Në vijim të punës për hartimin e të parit plan strategjik për Kuvendin e Shqipërisë, punë e nisur në qershorin e vitit 2019, Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me OSBE dhe me projektin “Për mbështetjen e Parlamentit dhe Edukimin Qytetar” (PACEP), zhvilloi sot virtualisht mbledhjen e përbashkët konsultative me pjesëmarrës përfaqësues nga shoqëria civile në vend dhe përfaqësues të administratës së Kuvendit. Këtë takim, që drejtohej nga Mimoza Tasi, oficere ligjore pranë OSBE, e hapi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj.
Ai u shpreh se takimi me shoqërinë civile është një nga takimet më të rëndësishme, pjesë e konsultimit publik që do të vijohej me takimet me ish-deputetë, mediet dhe institucionet e pavarura. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit shprehu bindjen se konsultimi sa më i gjerë i këtij projekti do të reflektohet edhe në cilësinë e tij dhe pasi i falënderoi për kontributin përmes dhënies së mendimit aktorët e shoqërisë civile, ai u tregua i gatshëm për të mirëpritur sugjerime të tjera. Nga ana e tij, kryetar i grupit të punës për hartimin e Planit Strategjik, Dedë Kasneci, prezantoi për pjesëmarrësit në mbledhjen virtuale përmbajtjen e planit.
Kasneci e njohu mbledhjen me katër fushat prioritare të dokumentit strategjik: 1. Efektivitetin e ushtrimit të funksioneve përfaqësuese, legjislative dhe mbikëqyrëse; 2. Rolin e Kuvendit në proceset integruese dhe diplomacia parlamentare; 3. Transparenca, pjesëmarrja dhe edukimi qytetar në veprimtarinë e Kuvendit; 4. Kuadri rregullator, burimet njerëzore dhe infrastruktura e Kuvendit. Më tej u vijua me prezantimin e qëllimeve strategjike dhe objektivat për t’u arritur për secilin prej prioriteteve.
Në përfundim të prezantimit, Erida Skendaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Ariola Agolli nga Partners Albania, Erjon Tase nga Instituti i Studimeve Politike dhe Milaim Demnushaj nga Organizata “Të ndryshëm dhe të barabartë”, si edhe përfaqësuesja IECA për edukimin ligjor, dhanë komentet dhe sugjerimet e tyre për t’u reflektuar në dokumentin strategjik. Disa përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile, patën dhënë më parë me shkrim kontributin e tyre në platformë. Mbledhja e sotme u zhvillua përmes platformës së komunikimit virtual, Cisco Webex.