Opinion

Ketro: Përse ka interes vajtja e Sali Berishës në zyrën e Ilir Metës

Nga Altin Ketro

Në kuadër të takimeve konsultative që presidenti Ilir Meta ka ndërmarrë me paraardhësit e vetë në lidhje me vendimmarrjet e tij për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe paranojën që po e shoqëron se kryetari i KED-së po i merr kompetencat, më bën përshtypje emri i Sali Berishës.

Nuk e di pse m’u kujtua viti 2011, vit i cili është shoqëruar nga një tension i lartë politik midis mazhorancës së kryeministrit Berisha dhe presidentit demokrat Topi. Dhe e gjitha kishte lidhje me ngjarjen e 21 janarit ku presidenti Topi mbajti anën e prokurorisë për hetimin e shkaktarëve të vrasjes së 4 demonstruesve. Ftohja midis palëve kishte nisur që pas ngjarjes së Gërdecit, por 21 janari i vuri vulën.

Aq shumë u tërbua Berisha, saqë presidentin Topi jo vetëm e quajti “Horr Bulevardi”, por e futi në grupin puçist ku bënin pjesë: lideri i opozitës, Edi Rama, dhe kryetari i SHISH, Bahri Shaqiri. Berisha përpiqej t’i mbushte mendjen opinionit publik se Rama nuk mund të bënte atë demonstratë pa mbështetjen e presidentit. Dhe, meqë as shefi i SHISH-it, sipas Berishës, nuk e kishte informuar për atë “komplot”, të tre ata në gjykimin e Berishës “ishin organizatorë në përpjekjen për të përmbysur me dhunë një pushtet të dalë nga vota.”

Presidenti Topi u tregua shtetar i vërtet dhe e kaloi atë situatë dhune verbale ndaj tij me një qetësi të admirueshme. Jo sepse u frikësua nga sulmet që i bëheshin, porse përveç kulturës politike që e karakterizonte, ishte detyra dhe kuadri kushtetues që nuk ia lejonin ta kanalizonte sjelljen e kryetarit të shtetit në aspekt personal. Sulmi i vazhdueshëm i Berishës ndaj presidentit me kërcënime për shkarkim ngelën vetëm në rrafshin verbal përsa kohë ai nuk i kishte votat e nevojshme për ta shkarkuar.

Tetë vjet më pas kemi sërish një konflikt të fortë mazhorancë – president, por kësaj radhe kahet janë të kundërta. Natyrisht, nuk është se fillimet presidenciale të Metës ishin vaj me ato të mazhorancës, por të dyja palët u munduan të ruanin një marrëdhënie kortezie që ia kërkonte detyra.

Pa u mbushur viti i parë si president, Ilir Meta filloi akrobacitë me ligjin duke sfiduar mazhorancën. Një herë nuk dekretonte shkarkim ministri e një herë nuk bënte emërimin e tij, ndonëse ato janë ekskluzivitet i kryeministrit. Gafat i vijon duke kthyer mbrapsht buxhetin e shtetit, i cili është vullnet politik i mazhorancës parlamentare.

Kulmin e arriti duke bërë indiferentin gjatë periudhës kur Partia Demokratike dogji mandatet e saj parlamentare dhe nisi aksionet me bomba molotov ndaj institucioneve qendrore, kryeministria e Kuvendi. Kokën e nxorri më 8 qershor kur zhdekretoi zgjedhjet vendore të dekretuara të 30 qershorit, duke i hedhur më shumë benzinë zjarrit që ndizte bashkëliderja e opozitës që është njëkohësisht edhe bashkëshortja e presidentit.

Nën këtë frymë antiligjore që kishte ndërmarrë presidenti, mazhoranca ngriti një komision hetimor. Sa pa u miratuar ai komision, presidenti deklaronte nëpër studio se ishte i gatshëm në çdo moment të jepte dorëheqjen. Por sapo komisioni u votua me mbi 94 vota, ai u egërsua keqazi dhe e harroi premtimin e tij. Ndonëse mazhoranca i kishte votat e nevojshme për ta shkarkuar menjëherë, ajo u tregua e matur dhe ftoi Komisionin e Venecias për të dhënë një mendim të specializuar. Edhe mendimi i këtij komisioni, pavarësisht lobimit të fortë të presidentit për ta zbutur përfundimet, rezultoi me konkluzionin se presidenti ka shkelur ligjin me zhdekretimin e zgjedhjeve.

Sa më shumë afrohet data kur komisioni do dalë me aktin e tij final drejtuar parlamentit për shkarkimin e presidentit, aq më shumë ai përpiqet të rrisë në mënyrë artificiale tensionin politik. Pasi ka kryer një shkelje të rëndë siç ajo e zhdekretimit të zgjedhjeve, presidentit Meta i ka dalë turpi për të kryer shkelje ligjore në vijimësi.

Nuk po merrem fare me konfliktin më të ri, atë me kryetarin e KED-së si dhe me përzgjedhjen e tij për anëtare në gjykatën Kushtetuese të numrit katër në listë, nga numri tre që ishte kufiri që ligji ia lejonte.

Presidenti së fundmi ka bërë thirrje të përsëritur që populli të rrëmbejë armët dhe të hyjë në luftë civile me qeverinë dhe mbështetësit e saj. Gjithashtu, ai po hedh në publik idenë se është gati të shpërndajë edhe Kuvendin, ndonëse mazhoranca ka 78 mandate të veta të blinduara, nga 71 që i duhen për të mbajtur në këmbë qeverinë. I anatemon përfaqësuesit diplomatikë si “lecka të Edi Ramës”, e shumë veprime të tjera të ulëta për figurën e një kryetari të shtetit. Së fundmi thërret në presidencë gjithë grupin e zjarrit të opozitës dhe bie dakord me ta që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme.

Me gjithë këto manovra antiligjore, të pa ndodhura kurrë më parë nga një president në detyrë, mazhoranca socialiste dhe kryeministri Rama po tregohen tmerrësisht të duruar. Tani, ballafaqoni për një çast atë çka bëri presidenti Topi që më pas kryeministri Berisha e shpalli si puçist që synonte rrëzimin me dhunë të qeverisë, me veprimet aktive të presidentit Meta që e ka qëllim në vetvete rrëzimin nga pushteti të kësaj mazhorance. Qëllime që s’e ka problem t’i shfaqë hapur, bile të jetë nxitës i dhunës siç ishin ditët që pasuan datën 8 qershor apo së fundmi ato për rrëmbim armësh.

Prandaj e pres me shumë interes ditën kur ish-presidenti Berisha t’i shkojnë në zyrë Ilir Metës. Për të parë edhe njëherë njeriun e paskrupull Sali Berisha, që s’e ka për hiçgjë që presidentin Topi ta konsideroj puçist përse kërkoi hetim për 4 vrasje, kurse presidentin Meta hero pse kërkon të rrëzojë përdhunisht qeverinë “Rama”.

Ironia e fatit bën që Sali Berisha, për interesa personale, të lëpijë sot atë çka dje e ka pështyrë. Në rast se i shkon në zyrë Ilir Metës dhe i del në krah, atëherë sipas botëkuptimit të Berishës, ky do të jetë një moment rehabilitimi për ish-presidentin Topi. Ama, në rast se nuk i shkon, atëherë sipas zhargonit të Berishës, presidenti Meta i takon të jetë puçist. Cilën rrugë do zgjedhë vallë?!

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button