Duket se Taulant Balla nuk e ka pritur mirë vendimin e kryeministrit Edi Rama për ta zëvendësuar si sekretar i përgjithshëm me Damian Gjiknurin. Damian Gjiknuri do të jetë gjithashtu drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit duke spostuar Ballën në Fier. Tashmë Taulant Balla do të mbajë vetëm detyrën e kreut të grupit parlamentar të PS dhe drejtues i qarkut Fier, plus mandatin e deputetit për qarkun Elbasan.
“Secili prej nesh në karrierën e vet duhet ta ketë një hap në forcimin e vet si përfaqësues i PS. Kjo nuk është çështje kungujsh por përgjegjësish. Dua të them se ky është meraku im i vetëm. Do të mërzitem nga Rama nëse Elbasani nuk do marrë investimet e nevojshme për t’i kthyer atë borxh që PS i ka mandatin e tretë.
Elbasani ka rezultatin më të mirë për PS. Do jem në Kuvend që Elbasani të ketë vëmendjen e parë të qeverisë. Unë jam sa përfaqësues dhe banor i atij qarku. Tifozeria dhe marrëdhënia ime me Elbasanin nuk ndryshon kurrë. Do jem mes Elbasanit dhe Fierit. Nuk bien tërmete në Elbasan. Koha do tregojë që për atë që unë po them sot kam shumë të drejtë. Unë jam bërë deputet i Partisë Socialiste në vitin 2005 dhe për çudi edhe atëherë kam qenë deputeti më i votuar.
Ne gjithmonë ne kemi rifreskuar. Kam mbështetje maksimale për qeverinë e re. Ministrat meritojnë respektin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Në këtë këndvështrim do mirëpres edhe mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Gjatë rrugës mund të ketë edhe ndryshime, edhe përmirësime. PS do të fitojë zgjedhjet e vitit 2023 dhe 2025. Ky është objektivi ynë”, tha Balla.