
Partia Demokratike do të mbështesë me të gjitha format protestën e studentëve në të gjithë vendin.
Ky është vendimi që u mor në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së këtë të hënë. Pak orë pasi ishin bërë publike rezultatet për zgjedhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, Basha thirri Grupin Parlamentar për të koordinuar qëndrimin e opozitës në raport me protestën e studentëve dhe marrëdhënien me Parlamentin. Basha theksoi se PD-ja është kundër ligjit për arsimin e lartë dhe anulimi i atij ligji do të jetë akti i parë kur e djathta të vijë në pushtet.
“Sot është protesta e studentëve. Partia Demokratike dhe unë e mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat dhe natyrisht që jemi atje me mish, me shpirt e me mendje. Njerëzit tanë, fëmijët tanë, i mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat. Prindërit janë atje për t’i mbështetur. Jam i vetëdijshëm se nuk ka nevojë, përkundrazi, kundërshtari politik po mundohet ta instrumentalizojë politikisht këtë çështje. Nuk ka nevojë të bëjmë akte protagonizmi, për t’i shërbyer pikërisht propagandës së ndyrë të Edi Ramës, i cili prej 13 ditësh po i torturon këta të rinj, të cilët kanë një kërkesë të thjeshtë: Plotëso 8 kërkesat, plotëso 8 kërkesat një orë e më parë. Ne i mbështesim studentët dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim me të gjitha format dhe mjetet. Bijtë e shqiptarëve janë në protestë. Studentët janë në protestë, kanë kërkesa legjitime, ne i mbështesim, pikë! Ne jemi kundër Ligjit për Arsimin e Lartë”, tha Basha.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, ish-Kryeministri Berisha ka kërkuar që deputetët e PD-së të mbështesin me të gjitha format protestën e studentëve duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen me ata të rinj. Më radikal në qëndrimin e tij ishte sekretari i Grupit Parlamentar të PD-së, Ervin Salianji, i cili kërkoi që deputetët demokratë të djegin mandatet dhe të bashkohen me studentët në protestë. Sipas Salianjit, paqartësia është armiku më i madh i opozitës në këtë moment.