Politike

Çfarë fshihet pas takimeve të Yuri Kim të ditëve të fundit? Kush është peshku i madh?

Shtatori pritej të kishte arrestime nga organet e reja të drejtësisë, por kur kanë kaluar më shumë se 20 ditë, ende nuk ka asnjë “shkëndijë”. Megjithatë duket se diçka po “zien”… Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim prej disa ditës ka vizituar krerët, prokurorët e gjyqtarët e organeve të reja duke përcjellë mesazhe të forta për goditjen e korrupsionit pa “mburojë”.

E gjitha nisi ditën kur Kim takoi kreun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja. Detajet për takimet i ka ndarë vetë ambasadorja Kim, e cila i kërkoi Krajës që SPAK të hetojë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar pavarësisht sa i pasur, i fuqishëm apo cilës parti mund të jetë një individ.

“Takova sot shefin e SPAK për të nënvizuar edhe një herë pritshmërinë që SPAK do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar – pavarësisht sa i fuqishëm apo i pasur, pavarësisht se cila parti. Me më shumë prokurorë dhe hetues të rinj të BKH, SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate çdo ditë. Që nga fillimi i vitit 2021, SPAK ka hapur 264 raste të reja (218 korrupsion + 46 organizata krim). 127 persona janë dënuar. Vendimet përfundimtare të gjykatës konfirmuan konfiskimin e € 70+ milion që tani i janë transferuar shtetit shqiptar. Hap pas hapi”, shkruan Kim.

Nuk kaloi shumë kohë, vetëm 5 ditë dhe ambasadorja shkoi sërish në godinën “Poli i Drejtësisë”, kësaj herë për të takuar shefen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajna, por për takimin me këtë të fundit nuk dha asnjë detaj lidhur me çfarë kishin diskutuar. Por nuk mbaroi këtu! Pasi u takua me krerët e institucioneve, ambasadorja Kim zhvilloi një takim edhe me 15 prokurorët e SPAK, duke mos e kursyer as këtu një “këshillë” për të luftuar korrupsionin. Ambasadorja amerikane u ka bërë thirrje prokurorëve që të hetojnë të gjithë ‘ata përgjegjës që dëmtojnë shqiptarët dhe pasurojnë vetveten përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit’.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua me 15 prokurorët e SPAK për t’iu shprehur vlerësimin për punën e palodhur në ekip dhe ndjekjet penale të shumta të suksesshme. Është lajm i mirë për Shqipërinë që klasa e parë e hetuesve të BKH po iu bashkohet atyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Klasa e BKH me 28 hetues të përkushtuar dhe të trajnuar mirë do të sigurojë ndërtimin e çështjeve të forta nga SPAK. Së bashku, ata do u japin përparësi dhe fokus çështjeve më të rëndësishme dhe do modelojnë pavarësi dhe përgjegjshmëri. Së bashku, ata do të ndjekin penalisht dhe do bëjnë përgjegjës ata që dëmtojnë shqiptarët dhe pasurojnë vetveten përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit. Askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po merr fund”, tha Ambasada.

Me të mbaruar me organet hetuese, Kim nisi “turin” me gjyqtarët duke zbarkuar në zyrat e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndodhet para vendimeve të rëndësishme në javët që do të vijnë. Njëra është për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe tjetra për kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Por vetëm disa ditë para se të jepet vendimi, Kim u shkoi në zyrë duke theksuar se Gjykata duhet të vazhdojë të japë gjykime me integritet dhe pavarësi në përputhje me betimin e tyre.

“Teksa Gjykata Kushtetuese kthehet në seancë, unë shkova për të nderuar gjykatësit. Kritike për Kushtetuesen që të vazhdojë të japë gjykime me integritet dhe pavarësi, në përputhje me betimin e tyre në detyrë. Ne jemi duke punuar me institucionet përkatëse kështu që Gjykata Kushtetuese do të ketë anëtarësim të plotë,”-bëri me dije ambasadorja Kim nga takimi.

Por për të dhënë vendime të drejta duhet që të gjithë ata që marrin vendime të jenë të “filtruar” në të gjitha hallkat, ndaj Kim nuk “përtoi” të shihte nga afër edhe ambientet e punës së gjyqtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Gjatë takimit me komisionerët e KPK-së, Kim tha se Vettingu me integritet e pavarësi, është themeli i reformës në drejtësi, teksa shton se kush thelbësor për futjen e vendit në BE është pikërisht një drejtësi profesionale. Ndërsa me gjyqtarët e KPA-së, ajo u shpreh se ata kanë përgjegjësinë më të vështirë, dhënien e gjykimit përfundimtar dhe se pavarësisht presionit kanë vazhduar me zbatimin e këtij elementi të rëndësishëm të reformës në drejtësi.

Por në të gjitha takimet që ambasadorja ka bërë brenda 10 ditëshit të fundit, një mesazh përsëritet kudo: Askush nuk është mbi ligjin! Në çdo takim që zhvillon pas dyerve të mbyllura duket se Yuri Kim kërkon hetim, prangosje, ndëshkim, drejtësi. Megjithatë ende nuk po duket asnjë rezultat. Kush do të jenë “peshqit e mëdhenj” që do të hetohen? Për kë “bien këmbanat”? Shtatori po ikën, por ende nuk ka asnjë shenjë ‘jete’ nga drejtësia e re. Për kë do të jetë radha vallë, “kokat” e botës së errët të krimit, apo ndonjë personazh të politikës?

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: