Politike

Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha nis votimin për shkarkimin e Lulzim Bashës

Pas tre muajsh me “Foltoren”, rreth orës 11:20 në praninë e 4.920 delegatëve të mbledhur nga Sali Berisha në “Air Albania”, Kuvendi Kombëtar ka filluar zyrtarisht punimet.

4.935 delegatë do të votojnë këtë të shtunë për shkarkimin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me argumentin se ka thyer statutin duke dëmtuar rëndë interesat e PD-së.

Kuvendi ka filluar votimin e fshehtë për shkarkimin e Bashës dhe me 18 dhjetor do të mbahet referendumi për të konfirmuar vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.

Delegatët do të votojnë edhe për shkarkimin e katër nënkryetarëve.

Ata do të kenë mundësi të përgjigjen pro ose kundër shkarkimit të tij, pasi në fletën e votimit do të jetë pyetja: A jeni dakord me shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së? Po/Jo

Me datë 22 mars, Kuvendi Kombëtar i PD-së, do të mblidhet përsëri për të zgjedhur strukturat e reja të PD-së. Deri në ditën e zgjedhjeve, drejtimin e partisë e mer një komision i përkohshëm i përbërë nga 29 anëtarë.

Asgjë nuk pengon djem dhe vajza burra dhe gra të lirisë për tu bashkuar sot në rithemelimin PD-së dhe pluralizmit të demokracisë shqiptare”.

Kjo ishte deklarata e ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha sapo u nis në ambientet e stadiumit “Air Albania” ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i thirrur prej tij.

Berisha këtë ditë e quajti si një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e lirisë së një kombi.

Kjo shënon triumfin e një revolucioni paqësor në momentet më dramatike të vendit”, u shpreh Berisha.

Këtë ngjarje ai e quajti si mesazhin, “më të bukur, më të madh, më të fuqishëm që i dërgojnë sot shqiptarëve kudo që gjenden, si dhe miqve tanë konservatorë në Evropë”.

Ai e mbylli duke deklaruar se kreu aktual Lulzim Basha është i ftuar të marrë pjesë në këtë ditë “të jashtëzakonshme” të demokratëve.

Në krah të Berishës shihen nga radhët e PD-së Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu, ish-presidenti Bujar Nishani dhe mijëra delegatë dhe mbështetës të Berishës.

Deri më tani lideri historik e ka arritur kuorumin e delegatëve për ndryshime statuore brenda selisë blu.

Delegatët dhe mbështetësit e parë të Sali Berishës kanë mbërritur në Kuvendin e thirrur nga anëtarësia e PD-së, që në orët e para të mëngjesit.

Po ashtu, do të kërkohen disa ndryshime statutore në Kuvendin e mbledhur për shkarkimin e Lulzim Bashës, ku pika më kryesore është ajo e krijimit të një Komisioni Tranzitor rithemelimi me 15 anëtarë dhe do të ushtrojë të gjithë kompetencat që i takojnë organeve qëndrore të Partisë Demokratike, me përjashtim të atyre që i takojnë Kuvendit Kombëtar.

Ky komision, përshkruhet gjithashtu si përgjegjës për organizimin dhe mbajtjen e proceseve zgjedhore brenda PD-së. Krijimi i organeve të reja brenda të djathtëve, sipas nenit 65 të tij, fillon menjëherë dhe përfundon jo më vonë se tre muaj pas hyrjes në fuqi.

Pra, nëse ndryshimet statutore marrin fuqi, brenda marsit, demokratët mund të kenë një lidership të ri drejtues.

Kryetari zgjidhet sipas parimit “një anëtar një votë”. Ndërsa, çdo akt i organeve të partisë i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të statutit.

Në Kuvendin e thirrur nga Berisha, numri i delegatëve pjesëmarrës ka shkuar në mbi 4 mijë e 800. Pjesëmarrësit ndërkohë, kanë mbushur një faqe të tërë të stadiumit, me mijëra mbështetës të Berishës në dy tribuna kryesore.

