Categories Opinion

Pse këtë herë ishte ndryshe…

Në vitin 2003, bota arriti të frenonte epideminë SARS në Azinë Juglindore dhe i dha fund krizës deri në korrik të po atij viti. Bazuar në informacionet e kufizuara që kemi aktualisht në dispozicion, katër faktorë ndihmojnë për të shpjeguar ndryshimin midis asaj që ndodhi atëherë dhe asaj që po ndodh tani. Autor: Carl Bildt

Si do të përfundojë mega-kriza? Unë nuk e di, askush nuk e di. Pra, ndoshta do të ishte më produktive të reflektonim se si filloi ajo. Duke adresuar këtë çështje, ne mund të jemi në gjendje të përmirësojmë shanset tona për të shmangur një pandemi tjetër në të ardhmen. Kriza aktuale nuk është aspak e para në llojin e saj. Në fillim të vitit 2003, një koronavirus tjetër – SARS-CoV-1 – papritmas u përhap nga Kina Jugore në Azinë Juglindore, por ai mbeti rajonal. Më vonë, mësuam se SARS (sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes) kishte ca kohë që ishte përhapur në Kinën jugore dhe se zyrtarët kinezë kishin nguruar madje të pranonin ekzistencën e tij dhe të nxirrnin një paralajmërim, e jo më të ndërmerrnin masa të përshtatshme për ta frenuar atë. Kambanat ranë vetëm pasi pandemia mbërriti në Hong Kong, një qendër kryesore financiare globale.

Megjithatë, menjëherë pas kësaj nisi një veprim i koordinuar ndërkombëtar. Pati një rënie të ndjeshme të trafikut ajror në rajon dhe shumë zona u izoluan. Drejtuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në atë kohë kritikuan Kinën për reagimin e saj të ngadaltë dhe ministri kinez i shëndetësisë u shkarkua me të drejtë. Në fillim të korrikut, OBSH qe në gjendje të deklaronte fundin e krizës, duke hequr rekomandimet e saj të mbetura për masa kufizuese. Bota u kthye në normalitet. Pse kemi dështuar në mënyrë kaq spektakolare në vitin 2020, pasi ia dolëm mbanë me sukses në vitin 2003? Çdo përgjigje për këtë pyetje do të jetë hipotetike, sepse ka shumë gjëra që ende nuk dimë për COVID apo për muajt e parë të shpërthimit të këtij virusi të ri. Gjithsesi, unë shoh katër faktorë që mund të ndihmojnë për të shpjeguar ndryshimin midis tani dhe atëherë.

Fillimisht, u desh kohë që autoritetet kineze të hapnin sytë para asaj që po ndodhte, t’i binin alarmit dhe të fillonin të ndërmerrnin masa. Nga sa dimë u shfaq për herë të parë në Kinë në mes të nëntorit 2019 dhe u zbulua duke u përhapur në Wuhan nga mesi i dhjetorit, kur në Tajvan filluan të qarkullonin raporte për këtë. Më në fund, më 31 dhjetor 2019, Kina njoftoi OBSH-në për një përhapje të mundshme të tij.

Gjatë atyre javëve të para, autoritetet lokale në Wuhan u përpoqën ta fshihnin shpërthimin e virusit, përfshirë duke fshehur informacione nga qeveria qendrore në Pekin. Mund të mos dimë kurrë se sa kohë çuan dëm zyrtarët në Wuhan. Por dimë se pas raportit të parë të Kinës për OBSH-në, u deshën tre javë të tjera që autoritetet kineze të mbyllnin provincën Hubei. Deri atëherë, shumë banorë ishin larguar për festën e Vitit të Ri kinez, duke e përhapur koronavirusin e ri, SARS-CoV-2 në pjesë të tjera të vendit (ndërkohë, Wuhan-i lejoi vazhdimin e festimeve nëpër rrugë).

