Categories Opinion

“Pse bërtisni? ‘Memorialet’ turke i keni në shtëpi”

Nga Marsel Lela

‘Telenovela’ turke që theu të gjitha rekordet në marrjen e vëmendjes së publikut shqiptar, është padiskutim ajo e memorialit të të vrarëve në grushtin e shtetit ndaj Erdoganit, vënë te kodrat e Liqenit Artificial. Zhurmë mediatike, zhurmë opinionesh e analizash, zhurmë në rrjetet sociale. Nëse shkaku i kësaj zhurme për një pjesë të mirë të të indinjuarve do të kishte qenë cenimi i sovranitetit të vendit, ngulja e një memoriali pa lidhje me Shqipërinë në zemër të saj, apo marrja e vendimit për vënien e tij në mënyrë të fshehtë, atëhere do të ishte e përligjur. Por indinjata ndaj këtij memoriali kishte të bënte më së shumti me origjinën e tij. Një memorial turk? Ata që na kanë pushtuar për 500 vjet? Jazëk!

Kjo i kthen shumicën e zërave kundër në ‘shumë zhurmë për asgjë’, sepse nuk është as turku dhe as myslimani arsyeja e drejtë për t’u indinjuar. Përveçse e padrejtë, duket edhe paarsyeshme të indinjohesh ndaj një memoriali vetëm për faktin se është turk, ndërkohë që janë me dhjetëra ‘memoriale’ të tilla të ngritura në arsim, biznes, shëndetësi, kulinari, kinematografi, e muzikë. Te muzika nuk kam ndërmend vetëm motivet orientale turke, por edhe vargjet e një këngë popullore me motive nga Jugu ku thuhet: “Ku vanë zakonet që patëm, zakonet që la Turqia?” Memoriali erdoganist është një gjë që mund të shkulet që andej kurdoherë, por memoriale të tilla janë metafora të fuqishme, dhe metaforat janë thuajse të pamundura për t’u shkulur.

Le të shohim disa fakte të tjera përse burimi i indinjatës së shqiptarëve në këtë rast nuk mund të jetë as turqit dhe as myslimanët. Nëse shqiptarët do të ishin turkofobë, atëhere gardëroba e tyre nuk do të ishte dingas me Versace, Armani, Adidas, Reebook, Guci e Victoria’s Secrets të prodhuar në Turqi.

Nëse indinjata e tyre do të kishte si shënjestër vërtetë Turqinë, atëhere telenovelat turke nuk do të thyenin rekordet e shikueshmërisë në Shqipëri. Gymyshi (bukuroshja e telenovelave turke) nuk do të paguhej 30 mijë euro vetëm për të shkuar dhjetë minuta tek Ardit Gjebrea. Digitalb nuk do të kishte një kanal të posaçëm dedikuar serialeve turke, dhe heroi i jo pak të rinjve në Shqipëri, nuk do të ishte Ertogruli.

Pa përmendur faktin se shumica e shqiptarëve nuk pranojnë ta blejnë mishin tjetër kund përveçse në pikat Hallall. Pra, nëse zgjedhim nacionalizmin si strehë prej nga të godasim memorialin erdoganist, kjo është një strehë që fut ujë. Metaforat ia kemi pranuar Turqisë, objektet janë një hiçmosgjë para tyre./politiko

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Opinion

A kemi krijuar një shoqëri shumë komplekse për të mbijetuar?

Shoqëritë njerëzore evoluan nga format e thjeshta, në ato komplekse gjatë mijëvjeçarëve, duke përjetuar ndryshime…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Mashtrimi me Sazanin – Nga Andi Bushati

Nga Andi Bushati Ka një përpjekje të qëllimshme për ta devijuar polemikën për investimin e…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Analiza/ Pse ka ngjallur kaq shumë debat lajmi për 1 miliard USD në Sazan? Skenarët konspirativë me Trump e Soros

Pse ka ngjallur kaq debat lajmi i fundit për 1 miliard investime amerikane në Shqipëri?…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

A është e vërtetë që Big Brother ndiqet kaq shumë në të gjithë botën, si në Shqipëri?

Nga Ergys Mërtiri A eshte e vertete qe Big Brother ndiqet po kaq shume ne…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Pse çunat duhet të dalin me çunat

Nga Blendi Salaj Ky është një shkrim për burrat e sotëm, për moshatarët e mi…

LEXO ME SHUME