Politike

Ideja e Haradinajt për Konferencë Ndërkombëtare – e rrezikshme për Kosovën

Kryeministri Ramush Haradinaj, në një letër drejtuar Ambasadorëve të QUINT-it, ka kërkuar inicimin e një Konference Ndërkombëtare, në të cilën do të arrihej marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, duke mos qenë i vetëdijshëm se një ide e tillë bart rrezik të madh, trasnmeton Gazeta Metro.

Haradinaj ka projektuar kështu një format të ri të Dialogut, që në realitet mund të jetë shkatërrues për Kosovën. Kështu kanë lënë të kuptohet me reagimet e tyre Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett. Ideja e Haradinajt për Konferencë Ndërkombëtare është kundërshtuar nga Veseli, i cili e ka konsideruar atë si të dëmshme, sepse lë mundësinë e hapjes së statusit të Kosovës dhe involvimin e Rusisë.

“A i duhet Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të rrezikojë me rihapje të negociatave për statusin? Konferencë Ndërkombëtare për çfarë? Derisa po flasim e po trumbetojmë për shtetin e sovranitetin, pse t’i hapim vetes gajle? Pse t’i hapim vetes dilema, kur e kemi shtetin tonë të pavarur e sovran? Dhe, a mos po i hapim rrugë Rusisë për të marrë pjesë në Konferencë, që të involvohet në çështjen e Kosovës?”, ka deklaruar Veseli, të martën, në një intervistë për TV Dukagjinin.

Veseli ka rikujtuar faktin se SHBA-të e ka menduar mirë pse Dialogu duhet të shkojë përmes Bashkimit Evropian, dhe këtë nuk e ka bërë rastësisht. Një ditë më pas, këtë ide të Haradinajt e ka kundërshtuar zyrtarisht me një deklaratë për media edhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet e thirrjes së një Konference Ndërkombëtare për Kosovën. Kjo ide përmban rrezikun real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e involvimit të Rusisë në proces”, thuhej në deklaratën e PDK-së.

Qëndrim saktësisht të njëjtë kundër idesë së Kryeministrit Ramush Haradinaj ka mbajtur edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett. Ai ka thënë për Interaktiv të KTV-së se nuk e mbështet një ide të tillë. “Jo. Ideja për Konferencë Ndërkombëtare tani hap shumë dyer, hap derën për diskutimin e çështjeve që tashmë janë vendosur, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës. Do të mund të përfshinte edhe palë tjera, që vetëm se do ta ndërlikonin punën”, ka thënë Kosnett.

I pyetur nëse në mesin e palëve tjera që do të mund të përfshiheshin në këtë Konferencë të propozuar nga Haradinaj do mund të ishte dikush si Rusia, Ambasadori Amerikan është shprehur: “Si ajo, për shembull”. Dialogu i Brukselit, që është format i projektuar nga BE dhe i mbështetur nga SHBA, i cili synohet të përfundojë me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, aktualisht është i bllokuar, për shkak të vendosjes së taksës, ndërsa Kryeministri Haradinaj vazhdon të refuzojë kërkesën e SHBA-së për pezullimin e saj, duke rrezikuar kështu raportet Kosovës-SHBA.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close