fbpx
Opinion

Me dorën tek Kur’an-i dhe shpirtin e shitur tek shejtani

Nga Ndriçim Mehmeti

Në dëshpërim të thellë për zbulimin e zullumeve, paaftësisë, dobësisë për të qeverisur vendin dhe menaxhuar fatkeqësinë më të madhe në më shumë se 50 vite, Komandanti Rama, lëviz sa andej këndej për ndihmë.

Në Perëndim ai kujton se jemi vendi i Nënë Terezëz, Skënderbeut, Xhim e Xhon Belushit e të tilla shprehje bajate, të ripërsëritura me mijëra herë. Në Lindje, tek miku i tij i ngushtë, ai flet për KUR’AN, për din e imam, për vlerat e larta të mëshirës, dritës, vëllazërisë.

Gjithollogu Rama, së fundi edhe teolog, duket se ka marrë përsipër të vjelë ndihma gjithandej, duke harruar se shumë syresh e shikojnë atë me shumë dyshim.

A mundet të besoj kush se adhuruesi i shejtanit, tani pas fatkeqësisë është bërë bir i Perëndisë e për më tepër dashamirës i Allahut.

Mjeshtër i propagandës dhe të bërit për vete njerëzit me fjalime të ngadalta, hera-herës të ndërprera me psherëtima nga ‘thellësia e zemrës’, me ofshama të huazuara nga plakat kur diskutonin në muzg sokakeve, për hallet e tyre apo për burrat që u vinin tape përditë, Komandanti, kërkon të mbush radaken e të tjerëve, se nuk kërkon gjë për vete por për popullin që aq shumë i qan zemra.

Në shumë raste, brenda vendit ka arritur që me këtë taktikë të fitoj ca pikë dhe njerëzit kanë nisur të mendojnë se e kanë përnjëmend. Sigurisht që edhe këtu i vjen shumë në ndihmë jo fjalimet patetike, por ulja dhe trashja e zërit sipas rastit, e folmja nën zë e shoqëruar me nervozitet, urdhrat e prera për të gjithë, Braçe, Llesh, Klos, Çuç, Xhaçkë e të gjithë me radhë. I vetmi që nuk ka ngrënë ndonjë dajak live është Çako, shefi i emergjencave që nuk dihet pse e mban atë post, sidomos në këtë kohë.

Po ja u qa, shkoi dhe tregoi për miqësinë tonë kaq të lashtë e të pazgjidhshme me Turqinë, për orientimin perëndimor të Shqipërisë, po a e beson kush njeriun që shpirtin ja ka shitur shejtanit tani e 20 vite që ka në pushtet? Kush mundet të besojë një njeri që është gati të gënjej edhe veten, për më shumë pushtet, para dhe lavdi personale?

Kush mundet të besojë se njeriu që premtoi se do të ishte shërbëtori i parë i popullit, e shtypi, e rropi, e varfëroi, shkretoi vendin duke i degdisur larg e më larg bashkëkombësit e vet? Njeriu që u kthye nga shërbëtori i parë në Skënderbe, Komandant, Njëshi, Zoti, mbi tokë, tani vë dorën në Kur’an, na sjell në vëmendje fraza nga libri i shenjtë, ndërkohë që shejtanin e ka për mik ditë e natë.

Si është e mundur që diaspora shqiptare, për të cilën organizoi samite, ndau dekorata e diploma nuk ju përgjigjën thirrjes së tij, njëshit të qeverisë, më të mirit të më të ‘këqijve’ në 30 vitet e fundit, për ndihmë. Kërcënon me kokën lart e sytë poshtë ndërtuesit, se ‘do i fut në burg, shpirti do t’ju shkoj në xhehnem nëse nuk marrin përsipër pasojat e tërmetit për të larë ndërgjegjen,’ e të tjerra pallavra si këto, por emrat ama nuk guxon t’jua thotë.