Sipas procedurës, nëse ky kuorum e voton ndryshimin e statutit, atëherë vendimi merr efekt, pasi votohet nga mbi 50% e delegatëve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka çelur zyrtarisht mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha, duke njoftuar edhe komisionin e punimeve të Kuvendit.

Ai do të drejtohet nga kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi dhe do të përbëhet nga pesë anëtarë. Albana Vokshi, Ervin Minarolli, Ivi Kaso dhe Edmond Spaho, do të jenë po ashtu pjesë e komisionit.

Me punën e nisur zyrtarisht, do të verifikohet numri i kërkesave të delegatëve në Kuvend, për të parë nëse kuorumi për ndryshimet statutore, është i arritur.

Ky grup do të përbëhet nga 72 përfaqësues, delegatë demokratë.

Ata do të kryejnë verifikimin e procesit nëpërmjet kodeve QR, me të cilat delegtët janë pajisur. Teknologjia sipas Këlliçit, do të shfaqë në kohë reale verifikimin e mandateve.

Belind Këlliçi sqaroi se për të thirrur Kuvendin Kombëtar nga anëtarësia kanë firmosur 7 mijë e 646 delegatë.

Përkatësisht ¼  e votave që nevojitet minimalisht është mbledhur dhe 4 mijë e 200 formularët që janë depozituar me firma për të thirrur Kuvendin janë firmëtar demokrat të pranishëm këtu”, vijoi në fjalën e tij Këlliçi.

Në bazë të këtyre të dhënave Këlliçi e shpalli zyrtarisht legjitim mbajtjen e këtij Kuvendi Kombëtar të PD-së.

Sekretariati teknik ka paraqitur dy kërkesa që kërkojnë vendimmarje nga Kuvendi. Nga ky moment Kuvendi ka nisur punimet zyrtarisht”, tha Këlliçi.

Ai ritheksoi se, “në zbatim të nenit dhe statutit të PD-së një grup anëtarësh të këshillit kombëtar që janë më shumë se ¼ e tij, sipas firmave, propozojnë miratim të projekt/ndryshimeve të statutit të PD-së”.

Për këtë të fundit Këlliçi ngarkoi Oerd Bylykbashin për paraqitjen e ndryshimeve statutore.

Në përfundim ai tha se, “delegatët janë njohur me projekt-statutin”.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Oerd Bylykbashi deklaroi në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha se Statuti që do të votojnë delegatët, parashikon ndër të tjera edhe ndryshimin e logos së PD si dhe vulës së partisë që përdor aktualisht kryedemokrati Lulzim Basha.

“Me këtë statut të rithemelimit ndryshojmë logon me një logo që i përgjigjet asaj të 31 viteve më parë. Ndryshon vula e PD, vula e kryetarit të PD deri më sot s’do ketë më vlerë nesër. Në 2017 kryetari aktual e zhduku në fushatë logon i zëvendësoi me Republikën e Re”, tha ai.

Tranzicioni drejt organesh të rinovuar me votën tuaj të ngrihet një komision i përkohshëm rithemelimi me figura me autoritet e kontribut ndër vite në PD.

Ky organ i përkohshëm do garantojë në fazën e shkurtër tranzitore, funksionimin e PD.

Të gjithë këto që kemi përjetuar në dy palë humbje zgjedhjesh parlamentare ne s’do i shohim më. Mbaroi koha kur kryetari emëron shumicën e organeve përfaqësuese, do marrë fund debati për dorëheqjen e kryetarit humbës, kryetari që humb zgjedhjet pavarësisht arsyes i përfundon mandati menjëherë e pa asnjë ekuivok“, tha Bylykbashi.

Ndërkohë më 18 dhjetor pritet të mbahet Këshilli Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha.

Përplasjet mes Bashës dhe Berishës, erdhën pas vendimit të SHBA-së për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit, masë që pasoi me përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së më 9 shtator. Top Channel

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close