fbpx
Opinion

Kur programet dhe strategjitë bëhen vetëm me foto nëpër rrjete sociale!

Nga Elivar Golemi

Me një gjuhë mjaft diplomatike, siç ndërkombëtarët përdorin zakonisht në vlerësimin e aktivitetit ekonomik të vendeve me të cilat kanë marrëdhënie monitorimi dhe mbështetje/kreditimi, deklarata më e fundit e FMN-së thekson dhe rithekson disa gjetje dhe problematika (të quajtura ndryshe risqe të shtuara) lidhur me mungesën e transparencës dhe llogaridhënies nga ana e qeverisë në menaxhimin e financave publike dhe administrimin e projekteve të partneritet publik privat. Disa nga vëzhgimet kryesore të misionit FMN, të cilat lehtësisht mund të vihen re edhe duke hulumtuar në faqen e Ministrisë së Financave, janë :

1. Qeveria nuk ka një strategji afatmesme të rishikuar për financat publike dhe politikat fiskale. Pavarësisht dy krizave të njëpasnjëshme, qeveria ende nuk ka bërë rishikimin e strategjisë afatmesme 2020 – 2022, por vendimet merren në mënyrë sporadike, pa nje analizë dhe vlerësim të gjithanshëm të situatës post-COVID-19. Pra, thënë me thjeshtë, kur thuhet po ulen tatimet aq dhe po rritet paga bazë kaq, përtej vendimit nuk ka një analizë apo vlerësim strategjik mbi efektet që do te kenë masat e propozuar në kushtet e një krize ekonomike. Me gjuhën e rrjeteve sociale mund të quhen thjeshtë shashka populiste parazgjedhore.

2. Menaxhimi i fondeve për rindërtimin e ekonomisë pas tërmetit bëhet pa respektuar rregullat në fuqi për menaxhinin e fondeve publike, pa një strukturë kontrolli të përshtatshme dhe në mungesë të plotë transparence dhe llogaridhënie. Për kuriozitet, i vetmi informacion i publikuar nga Qeveria lidhur me menaxhimin e fondeve për rindërtimin pas tërmetit, u postua dje në rrjetet sociale, për herë të parë në një takim me gazetarët, në formën e disa grafikëve shumëngjyrësh por pak informues. Edhe pse ka një ministër për rindërtimin, nuk ka ende një program për masat që janë marrë dhe do të merren. Të paktat informacione që mund të gjesh nga kërkimet në internet janë disa vendime të Këshillit të Ministrave, në çdo rast të miratuara nga zv.Kryeministri i vendit, nepermjet të cilave është miratuar një rishpërndarje kaotike e fondeve buxhetore, por pa patur asnjë tablo të qartë të situatës: dëme të evidentuara, masa të marra deri tani dhe projekte për tu realizuar.

3. Evidentohet fakti që borxhi publik ka kaluar mbi 80% të PBBsë (më i larti në rajon) dhe se qeveria nuk ka ende nje strategji të miratuar për mbajtjen nën kontroll dhe uljen e borxhit në vijim. Evidentohet mungesa e një informacioni të saktë mbi detyrimet buxhetore të prapambetura, për shkak të detyrimeve që lidhen me kontratat koncesionare dhe PPPve, por në mungesë të këtij informacioni, FMN i rekomandon qeverisë që të merren masat për shlyerjen dhe menaxhimin më të mirë të detyrimeve të prapambetura. Theksohet përsëri qëndrimi institucional kundër miratimit të ligjit për amnistinë fiskale.

4. Adresohet problematika e mungesës së transparencës në përzgjedhjen dhe miratimin e projekteve të investimeve. Sipas monitorimit vlerësohet se nuk ka një regjistër të plotë të projekteve të propozuara, për të analizuar dhe vlerësuar prioritetin e investimeve që duhen kryer. Miratimi i projekteve bëhet në mënyrë të rastësishme dhe pa një analizë shoqëruese të dobisë ekonomike. Duke vepruar në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, qeveria ka shmangur rregullat bazë të planifikimit, prokurimit, monitorimit dhe audititmit të projekteve dhe shpenzimeve në tërësi gjatë periudhës së krizës pandemike. FMN kërkon që kjo situatë të marrë fund sa më shpejt dhe menaxhimi i fondeve publike të vendoset brenda kornizave rregullative sipas legjislacionit në fuqi.
Më qartë se kaq…

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe

Close
Back to top button