Rri e bredh, pi kafe këmbë mbi këmbë nëpër Evropë, rreh shpatullat e nduk faqet me biznesmenët e Lindjes, shkon në Romë e takon lojtarët e ekipit të tij të zemrës dhe uron ti dali edhe enjë rrugë tjetër larg Tiranës. Me dorën tek Kur’an-i e ‘shpirtin plot mëshirë’, kthehet në vend të vetë dhe urdhëron t’i mbahet rroga policit, mjekut, mësuesit, infermierit e këdo që mund ta kërcënoj me bukën e gojës. Ndërkaq atje ku shkon na flet për vëllazëri, solidaritet material, se për atë shpirtëror, duket se është ngopur.

Komandant! A mundet që duke u hequr si evlija të shtysh kështu duke u zvarritur edhe ca muaj a ditë?

Këtë pyetje në fakt ja bëj vetes jo ty. Për ty Skënderbe dhe motrën tënde Elisë, mund të rish aty ku je edhe për 50 vite, sa të rregulloni punët dhe pasurinë edhe për stër stërnipat.

Por pyetja nëse duhet të rish qoftë edhe një ditë më shumë, ja bëj vetes dhe të tjerëve si unë. Shumë mendojnë, shkruajnë, flasin se nuk të kanë votuar e nuk të votojnë, por në fakt po shumë duken edhe ata që ngërdheshen me ty, qajnë hallet me demek rastësisht sa herë që afrohet mikrofoni e dalin mirë në TV.

Ti nuk harron të hiqesh si evlija, ti kërkosh falje fëmijës që e tromakse për një automatik lodër që mbante në dorë, të na tregosh sa herët çohesh për në punë (por ndonjë punë nuk kemi parë të bësh, veç fjalëve), të caktosh detyrat për bojaxhinjtë, inxhinierët, ekspertët e madje nuk na harrove gjënë më kryesore: Të na fandaksje para kamerave imazhin tënd për Durrësin modern, akulloren Gjushi.

‘Mi qëndis pak letrat Shef, se e di vetë ti’. Kaq pak sa shkëputën mediat nga komunikimi i ngrohtë mes Komandantit dhe Gjushit, do të mjaftonte, që shefi i qeverisë, të mos guxonte të shkonte në Durrës, prej refuzimit të njerëzve. Jo më larg se dy vjet më parë, lagje më lagje e shesh më shesh ushtonte jehona e fjalëve të Komandant Ramës: ‘Do ta kujtoni për një kohë të gjatë Vangjushin dhe punët e mira që ai bëri për qytetin tuaj’.

Dhe vërtet ky është nga rastet e pakta kur Rama nuk ka gënjyer. Durrsakët do ta kujtojnë për një kohë të gjatë Gjushin dhe engjëllin e tij mbrojtës Rama. Rrënojat, shembjet e ndërtesave, lemeria dhe llahtaria që kaluan në dy tërmete e në veçanti ai i 26 nëntorit, nuk ka për tu shlyer kurrë nga kujtesa e tyre. Sigurisht që fatkeqësia ka emër dhe nuk mund t’i ngarkohet Zotit, sikundër ‘besimtari i devotshëm’ Rama kërkon ta shesë.

Jo ai që e quan veten Zot në tokë, pra pikërisht Rama, ka përgjegjësitë e veta, nga të cilat, shpresojmë shumë që kësaj radhe të mos u dredhoj a ta shpëtojnë. Rama duhet të na nxjerri nga sirtarët nëse e ka, planin e premtuar për masat që do të merreshin, pas tërmetit të 21 shtatorit.

Por me siguri ai nuk e ka një pan të tillë dhe këtu duhet të fillojë përgjegjësia. Si ka mundësi që në mes të Tiranës u rrënohen shkollat që kishin 1 apo dy vjet të rikonsktruktuara? Komandanti i vizitoi disa herë godinat e qytetit Studenti, duke u mburrur se do të bëheshin moderne dhe shembull, për Ballkanin dhe Evropën.

Por ra tërmeti dhe i fshiu nga faqja e dheut.

Ai duhet të na shpjegojë shumë e shumë gjëra, por përmbi gjithçka, ta zbulojmë në sytë e njerëzve, se me dorën tek Kur’an-i dhe shpirtin e shitur tek shejtani, nuk mund t’ia hedhës paq Komandant. Koha e së vërtetës ka trokitur dhe nuk mund të bëjmë sehir as të shihemi pas frazës së dalë boje, se ‘nuk është koha për politikë’.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button