Politike

Ja vendimet e rëndësishme që mori grupi i PS, nga rrëzimi i Metës tek vota për Boden

Këtë javë parlamenti do të mblidhet dy herë. Veç seancës normale të të enjtes, të premten Kuvendi do të mblidhet posaçërisht për të votuar ligjin e Vettingut në politikë, të propozuar nga opozita. PS do ta rrëzojë këtë nismë e mbështetur dhe nga rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Të enjten, që do të jetë një seancë e gjatë dhe intensive, PS do të marrë disa vendime të rëndësishme. Më i rëndësishmi është rrëzimi dekretin e presidentit Meta për buxhetin, vendim që erdhi pas kërkesës së studentëve. “Dekreti nuk ka lidhje me studentët. Ne nuk mund ta miratojmë. Kjo nuk i zgjidh çështjet”– tha Taulant Balla.

Kërkesës së studentëve për ndryshimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, PS i përgjigjet negativisht. “Ligji është një moment historik për atë që kanë kërkuar universitetet publike. Implementimi i tij nuk ka ecur mirë dhe për këtë ne kemi përgjegjësi e këtu do të ndërhyjmë” – tha Balla.

Nëse të enjten hidhet në votim edhe dekreti tjetër i Presidentit për të bërë Vitore Tushën kryetare të KLSH-së, kandidatura do të shkojë drejt rrëzimit.

“Ne e kemi vlerësuar maksimalisht kandidaturën, por ajo tashmë është pjesë e KED-së, dhe ne e kemi thënë që në fillim se për ne ka më shumë rëndësi reforma në drejtësi”,-tha Balla.

Ndërkohë grupi parlamentar socialist ka mbledhur firmat për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ai do të mbështesë emrat e propozuar nga qeveria: Ritvan Boden, Edlira Lucin dhe Suela Popa, ndërsa parlamenti do të plotësojë tre vakancat e tij me: Arben Malajn dhe Artan Hoxhën, ndërsa vendi i përfolur se i ishte besuar Florion Mimës do të zihet nga Luljeta Minxhozi.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close