gomaren” apo “gomarin”, që, me këtë emërtim të dyfishtë (“Lungomare 1” dhe “Lungomare 2”), na ka goditur dy herë në identitetin tonë kombëtar.

Nga Ilir Mborja

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Opinion

A kemi krijuar një shoqëri shumë komplekse për të mbijetuar?

Shoqëritë njerëzore evoluan nga format e thjeshta, në ato komplekse gjatë mijëvjeçarëve, duke përjetuar ndryshime…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Mashtrimi me Sazanin – Nga Andi Bushati

Nga Andi Bushati Ka një përpjekje të qëllimshme për ta devijuar polemikën për investimin e…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Analiza/ Pse ka ngjallur kaq shumë debat lajmi për 1 miliard USD në Sazan? Skenarët konspirativë me Trump e Soros

Pse ka ngjallur kaq debat lajmi i fundit për 1 miliard investime amerikane në Shqipëri?…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

A është e vërtetë që Big Brother ndiqet kaq shumë në të gjithë botën, si në Shqipëri?

Nga Ergys Mërtiri A eshte e vertete qe Big Brother ndiqet po kaq shume ne…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Pse çunat duhet të dalin me çunat

Nga Blendi Salaj Ky është një shkrim për burrat e sotëm, për moshatarët e mi…

LEXO ME SHUME