Një faktor i dytë që e bën këtë krizë ndryshe nga ajo e vitit 2003 është se SARS-CoV-2 duket se është shumë më ngjitës sesa paraardhësi i tij. Kjo ka zmadhuar pasojat e zvarritjes së Kinës. Gjatë atyre 5-7 javëve fillestare, dhe në javët pasi OBSH-ja dha alarmin, kur pjesa tjetër e botës bëri shumë pak, ai qe në gjendje të përhapej shumë më larg dhe shumë më gjerë sesa u përhap SARS dhe rezultati ka qenë shumë më vdekjeprurës.

Faktori i tretë është se bota e 2019-2020 është shumë më e ndërlidhur nga sa ishte bota e viteve 2002-2003. Wuhan-i, një qytet 11 milionë banorë, ndonjëherë është quajtur Çikagoja e Kinës, për shkak të integrimit të tij të gjerë në zinxhirët e furnizimit global. Gjatë dekadave të fundit, qyteti është zhvilluar në një qendër të madhe. Para izolimit për shkak të pandemisë, kishte gjashtë fluturime në javë nga Wuhan-i për në Paris (si dhe pesë drejt Romës e tre drejt Londrës), si edhe fluturime të shpeshta pa ndalesë për në San Francisko dhe Nju Jork. Ajo që ndodhi në Wuhan nuk mbeti në Wuhan.

Faktori i fundit që nuk mund të shpërfillet është dimensioni gjeopolitik. Bota po binte në një gjendje të vazhdueshme konfrontimi dhe rrëmuje shumë kohë para shpërthimit të krizës. Në vitin 2003, ishte e natyrshme që komuniteti ndërkombëtar do të bashkohej më shpejt për të koordinuar një përgjigje të përbashkët. Por në vitin 2020, ai skenar as që diskutohej. Edhe pasi virusi ishte përhapur në të gjithë globin, administrata e presidentit amerikan Donald Trump vazhdoi ta mohonte problemin. Dhe deri më sot, ajo nuk ka bërë as gjestin më të vogël drejt ofrimit të lidershipit global.

Heqja dorë nga ana e Amerikës e rolit të saj historik ka pasur efektet e veta, duke infektuar shumicën e instrumenteve të përcaktuara për bashkëpunim global. Kur OBSH-ja e shpalli COVID-19 një pandemi më 11 mars, tashmë mund të ishte tepër vonë. Por reagimi konfuz dhe i paqartë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të mëdha i ka përkeqësuar dhe më shumë gjërat.

Përfundimi im është se këta katër faktorë së bashku shpjegojnë se përse ky episod është shumë i rëndë sesa epidemia e SARS. Një koronavirus i ri e ka zhytur botën në një mega-krizë gjasat e të cilës nuk i kemi parë në kohët moderne. Ne duhet të marrim parasysh kuptimin që ka kjo për gjendjen e qeverisjes globale. Përsëri, askush nuk e di se si do të përfundojë kjo krizë. Por duke kuptuar se si ajo nisi, mund të jemi në gjendje të parandalojmë, ose të paktën të zbusim, një krizë tjetër që mund të vijë në të ardhme. Marrë me autorizim nga Project Syndicate

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Opinion

A kemi krijuar një shoqëri shumë komplekse për të mbijetuar?

Shoqëritë njerëzore evoluan nga format e thjeshta, në ato komplekse gjatë mijëvjeçarëve, duke përjetuar ndryshime…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Mashtrimi me Sazanin – Nga Andi Bushati

Nga Andi Bushati Ka një përpjekje të qëllimshme për ta devijuar polemikën për investimin e…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Analiza/ Pse ka ngjallur kaq shumë debat lajmi për 1 miliard USD në Sazan? Skenarët konspirativë me Trump e Soros

Pse ka ngjallur kaq debat lajmi i fundit për 1 miliard investime amerikane në Shqipëri?…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

A është e vërtetë që Big Brother ndiqet kaq shumë në të gjithë botën, si në Shqipëri?

Nga Ergys Mërtiri A eshte e vertete qe Big Brother ndiqet po kaq shume ne…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Pse çunat duhet të dalin me çunat

Nga Blendi Salaj Ky është një shkrim për burrat e sotëm, për moshatarët e mi…

LEXO ME SHUME