Categories Opinion

Ilir Dhima: Për zgjedhjet në Shkodër vendos KQZ, jo presidenti

“Nëma se s’ma ke”, ky refren i këngës së përditshme të opozitës po dëgjohet me tone të larta edhe këto ditë, kur një kryetar i sapozgjedhor i Bashkisë së Shkodrës deklaroi dorëheqjen nga ky post, ndërsa kryetares aktuale i përfundon mandati 4 vjeçar më 20 gusht. Në këtë periudhë të ngushtë kohore, forcat politike (maxhorancë – opozitë) vazhdojnë intensivisht kundërvëniet, midis të tjerash, edhe për fatin e drejtimit të kësaj Bashkie deri në nxjerrjen e rezultatit të pritshëm të zgjedhjeve të pjesëshme atje, si edhe për kompetencën e organit që vendos afatin e zhvillimit të tyre.

Në këtë lojë ka hyrë edhe Presidenti i Republikës që, në vijim të qëndrimeve të tij antikushtetuese, të premten që shkoi u shpreh në një intervistë dhënë medias A2, se sipas ligjit për pushtetin vendor, Bashkia e Shkodrës do të vazhdojë të drejtohet nga kryetarja aktuale, Volatana Ademi. Por, ndonëse përsëri e përsëri Ilir Meta bashkon edhe në këtë çështje zërin me opozitën, ai tregohet “i kujdesshëm” që të mos përcaktojë ndonjë datë të veçantë, specifike, për këto zgjedhje të pjesëshme në një territor të kufizuar, sepse ndryshe do të shprehej faktikisht për legjitimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 30 qershorit, kur më 10 qershorin e kaluar ai nxorri një dekret, me anë të të cilit pretendoi që të anullonte zgjedhjet e përgjithshme për organet e pushtetit vendor, zhvillimin e të cilave po vetë i kishte caktuar, në unison me kërkesën e opozitës dhe në kundërshtim me atë të maxhorancës, që në nëntor të vitit të kaluar, për në afatin fundor të hapësirës kushtetuese-ligjore, më 30 qershor 2019.

Në vazhdë të antagonizmit të hapur me frymën dhe gërmën e Ligjit Themelor të Shtetit dhe ligjeve të tjera, të përforcuara apo të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë me votat e jo më pak se 3/5-t e të gjithë deputetëve, siç është Kodi Zgjedhor dhe Ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, Meta deklaroi dje: “Nuk ka nevojë, zgjedhjet janë më 13 tetor për gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Shkodrën, këto janë të vetmet zgjedhje të ligjshme përpara. Deri në marrjen e detyrës nga kryetari i ri, detyrën e mban kryetari që është në detyrë”.

Këtu nuk do të ndalemi te debatet dy mujore të zhvilluara rreth nulitetit që përbën dekreti i Presidentit të Republikës, të shpallur më 10 qershor për anulimin e zgjedhjeve të përgjithshme për organet e pushtetit vendor të zhvilluara tashmë më 30 qershor, as për atë të caktimit të zhvillimit të këtyre zgjedhjeve më13 tetor. Mjafton t’i kujtojmë lexuesit vetëm përmbajtjen e dy dispozitave të Kushtetutës për kompetencat që ushtron Presidenti lidhur me këtë çështje. Komkretisht, neni 92, gërma ‘gj’: “cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”; neni 94: “…nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të tjera të nxjera në pajtim me të”. Se ku e gjen Ilir Meta kompetencën e e anulimit të dekretit të mëparshëm të firmosur nga ai vetë apo atë të caktimit të një date të mëvonshme, le të shfletojë bllokun e hesapeve të veta!

Ndërsa ne këtu le të shfletojmë parashikimet e Ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, meqë Presidenti e zuri në gojë atë gjatë intervistës së djeshme të cituar më lart, Në nenin 61 të këtij Ligji, mbi përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë përcaktohen një sërë rrethanash, si: nuk pranon të bëjë betimin; jep dorëheqjen, shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministravce; kandidon për deputet etj. Në rastin e dorëheqjes (siç ka vepruar Valdrin Pjetri), akti i kësaj dorëheqjeje depozitohet në Këshillin Bashkiak, i cili njofton nga ana e vetë Këshillin e Ministrave. Më tej parashikohet se, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij kryhen nga zëvendëskryetari i bashkisë (pra, jo nga kryetari në detyrë i saj, siç pretendon Partia Demokratike dhe Presidenti i Republikës për Voltana Ademi), ndërsa kur ka më shumë se sa një zëvendëskryetar caktohet me votim njëri prej tyre deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, Ligji parashikon organizimin e zgjedhjeve të pjesëshme për postin e kryetarit të bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Pra, Ligji na referon te Kodi Zgjedhor, çka na detyron që të përqëndrohemi këtu edhe te ai. Shihni çfarë thuhet në nenin 161 (pika 6) të Kodit: Zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ ka vendosur përsëritje, sipas këtij neni votimi përsëritet në të gjitha zonat ku është vendosur përsëritja. Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ dhe përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se sa 4 javë nga data e vendimit.

Pra, askund nuk legjitimohet funksioni i Presidentit të Republikës për të caktuar ndonjë datë të përsëritjes së zgjedhjeve, aq më tepër kur kemi të bëjmë me zgjedhje të pjesëshme, si në rastin e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, në një kohë kur në rastin e dorëheqjes, vdekjes etj, etj të ndonjë anëtari të këshillit të bashkisë bëhet zëvendësimi i tij nga lista e forcës politike me logon e së cilës është zgjedhur anëtari.

Në këto kushte të paravendosura nga legjislacioni në fuqi, për deformimin e rolit të Presidentit mbajnë përgjegjësi të rëndë edhe këshilltarët që mban Meta pas vetes dhe rreth vetes, ndërkohë që është për të ardhur keq me çka po i ndodh atij. Është për të ardhur keq, sepse tashmë është provuar që “ethet e gushtit” e kanë kapluar Ilir Metën që pa filluar ende kalendarisht stina e verës. Dhe është vështirë të parashikosh se deri kur do t’i zgjasë kjo gjendje. Ndoshta… deri aty nga nga fundi i vitit, kur parashikohet të jetë ngritur Gjykata Kushtetuese në shumicë të cilësuar (6-7 anëtarë të saj) për të marrë vendimin përfundimtar mbi shkarkimin e tij nga detyra, dhe kur menjëherë pas këtij akti, SPAK të bëjë punën e vet mbi bazën e akuzave që me gjasë do të nisin të formulohen së shpejti.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Opinion

A kemi krijuar një shoqëri shumë komplekse për të mbijetuar?

Shoqëritë njerëzore evoluan nga format e thjeshta, në ato komplekse gjatë mijëvjeçarëve, duke përjetuar ndryshime…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Mashtrimi me Sazanin – Nga Andi Bushati

Nga Andi Bushati Ka një përpjekje të qëllimshme për ta devijuar polemikën për investimin e…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Analiza/ Pse ka ngjallur kaq shumë debat lajmi për 1 miliard USD në Sazan? Skenarët konspirativë me Trump e Soros

Pse ka ngjallur kaq debat lajmi i fundit për 1 miliard investime amerikane në Shqipëri?…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

A është e vërtetë që Big Brother ndiqet kaq shumë në të gjithë botën, si në Shqipëri?

Nga Ergys Mërtiri A eshte e vertete qe Big Brother ndiqet po kaq shume ne…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Pse çunat duhet të dalin me çunat

Nga Blendi Salaj Ky është një shkrim për burrat e sotëm, për moshatarët e mi…

LEXO ME SHUME